Delvina KËRLUKU
Zehra Hajrullahu-Musliu ka lindur më 10 gusht 1967 në Tetovë, në një familje të vjetër qytetare. Shkollën fillore dhe të mesme e ka kryer në Tetovë, ndërsa Fakultetin e Kimisë në Universitetin e Prishtinës ku ka diplomuar më 1988. Studimet postdiplomike – magjistraturën, e kreu në Universitetin e Zagrebit më 1992 me temën “Ndikimi i triglicerideve të mesme yndyrore si faktor ekzogjen në ndryshimet strukturore të acideve yndyrore në trurin e miut”, ndërsa doktoraturën në Universitetin e Shkupit “Shën Kirili dhe Metodi” me temë “Ndikimi i ekstraktit Heleborus Odorus për trajtimin e distrofisë muskulore tek qengjat”, më 2001. Në vitin 1996 u punësua në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, në Katedrën e riprodhimit si bashkëpunëtore shkencore, në vitin 2002 në Repartin e kontrollit të produkteve ushqimore. Në vitin 2004 punësohet në Institutin për Ushqim pranë FVM-së, në vitin 2005 emërohet Docent për lëndën e kimisë, kimisë ushqimore si dhe për mbetjet dhe kontamintet në ushqim, ndërsa 2007 – udhëheqëse e laboratorit për cilësi dhe siguri të ushqimit. Në dhjetor të vitit 2010, emërohet profesor inordinar, ndërsa në shtator te vitit 2015 profesor ordinar. Nga prilli i vitit 2010 është prodekane për shkencë, në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në Shkup.
KOHA: Ish-studentët dhe studentët aktual të Fakultetit të Veterinarisë ku ju ligjëroni, ju lidhin në mënyrë të drejtpërdrejtë me pozicionin dhe punën tuaj pranë këtij fakulteti. Por, ne do të dëshironim një informacion më të gjerë rreth jush, kur dhe si keni filluar punën pranë UKIM, në Shkup?
MUSLIU: Edhe pse isha një ndër femrat e vetme shqiptare në Maqedoni me titull magjistre e shkencave të kimisë , ndjekja fatin e shumë të rinjve të papunë. Në vitin 1996 papritmas mu ofruan dy vende punësimi , në Akademinë e shkencave dhe arteve të Maqedonisë dhe në fakultetin e mjekësisë veterinare në Shkup. Pa kurrfarë hezitimi u përcaktova për fakultetin meqë vlerësoja se aty do të kem më tepër mundësi për avancim profesional si dhe më joshëse e më tërheqëse mu duk puna me studentë. Fillova si bashkëpunëtore shkencore në departamentin e riprodhimit të kafshëve por, njëherësh kisha mundësi të punoja edhe në laboratorë të ndryshme që para së gjithash kanë të bëjnë me kontrollin e cilësisë dhe sigurisë së ushqimit. Më pas paraqita temën e disertacionit për një sëmundje të veçantë të qengjave me titull ndikimi i ekstraktit Heleborus odorus për trajtimin e distrofisë muskulore tek qengjat. Në këtë periudhë isha më prezente në ferma ane mbanë Maqedonisë ku pata mundësi hulumtimin tim ta përsosi në mënyrë tejet profesionale. Pasi që doktorova dhe kaloja gradat profesioniste me radhë , u zgjodha si ligjëruese e lëndës së kimisë pran fakultetit të mjekësisë veterinere dhe kam titullin profesor ordinar. Ne ketë periudhë jam në mandatin e dytë të prodekanes për shkencë pranë fakultetit të mjekësisë veterinare, pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
KOHA: Sa është angazhimi i juaj dhe i stafit tuaj, sa i përket trajnimit, edukimit të vazhdueshëm, në punën profesionale?
