Sot, aktivistë të Qendrës së Prishtinës dorëzuan në Departamentin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës informata për fillim të hetimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe konflikt të interesit nga ana e kryetarit të Komunës Shpend Ahmeti.
Aktivistja Rinë Zhitia tha se më 21 dhjetor të këtij viti, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një vendimi ka ndarë 60 mijë euro për festivalin ‘Sunny Hill’ shumë të cilën e ka arsyetuar për pagesën e performancës së artistit Action Bronson.
“Kohëve të fundit, kryetari ka filluar që paranë e qytetarëve të Prishtinës, ta shpërndajë si t’i teket. Kujtojmë se kjo përveçse është e pandershme, në këtë rast, përbën edhe shkelje të rëndë të konfliktit të interesit nga kryetari i Komunës së Prishtinës, i cili është edhe vetë anëtarë bordi në festivalin ‘Sunny Hill’. Pavarësisht se ai mund të deklaroj tani ndryshe, ka deklarata publike dhe gjithashtu edhe ëeb faqja e OJQ-së ku janë derdhur këto mjete e ka vërtetuar këtë. Megjithëse, kohën e fundit çuditërisht emri i Kryetarit si anëtarë bordi fshihet nga kjo ëeb faqe”, tha ndër të tjera Zhitia pas dorëzimit.
Lëvizja Vetëvendosje konsideron qe, përveç kësaj, kjo mbështetje e kryetarit të Komunës nuk po vie për një organizim publik për qytetarët e Komunës , por kjo mbështetje po shkon për festivalin tek i cili biletat kanë qenë nga 35 deri në 75 euro.
“Duke ditur gjendjen ekonomike e sociale në vendin tonë (vetëm në Komunë të Prishtinës janë mbi 250 familje që presin në listën për banim), ky vendim i Komunës nuk është asgjë tjetër veçse rrëshqitje gjithnjë e më e madhe e qeverisjes komunale në oligarki e cila i favorizon organizimet e veta dhe të shokëve të tyre”, konsideron VV-ja.
Vetëvendosje ka ftuar hetuesinë, saktësisht departamentin e krimeve ekonomike në polici që të ndërhyjë dhe:
– të hetojë konfliktin e interesit në këtë rast
– të nisë hetimet për këtë rast flagrant ku kryetari Ahmeti po shpërndan mjete të qytetarëve nga buxheti i Komunës, si dhurata për veten dhe shokët e tij./express