“Në përgjithësi, rajoni i Pollogut në këtë projekt merr pjesë nga 10 deri në 15 për qind, por këtë vit përqindja është më e theksuar dhe e njëjta arritur deri në 25 për qind të bizneseve të themeluara në kuadër të kësaj mase, gjë që është për tu përshëndetur për shkak se kjo tregon se të rinjtë e rajonit tonë kanë ide iniciativa për themelim të bizneseve”, shprehet Jusufi
Urim HASIPI
Tetovë, 25 tetor – Në Maqedoni, përmes masës për vetëpunësim janë themeluar rreth 1100 biznese të reja brenda vitit. Në rajonin e Pollogut kjo shifër arrin në 100 biznese të reja. Ky numër ndonjëherë rritet deri në 130 biznese. Kështu thotë konsulenti Nebi Jusufi, nga Agjencia për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme për rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, ndërsa informon se ky numër edhe mund të rritet.
“Numri i përgjithshëm i aplikuesve për këtë masë nuk ka ndryshuar, që do të thotë se janë diku rreth 1100 biznese të reja që themelohen në nivel republikan, ndërsa në rajonin e Pollogut, ky numër i bizneseve që hapen është rreth 100 deri në 130, megjithatë këtë vit është 140 dhe deri në fund të viti, edhe mund të rritet”, thotë për gazetën KOHA, Jusufi. Në përqindje, në nivel republikan, Pollogu në këto masa që u inicuna nga Qeveria e kaluar dhe vazhdoi edhe nga kjo Qeveri, merr pjesë me rreth 15 për qind.
“Në përgjithësi, rajoni i Pollogut në këtë projekt merr pjesë nga 10 deri në 15 për qind, por këtë vit përqindja është më e theksuar dhe e njëjta arritur deri në 25 për qind të bizneseve të themeluara në kuadër të kësaj mase, gjë që është për tu përshëndetur për shkak se kjo tregon se të rinjtë e rajonit tonë kanë ide iniciativa për themelim të bizneseve”, shprehet Jusufi. Në ndërkohë, sipas tij, këto masa deri diku kanë ndikuar edhe në uljen e papunësisë, dhe kanë dhënë efekte pozitive, megjithëse jo në masën e nevojshme.
“Projekti i njohur ‘Maqedonia punëson 1 dhe 2’ ishte projekt apo masë atraktive dhe me automatizëm edhe numri i krijimit të vendeve të reja të punës u rrit, për shkak se kjo masë në veçanti ishte ideale për ato që ishin të regjistruar si zanatlinj e që ju mundësonte të vazhdojnë mënyrë kordinale punën e tyre. Por, tani edhe janë formalizuar, të regjistruar, pra të kenë sigurimin e tyre shëndetësor dhe sigurimin pensional, më mundësinë që të bashkëpunojnë me ndërmarrjet e tjera që janë të regjistruara në mënyrë formale”, deklaroi Jusufi. Ashtu sikurse Qeveria e kaluar, po ashtu edhe Qeveria aktuale ka hartuar politika të punësimit për krijimin e vendeve të reja të punës dhe punësimin e të rinjve dhe zbutjen e papunësisë në vend. Një ndër këto masa është vetëpunësimi e që realizohet nëpërmjet Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale.
Papunësia dhe mungesa e investimeve të jashtme, si dhe pasiguria në shtet ka bërë që pjesa më e madhe e rinisë të mos ketë perspektivë në këtë vend dhe rrugëdaljen ta shohin ikjen nga vendi për një jetë më të mirë.
“Sa i përket ikjes së të rinjve jashtë vendit për një jetë më të mirë, këtu ndërlidhen shumë faktorë të ndryshëm si faktori social, është faktori i sigurisë, faktori i drejtësisë të klimës së biznesit që është ndër kushtet kryesore, ku vet kriza ekonomike dhe politike veçanërisht në këto vitet e fundit nuk jep hapësirë të ketë ambient të përshtatshëm për të themeluar një biznes. Pastaj, një ndër faktorët tjerë janë edhe pagat që ndërmarrjet tona ofrojnë për të punësuarit, është edhe mungesa e kuadrove me aftësi specifike për nevojat e tregut të punës”, thotë Nebi Jusufi. (koha.mk)