Ata që ndihmuan në çlirimin e Kosovës e kanë të qartë se ajo do të vazhdonte të ngelte e robëruar nën thundrën serbe po të varej fati i saj prej veteranëve që sot për një pagë modeste janë në gjendje të falsifikojnë të kaluarën e tyre. Kosova ka të ardhme tjetër dhe ajo nuk varet nga falsifikatorët e historisë së saj
Nga Emin AZEMI
Një luftë mund të jetë apo jo e suksesshme, varësisht nga menaxhimi i pasluftës. Është e njohur përvoja e deformimeve që ka pasuar periudhën e luftës, kurse bartësit e këtyre deformimeve e kishin përdorur luftën si ‘’kartë bankomati’’. Por, në anën tjetër, luftëtarët e vërtetën asnjëherë nuk e keqpërdorën luftën. Ata madje i ke më të pazëshmit dhe shpesh të margjinalizuar nga shoqëria.
Tash së fundi Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se pas hetimeve, që do të zhvillohen lidhur me rastin e njohur si ‘lista e veteranëve të UÇK-së’, do të propozohet një aktakuzë, e cila do t’i dërgohet gjykatës që veteranëve “mashtrues” t’u ndërpriten pagat.
Hetimet e reja pasojnë një proces të lënë në gjysmë nga ish-prokurori Elez Blakaj, i cili dha dorëheqje me arsyetimin se mbi të po bëhen presione. Institucionet e drejtësisë ende nuk janë deklaruar prerazi se çka do të ndodhë me ata persona të cilët kanë marrë para nga buxheti në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për shtatë muajt e parë të këtij viti për këtë kategori janë ndarë më shumë se 44 milionë euro. Sipas dokumenteve të kësaj ministrie vërehet se për çdo muaj është rritur numri i përfituesve, rrjedhimisht edhe shuma e ndarë e mjeteve financiare.
Prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se numri i përfituesve të jashtëligjshëm nga kjo kategori, mund të jetë deri në 19 mijë veta.
Për çfarë menaxhimi të pasluftës mund të flasim në Kosovë? A është normale për një pjesë të shoqërisë që të legjitimohet se spekulative me tema të ndjeshme, siç është sakrifica për liri. Kujt i shërbejnë këta ‘’veteranë të rrejshëm’’ dhe kënd donë ata ta mashtrojnë? A kanë ata bashkëluftëtarë dhe si quhen betejat që ata bënë në frontet e luftës me forcat serbe? Si quhen komandantët e tyre dhe në cilën datë u inkuadruan në luftë?
Janë këto jo thjeshtë pyetje, por edhe alarm për këtë soj veteranësh të kontrabanduar që po duan me çdo kush të na imponohen si faktorë të rëndësishëm. Një Zot e di sa përfitime kanë kullotur ata në emër të këtij kontrabandimi dhe kush e di sa fëmijë të tyre kanë gëzu privilegje për të qenë në lista prioritare nëpër universitete e institucione të ndryshme.
Dëmi nuk është vetëm financiar. Më i madh është dëmi moral. Një vetëdije e tillë e deformuar që kontrabandon figura të paqena ka si nusprodukt shtresën më të pandërgjegjshme të shoqërisë. Kjo shtresë ka punuar me të madhe që imazhin e popullit të vet ta paraqes në dritën më të errët. Sikur të dominonte kjo vetëdije, Kosova që moti ishte harruar nga aleatët Perëndimorë. Mirëpo ata që ndihmuan në çlirimin e Kosovës e kanë të qartë se ajo do të vazhdonte të ngelte e robëruar nën thundrën serbe po të varej fati i saj prej veteranëve që sot për një pagë modeste janë në gjendje të falsifikojnë të kaluarën e tyre.
Kosova ka të ardhme tjetër dhe ajo nuk varet nga falsifikatorët e historisë së saj. (koha.mk)