MUSLIU: Angazhimi im në fakultet është pak sa ndryshe nga fakultetet tjera sepse puna në këtë institucion është ngushtë e ndërlidhur praktika me teorinë. Përpos angazhimeve si ligjërues , pothuajse kohën më të madhe në punë e kalojmë në laboratorë ku behet diagnostifikimi i sëmundjeve te ndryshme te kafshëve, mirëqenia e kafshëve ,monitorimi i cilësisë dhe sigurisë se ushqimit pasi qe ketë e kemi obligim parësor meqë jemi nënshkrues të kontratës me Agjencinë për ushqim dhe veterinë të RM-së si dhe me operatorë të ndryshëm të ushqimit. Si institucion i lartë arsimore, jemi nga të parët në vend, kjo na jep një kurajo dhe detyrim që të jemi shembuj edhe për institucionet tjera të larta arsimore pranë universitetit të Shkupit. Po thuajse në çdo vit akademik, ne akreditojmë metoda të reja të punës për laboratorët që kërkohen me standardet bashkëkohore dhe ISO standardet e rekomanduara nga BE. Për të arritur në aplikimin e metodave të reja s’do mend se kërkohet një stërvitje e jashtëzakonshme , një përkushtim maksimal sepse çdo akreditim nënkupton nënshtrim para një komisioni të përbërë nga vlerësues ndërkombëtar. Që të jemi të akredituar duhet patjetër të posedojmë certifikata ndërkombëtare apo evropiane gati për secilën metodë që e punojmë për çdo vit e që këto trajnime organizohen në laboratorët më prestigjioze të Evropës. Për edukim të vazhdueshëm të mjekëve veterinarë organizohen punëtori të ndryshme – ëork shop, ku fjalën kryesore e kanë dhe e bartin profesorët e Fakultetit të Veterinarisë mjekësore në bashkëpunim me Odën e Veterinarisë në R.M. Gjithashtu çdo vjet Fakulteti organizon konferencë ndërkombëtare “Days of Veterinary medicine”, ku përveç prezantimeve shkencore organizohen edhe punëtori për mjekët veterinerë në teren ndërsa temat përcaktohen paraprakisht nga interesat e tyre. Kjo konferencë vjetore ka një domethënie të veçantë meqë në punimet e saje prezantohen të arriturat me të reja nga sfera e veterinarisë, para së gjithash nga vendet e rajonit dhe më gjerë. Gjithashtu vlen ta theksoj edhe revistën shkencore “ Macedonian veterinary reëiev” që publikohet nga institucioni ynë dy here në vit. Në këtë revistë ka publikime ndërkombëtare me vlerë të lartë shkencore të cituara nga shtëpi të njohura publikuese.
KOHA: Cilat janë angazhimet dhe publikimet e juaja në sferën profesionale në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar?
MUSLIU: Në kuadër të angazhimit profesional jam tejet e angazhuar, jam pro-dekane për kërkime shkencore, në fakultetin e Veterinarisë mjekësore, udhëheqëse e laboratorit për cilësi dhe siguri te ushqimit, udhëheqëse e studimeve të doktoraturës për sigurinë e ushqimit, anëtare e bordit për akreditim dhe evaluim të arsimit të lartë në RM, anëtare e komisionit për evaluim të jashtëm të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, anëtare e Komisionit për arsim në nivel të UKIM-it, vlerësuese e metodave të reja laboratorike në vende dhe rajon, koordinatore e WetNest dhe CEEPUS rrjetit ne kuadër të FVM-së, si dhe ligjëruese part-time në Universitetin shtetëror të Tetovës. Nuk mungojnë edhe angazhimet jashtë vendit. Jam tejet e involvuar në projektet rajonale para së gjithash me universitetet e Turqisë ku do të kisha veçuar bashkëpunimin e frytshëm me Universitetin e Stambollit, Konjës, Erzurumit, Elazig, Bursa, si dhe bashkëpunimin me universitetet e Beogradit, Zagrebit, dhe Lubjanës. Në