Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar ish-deputetët e saj, që tani kanë formuar grup të ri parlamentar të quajtur Grupi i Deputetëve të Pavarur, për vjedhje të projektligjit për referendum.
Deputeti i GDP-së, Faton Topalli, para pak kohësh, bëri me dije se kanë proceduar në Kuvend Nismën Legjislative “Projektligji për Referendum”.
Por, Albulena Haxhiu, deputete e VV-së, në një postim në Facebook, ka thënë se GDP ka pasur mundësi ta dërgojë një draft tjetër, dhe se “vjedhja e këtij projektligji është e ulët dhe e dënueshme”, raporton Koha.net.
“Konkurrencën le t’ia bëjnë PDK-së dhe jo Lëvizjes! Por në fakt me PDK-në ka kohë që nuk janë marrë”, ka theksuar Haxhiu.
Ajo ka thënë se të hënën në konferencë për medie, të ketë njoftuar që “gjatë kësaj jave do ta procedojmë këtë projektligj në Kuvend”.
“U njoftova që projektligji që ka proceduar GDP, është projektligji që është drafti i Lëvizjes Vetëvendosje, i njëjti pa ndryshuar asgjë. (natyrisht pa korrektimet që i kemi finalizuar dje në grupin punues të Lëvizjes, e që kanë qenë të nevojshme)”, ka shkruar ajo.
Edhe aktivisti i VV-së, njëherësh bashkëshort i deputetes Albulena Haxhiu, ka komentuar këtë veprim.
“Hajnat e vullnetit qytetar po dalin të jenë edhe hajna projektligjesh! As mjekrat e as makijazhi nuk ua mbulon dot tradhtinë, hajninë dhe bythëshitjen”, ka shkruar ai në Facebook.