Evis HALILI
Shkup, 18 maj – Edhe pse nuk ekziston një model universal për të gjitha mediat për vetërregullimin e tyre, zyra e OSBE për lirinë e mediave ka prezantuar një doracak që i jep përgjigje mënyrës sesi mund të funksionojnë mediat në kaosin e krijuar nga format abuzive të pasqyrimit të lajmeve dhe lirinë e munguar, shkruan gazeta KOHA. Ky udhëzues është prezantuar si pjesë e projektit për reforma në sferën mediatike në konferencën nacionale “Vetërregullimi mediatik dhe sfidat etike në media”. Organizatorët kanë vënë në dukje se në kohën kur interneti dhe teknologjitë digjitale kanë krijuar mënyra të reja se si të publikohen lajme abuzive, mediat po përballen me shumë sfida dhe padrejtësi, në aspektin profesional, etik dhe të përgjegjësisë sociale. Kjo është arsyeja që OSBE prezanton udhëzuesin i cili do të shërbejë si një shtysë për të rritur cilësinë e gazetarisë dhe të ndihmojë situatën e lirisë mediatike, si edhe sqaron mënyrën sesi funksionojnë mekanizmat vetërregullues, si krijohen dhe perfeksionohen ato. “Këshilli i etikës ka përgjegjësi që vazhdimisht të sjellë në vëmendjen e mediave dhe gazetarëve etikën profesionale, e cila është e lidhur me parimet të cilat e mbrojnë jo vetëm profesionin dhe anëtarët e saj, por edhe demokracinë në konceptin e saj më të gjerë”, ka thënë Samuel Zhbogar, shefi i Misionit të BE.
Ndërsa shefja e Misionit të OSBE-së, Nina Suomalainen, ka theksuar se misioni që ajo drejton beson fuqishëm se vetërregullimi është një proces shumë i nevojshëm, i cili mbron standardet profesionale dhe etike në gazetari dhe njëkohësisht siguron servis efikas për ankesat e qytetarëve. Nga Komisioni i Ankesave, organizatorë të kësaj konference pohojnë se në situatën e krijuar është e nevojshme që të bëhet një reformë institucionale, legjislative dhe një reformë e përgjithshme e sektorit mediatik që do ta vendosë në binarë normal sektorin mediatik dhe gazetarinë në përgjithësi. Anëtari i këtij komisioni Sefer Tahiri thotë se në këtë mënyrë gazetaria mund të orientohet në sektorin që do t’i shërbejë qytetarit, informimit të drejtë, objektiv dhe të balancuar. “Në Maqedoni kohëve të fundit ka pasur një degradim të skajshëm të respektimit të standardeve profesionale dhe normave etike, sidomos nga disa media të cilat janë vënë në shërbim të pushtetit dhe nuk kanë respektuar standardet. Sistemi mediatik është buzë greminës dhe nuk respektohen standardet më minimale”, ka thënë Tahiri. Konferenca u organizua me ndihmën e grantit të ndarë përmes projektit ReForMedia – përparim i bashkëpunimit midis shoqërisë civile, institucioneve dhe qytetarëve për zbatimin e reformave në sferën mediale, që e zbatojnë Instituti i Media dhe Instituti paqësor nga Lubjana me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. (koha.mk)