kuadër të bashkëpunimit jemi të detyruar të bëjmë shkëmbimin е stafit akademik dhe të studenteve pasi që, sipas kushteve te UKIM-it jemi të detyruar çdo vit të angazhojmë më së paku dy ligjërues nga universitetet qe janë 500 të parat ne listën e Shangait. Takime profesionale të shpeshta gjithashtu kam edhe me universitetin e Prishtinës dhe Tiranës. Është për tu veçuar edhe angazhimi në kuadër të trajnimeve profesionale të Komisionit Evropian EURL Ëork shop që mbahen në Francë, Belgjikë, Suedi, Austri, Gjermani, Holandë dhe Britani të Madhe. Përvojat që merren nga këto takime janë tejet domethënëse për punën profesionale dhe bartja e këtyre përvojave në sistemin tonë arsimor. Deri më tani kam të publikuara mbi 140 punime shkencore prej të cilave disa me Impact factor , kriter ky i cili është kusht ndërkombëtar për avancim të vazhdueshëm shkencor. Gjithashtu jam pjesëmarrëse dhe bartëse e rreth 20 projekteve shkencore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
KOHA: Keni bashkëpunim institucional me kolegët tuaj të rajonit, përkatësisht me shtetet Shqipërinë dhe Kosovën?
MUSLIU: Si ish-studente e Universitetit të Prishtinës , emocionalisht jam e lidhur me këtë universitet. Jam ofruar që në fillim për të ndihmuar kolegët atje e në veçanti të të punësuarit në Agjencinë e ushqimit dhe veterinarisë në Kosovë si dhe në Institutin për shëndet publik të Kosovës. Jo vetëm zyrtarisht, por ka ndodhur që edhe privatisht të qëndroj në Prishtinë, për ti ndihmuar kolegët në aplikimin e metodave të cilat tanimë një kohë i aplikojmë në Shkup. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Universitetin e Tiranës. Bashkëpunimi është në nivel, takimet janë të shpeshta dhe frytdhënëse meqë shkëmbimi i përvojave avancon punën tonë si në Shkup, Prishtinë apo Tiranë. Shpresoj se ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe në të ardhmen.
KOHA: Niveli i studimeve dhe studentëve në fushën e studimeve posdiplomike të magjistraturës ose doktoraturës është në rritje apo rënie. Ku bëjnë studimet rinia jonë dhe a ka kandidatë potencial në këtë profesion?
MUSLIU: Para disa viteve, në veçanti para aplikimit të sistemit të Bolonjës në arsimin e lartë, interesimi i maturantëve për këtë drejtim ka qenë tejet i madh. Ka ndodhur që për 60 vende të lira të konkurrojnë 120 kandidatë. Por, tani kanë ndryshuar gjërat, kemi të drejt të regjistrojmë 35 student të rregullt dhe 15 me vetëfinancim, për çdo vit numri i të interesuarve është në zbritje. Të rinjtë me hapjen e universiteteve të shumta private dhe shtetërore po përcaktohen për drejtime më të “lehta”. Studimet në Fakultetin e veterinarisë mjekësore në Shkup zgjasin pesë vjet e gjysmë, apo 11 semestra, është fakultet që kërkon angazhim serioz praktik dhe teorik andaj në këtë drejtim orientohen vetëm ata kandidat të shkëlqyer, ambicioz dhe që para së gjithash e duan këtë profesion. Sa i përket studimeve të doktoraturës, kemi dy drejtime – mjekësia veterinare dhe siguria e ushqimit. Interesimi për këto drejtime është në nivel, kemi kandidat nga universitetet e vendit, por ajo që na gëzon është fakti se kemi edhe kandidat nga universitetet e rajonit, Universitetit të Stambollit dhe Prishtinës.
KOHA: Stafi juaj dhe studentët në Fakultetin e Veterinarisë të Universiteteve në Maqedoni kanë probleme me praktikat profesionale ku do të duhet të kryhen praktika, autopsi apo nekropsi në kafshë të ndryshme?
