Shumica e grave torturën psikike dhe fizike, nuk e llogarisin fare si dhunë, të cilin burri “ka të drejtë” ta ushtrojë mbi gruan. Mentaliteti patriarkal nxjerr femra të vetënënshtruara duke e edukuar femrën “të heshtë” edhe kur ka të drejtë dhe kjo e bën atë të vetënënshtruar ndaj dhunës, prandaj edhe nuk i denoncojnë këto raste. Femrat në mungesë të kushteve, është e detyruar ti nënshtrohet çdo lloj torture sepse nuk ka alternative
Remzije BILALLI
Shkup, 29 tetor – Dhuna ndaj grave, ndonëse është shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në botë, vazhdon të jetë më pak e vlerësuar. Studimet e kryera për dhunën në familje kanë vërtetuar se abuzimi ndaj grave është një problem kompleks dhe shumë dimensional, ndërsa për këtë ndikojnë faktorët kulturorë, shoqërorë, familjarë dhe individualë, shkruan gazeta KOHA.
Dhuna, nga ana tjetër, është pasojë për vdekjen dhe plagosjen, cenon mirëqenien e grave dhe shkatërron dinjitetin dhe vetëvlerësimin e tyre.
Të dhënat paraprake nga Ministria për Punë të Brendshme (MPB) në Maqedoni gjatë periudhës janar deri në qershor të vitit 2018, numri i përgjithshëm i viktimave të dhunës në familje është 459, nga të cilat 364 janë gra dhe 95 janë burra. Gjatë të njëjtës periudhë, në dhunën familjare u regjistruan dy vrasje, në të cilat burri vret gruan. Rastet e tilla janë të shumta si në Maqedoni por edhe në shtetet fqinjë ndërsa nga MPB e Maqedonisë nuk shpjeguan se cilat janë arsyet.
Numri më i madh i veprave të dhunës në familje në këtë periudhë u regjistruan në rajonin e Sektorit për Punë të Brendshme Manastir, pastaj në territorin e SPB-Shkup dhe Shtip.
PASIGURIA EKONOMIKE I BËN GRATË TË VARURA
Profesoresha Gjyla Çeliku, njëra ndër aktivistet më të zëshme për të drejtat e gruas u shpreh se dhuna dhe vrasja nuk arsyetohen por duhet dënuar pavarësisht rrethanave dhe arsyes, për këtë ekziston divorci dhe opsione tjera të marrëveshjes. Më tej ajo shtoi se dhunë nuk është vetëm abuzimi fizik por edhe ai psikik si dhe presionet të cilat shkaktohen ndaj grave si në shtëpi, pune apo institucione tjera.
“Shumë femrave ju mungon guximi dhe përkrahja qoftë edhe nga familjet e tyre, edukimi jo i mirëfilltë femrave u mësohet të heshtin për shkak rrethit, moralit dhe traditës. Duke u nisur që nga ndarja e pasurisë femrat janë të pa barabarta duke i bëra ato të nënshtrohen për shkak të pa sigurisë ekonomike sepse shumica nuk janë të arsimuara apo të punësuara. Mendimi të rritësh fëmijën pa baba është po ashtu një shkaktar i heshtjes, prandaj të denoncojmë, të mos të heshtim të përkrahim dhe mbështesim njëra tjetrën sepse të bashkuara jemi më të forta”, tha Çeliku për gazetën KOHA.
Mes të tjerash Çeliku shtoi se të kërkosh të drejtat nuk do të thotë të jesh mbi burrin por e barabartë me të, sepse këtë e kërkojnë feministet duke mos lejuar që gratë të veprojnë sipas normave të përcaktuara nga burrat sepse gruaja është qelizë e shoqërisë sepse duhet të jetë udhëheqëse si në jetën e saj por edhe në shoqëri.
KUR DHUNA E BURRIT AS QË LLOGARITET SI DHUNË!
Gazetarja e cila merret me problematikat sociale, Farije Dauti për gazetën KOHA tha se shumica e grave torturën psikike dhe fizike, nuk e llogarisin fare si dhunë, të cilin burri “ka të drejtë” ta ushtrojë mbi gruan. Ndërsa mentaliteti patriarkal nxjerr femra të vetënënshtruara duke e edukuar femrën “të heshtë” edhe kur ka të drejtë dhe kjo e bën atë të vetënënshtruar ndaj dhunës, prandaj edhe nuk i denoncojnë këto raste.
“Femra që e denoncojnë dhunën nuk është se kanë ndonjë mbështetje institucionale. për këtë arsye ato i drejtohen njerëzve human, personalisht kam takuar gra të dhunuara të cilat kanë braktisur shtëpinë dhe kanë ngelur rrugëve, si gazetare jam munduar ta sensibilizoj opinionin duke publikuar rastet të ndryshme. Dhjetëra raste të denoncuara në polici vetëm figurojnë, ndërsa gjendja e tyre vazhdon të mbetët e njëjtë, të detyruara të dalin nëpër TV për të kërkuar ndihmë sepse ky shtet nuk i jep asnjë siguri femrës”, tha Dauti. Në një studim të bërë nga UNICEF në Shqipëri dhuna në familje reflekton thellë tek fëmijët dhe tek ata shfaqen probleme të sjelljes emocionale dhe somatike. Shifra alarmante janë shënuar edhe në Kosovë ku për 6 muaj janë paraqitur 628 raste të dhunës ndaj grave.
Femrat në mungesë të kushteve, është e detyruar ti nënshtrohet çdo lloj torture sepse nuk ka alternative tjetër pos të mbetet rrugëve në mungesë të mbështetjes institucionale. Aktivistet dhe Shoqatat e ndryshme për gra apelojnë deri tek institucionet e rendit dhe ligjit, që të trajtojnë seriozisht të gjitha rastet e dhunës ndaj grave. (koha.mk)