MUSLIU: Fakulteti i Mjekësisë Veterinare në Shkup është lider apo udhëheqës në rajon për studimet deridiplomike, postdiplomike si dhe për zhvillimin profesional të vazhdueshëm për mjekët veterinere. Në kuadër të fakultetit ekziston katedra për patologji dhe pato-histologji si dhe katedra për mjekësi ligjore. Në kuadër të këtyre katedrave ekziston Laboratori për imunohistokimi, patologji dhe patohistologji qe përbëhet prej dy pjesëve, dhoma e autopsisë ku bëhet autopsia e kafshëve të ngordhura (lopë, ripërtypës te vegjël, derra, dhe kafshëve të tjera si dele dhi etj. Qen , mace si dhe kafshëve te egra dhe ekzotike), gjetjen e ndryshimeve patohistologjike, autopsi për abortin e kafshëve si dhe gjetjen e arsyes për abort, hapjen e kafkave të kafshëve të ngordhura dhe marrjen e materialit për analizë për rabies dhe TSE, (Transmissive spongiform encephalopathy) gjetjen e ndryshimeve patohistologjike në raste forenzike, ndërsa në laboratorin e patohistologjisë bëhet procesuimi i materialeve të marra për analizë në të cilin laborator posedojmë aparaturë më moderne, që na mundëson diagnostifikimin e sëmundjeve infektive, parazitare, tumoreve, sëmundjeve të lëkurës, si dhe për qëllime hulumtuese. Duke patur parasysh të lartëtheksuarat, mund të konkludoj lirshëm se pranë fakultetit tonë ekzistojnë kushte tejet të mira, solide , bashkëkohore për studime cilësore.
KOHA: Një temë rreth së cilës flitet pak, ka të bëjë me Eutanazinë (vdekjen apo ngordhjen me injeksion). Në praktikë, veterinarët do të përballen shpesh me detyrën (morale dhe profesionale) të kryerjes së injeksionit. A mendoni se do të jeni në gjendje të merrni një vendim të tillë, për ngordhjen me anën e injeksionit? Cili është mendimi juaj rreth kësaj procedure?
MUSLIU: Eutanazia është metodë e cila sipas Ligjit për mirëqenie përdoret për mbytjen (vrasjen) e padhimbshme të kafshëve. Arsyeja e përdorimit të metodës së eutanazisë tek kafshët vjen nga natyra të ndryshme. Nëse bëhet fjalë për kafshë të përkëdhelur shtëpiake ose kafshë nga ferma, eutanazia realizohet përmes procedurave të veçanta dhe me mjete të cilat janë të lejueshme me aktet nënligjore, me qëllim që kafsha të mos pësoj kur bëhet eutanazia. Vendimin për aplikimin e eutanazisë e sjell (merr) mjeku i veterinarisë mjekësore, kur do të konstatojë se kafsha është në situatë të pashërueshme. Nëse bëhet fjalë për qëllime shkencore, vendimin për eutanazi e sjell (merr) personi i cili e realizon eksperimentin, por paraprakisht me leje nga Komisioni për mirëqenie. Në fakt, me marrjen e lejes për realizimin e projektit hulumtues shkencor nga Komisioni për mirëqenie, përcaktohet dhe koha e shfrytëzimit të atyre kafshëve sipas procedurave me të cilat përcaktohet niveli i vuajtjes së kafshës si dhe benifiti që do të fitohet nga projekti shkencor. Procedura për eutanazi të këtyre kafshëve bëhet me metoda dhe mjete të cilat janë të përcaktuara për eutanazi, ndërsa varet nga lloji i kafshës.
KOHA: Duke pasur parasysh se profesioni që njeriu zgjedh do të jetë i lidhur përgjithnjë në jetën prandaj është më e lehtë nëse e dashuron atë. Veterinaria është profesioni juaj, por çfarë pune keni punuar përpos këtij profesioni në jetë dhe ku?
MUSLIU: Përveç me profesionin që e ushtroj – profesoreshë universitare, ndonjë angazhim tjetër nuk kam bërë. Këtu do të theksoja se para punësimit, kam qenë aktive në jetën shoqërore si pjesëmarrëse në forume të ndryshme të gruas, ku kam dhënë sado pak kontributin tim modest për avancimin e pozitës së femrës shqiptare, në shoqërinë tonë.
KOHA: Cila është sëmundja më e përhapur te kafshët. Dhe si duhet të mbrohen ata që kanë kafshë në shtëpi?
MUSLIU: Ekzistojnë sëmundje të ndryshme, të cilat janë të shpërndara në rajone të ndryshme të shtetit. Simptomat e fshehura klinike të sëmundjeve janë mungesë e madhe për diagnostikimin në kohë të sëmundjeve, dëmet e të cilave kanë ndikim me humbje të mëdha ekonomike. Andaj, testimet laboratorike janë me një rëndësi tejet të madhe. Gjithsesi, bruceloza ishte dhe mbetet sëmundje e cila është më e përhapur në tërë territorin e vendit. Si tek gjedhët e mëdha po ashtu edhe tek ato të imta. Por, me aplikimin e programeve dhe masave zhdukjen e sëmundjeve ngjitëse, në pajtueshmëri me standardet evropiane, rezultate tona flasin për zvogëlimin e dukshëm të dukurisë së kësaj sëmundjeje në tërë territorin e Maqedonisë. Gjithashtu nuk duhet anashkaluar edhe tuberkulozin si sëmundje e fshehur klinike e cila është e pranishme në disa rajone. Gjithsesi, ndryshimet klimatike dhe nxehja globale kanë ndikuar për ndryshimin e rripit tropikal, me çka një pjesë e madhe e sëmundjeve vektoriale në periudhën e kaluar dhe tani sërish paraqiten në vendin tonë, siç ishte rasti me “ gjuhën kaltërt” tek dhentë, dhitë gjedhët, më pas “ ethet e nilit perëndimor” tek kuajt, më pas sëmundja “ sëmundja gungore e lëkurës ” (lumpy skin disease).Gjithsesi bashkëpunimi me veterinarët në teren, bashkëpunimi i shërbimeve veterinarike nga rajoni është në një rëndësi të veçantë për monitorimin e vazhdueshëm, për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse tek kafshët shtëpiake.
KOHA: Njerëzit e mbartin infektimin shpesh nga kontakti me kafshët e sëmura, të cilët jetojnë në rrugë, të pambrojtur nga njeriu dhe institucionet kompetente. Si ndodh bartja e sëmundjes nga kafsha te njeriu dhe çfarë masa duhet të merren?
MUSLIU: Në varshmëri prej llojit të sëmundjes ndërmerren edhe masa adekuate preventive për mbrojtje. Tek sëmundjet kontagioze dhe infektive, ndërmerret vaksinimi i kopeve të shëndosha nga sëmundjet përkatëse, të parapara me programin për vaksinim. Po ashtu, bëhet në mënyrë të vazhdueshme monitorimi klinik dhe laboratorik të kokëve të gjedhëve në faza të ndryshme nga cikli prodhues. Tek sëmundjet e transmetueshme vektoriale është me rëndësi të veçantë dezinfektimi me kohë, dezinfektimi dhe deratizimi i objektit ku kanë qenë të pranishme kafshët. Masat preveve janë të një rëndësie të veçantë që të ndërpritet përhapja dhe lëvizja e sëmundjes. Me kafshët çdo herë duhet të manipulojë personel profesional me qëllim që të ndërpritet përhapja eventuale e sëmundjes nëqoftëse ekziston ajo. Gjithashtu, personeli duhet të jetë i mbrojtur me pajisje mbrojtëse varësisht nga vendi i punës. Objektet ku përpunohen prodhimet me prejardhje nga kafshët, duhet të aplikohen masa preventive të dezinfektimit, dezinsektimit, deratizimit, përpunimi termik i qumështit dhe mishit në temperatura adekuate, nivel i lartë i higjienës në hapësirat punuese. Të gjitha institucionet duke filluar nga Agjencia për ushqim dhe veterinari si organ kryesor për avancimin e profesionit të veterinarisë, në pajtueshmëri me standardet evropiane, rregullativat dhe legjislacionit, përcaktojnë norma juridike për kontroll, mbrojtje dhe monitorim të sëmundjeve ngjitëse, mirëmbajtjen e shëndetit të kafshëve përmes ligjit për mirëqenien e kafshëve, si dhe masat preventive për mbrojtje nga sëmundjet. Gjithsesi, edhe Fakulteti i Veterinarisë në Shkup si institucion kompetent merr pjesë në zbatimin e këtyre masave përmes testimit të sëmundjeve ngjitëse, si dhe kontrollin e ushqimit dhe produkteve me prejardhje nga kafshët, sipas parametrave të përcaktuara në rregulloren për ushqim të sigurt. Me rëndësi të veçantë është edhe aktiviteti i shoqatave të veterinarëve në teren të cilët në mënyrë të palodhshme të cilët në bashkëpunim me veterinarët veprojnë në terren për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.
KOHA: Shohim shumë figura publike, personazhe të famshme të botës së artit, të cilët ushqejnë një dashuri të madhe për kafshët. Çka i bën ata jo vetëm t’i duan, por edhe t’i mbajnë në shtëpitë e tyre e të kujdesen për to. Si e shihni ju mbajtjen e kafshëve në ambientin shtëpiak?
MUSLIU: Kafsha ka nevojë për të jetuar në ambiente adekuate. Kësaj gjëje tek ne i kushtojnë pak vëmendje. Në vendet perëndimore ambienti i kafshës rregullohet me ligj, tek ne për fat të keq ende kjo sferë nuk është rregulluar. Por edhe nëse vendos për të mbajtur kafshë në shtëpi, atëherë duhesh të krijosh minimum mundësi dhe kushte që kafsha të ndjehet e lirë, e qetë për një jetë dinjitoze. Nga mediat shohim se një numër i madh i personave të njohur i duan kafshët e përkëdhelura, disa prej tyre janë edhe aktivistë edhe në shoqatat për mbrojtjen e kafshëve, ata donojnë edhe mjete financiare për mbrojtjen e tyre. Burrështetas, artistë të njohur, sportistë, biznesmenë shpeshherë para mediave dalin në shoqërim me kafshët e tyre dhe kuptohet kjo nuk ka të bëjë me populizmin, por me lidhshmërinë e tyre me kafshën. Pas obligimeve të shumta në punë dhe streseve që kalon njeriu në orarin e punës , kafshët shtëpiake të përkëdhelura janë ato që e zbusin sadopak stresin dhe lodhjen nga puna gjatë ditës. Kafshët ofrojnë një relaksim që nuk mund të gjendet askund. Sipas kësaj logjike, sot është vështirë të gjeneralizohet fakti se ku duhet të ruhet kafsha shtëpiake e përkëdhelur, brenda apo jashtë. Është mëkat që një qen i Sharrit të ruhet në shtëpi, por në të njëjtën kohë që një çivava meksikane të ruhet jashtë. Nëse ekziston mbrojtja shëndetësore, vaksinimi i rregullt mbrojtja nga sëmundjet e ndryshme, nuk paraqet asnjë pengesë që kafsha të ruhet në kushte shtëpiake. Është e njohur se në familjet ku ka fëmijë me të meta të zhvillimit psiko-fizik, është e preferueshme ruajtja e qenve për komunikim më të lehtë me fëmijët. Ndërsa kontakti me vetë kafshën mundëson tajitjen e neuro-hormoneve me efekte qetësuese. Kështu që nëse ekziston dashuria dhe përkujdesja e pronarit, gjithsesi se është e arsyeshme ruajtja e kafshëve të përkëdhelura në ambiente shtëpiake.
KOHA: Mjekët e parë shqiptarë veterinarë (para 1 shekulli) janë shkolluar në Turqi si Mehmet Aqif, Sejfi Vllamasi, Bilala Golemi, Tare Libohova, Vasfi Samimi, Ali Ylviu, Nusret Sako dhe ndonjë tjetër. Sa ka përparuar ky profesion, në vendin tonë dhe a e preferojnë shqiptarët?
MUSLIU: S’do mend se edhe veterinaria ka zanafillat edhe tek kombi jonë. Emrat që përmendni me lart tregon për këtë fakt se veterinaria nga koha ka zgjuar një interes edhe tek ne. Kuptohet se për zhvillimin e saj duhet investuar shumë , ndikojnë shumë faktorë, por duhet të them se ajo nuk ka vendin meritor në sistemin tonë të përgjithshëm arsimor. Shoqëritë bashkëkohore nuk mund të paramendohen pa ekzistimin e këtij profesioni që është pjesë e integruar e ekonomisë. Kërkesat e mëdha në sferën e sigurisë së ushqimit dhe mbrojtjen shëndetësore të kafshëve imponon nevojën për edukim më të madh edhe të shqiptarëve për këtë profesion, si tek ne – ashtu edhe tek vendet fqinje, Shqipëri dhe Kosovë. Më inkurajon fakti se një numër i madh i shqiptarëve viteve të fundit shprehin interesim dhe merren me këtë profesion. Në mjediset rurale janë të pranishëm në terren dhe së bashku me banorët e atjeshëm, japin kontributin për zhvillimin e veterinarisë.
KOHA: Cili është tregimi i fëmijërisë suaj dhe a ka ekzistuar ëndrra për këtë profesion?
MUSLIU: Si fëmijë çdo herë kam ëndërruar që të shkollohem dhe të jem një mësimdhënëse. Ja që kjo ëndërr mu bë realitet dhe po e ëndërroj në jetë e zgjuar. Puna me studentë të jep një motiv, emocion, vullnet shtesë për të vazhduar më kërkime shkencore, është kjo një fushë e pashtershme aq më shumë që hulumton bindesh se sa gjëra ka ende të pa zbuluara.
KOHA: Femra shqiptare përherë i është përkushtuar familjes. Sa i keni munguar asaj me përkushtimin e madh ndaj shkencës dhe sa ata të kanë përkrahur në ngjitjen tuaj profesionale?
MUSLIU: Kam fatin që edhe tek familja e prindërve, por edhe tek e bashkëshortit, paragjykimi se femra duhet të merret vetëm me punët e shtëpisë – nuk ekziston. Kam patur fatin që kam një bashkëshort të mrekullueshëm, të kuptueshëm, tek i cili në çdo moment kam gjetur mbështetje, përkrahje dhe ndihmë për punën time profesionale. Gjatë përgatitjes së doktoraturës , shpeshherë në laborator ngelja deri në orët e vona të pasdites, ndërsa djalin Erjonin e kisha vetëm nëntëmuajsh, ndërsa për të kujdesej bashkëshorti. Me rritjen e fëmijëve , edhe ata mu bënë përkrahës të pashoq. Udhëtimet e shpeshta zyrtare jashtë vendit , bashkëshorti dhe fëmijët i konsiderojnë edhe si suksese të tyre. Por, do të shtoja se bëj përpjekje maksimale që kohën e lirë ta kaloj dhe t’ia kushtoj më të dashurve të mi, që të mos e ndjejnë angazhimin tim profesional, dhe besoj që ia kam arritur qëllimit, kështu së paku ma thonë ata.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.