Ushtritë e vendeve evropiane nuk është se janë angazhuar aktualisht në misione të mëdha paqeruajtëse, sikur gjatë fillimviteve 2000 kur kishin misione në Ballkan dhe Afganistan. Dhe pandemia e koronavirusit mund të ndikojë për të rimenduar urtësinë e mbajtjes së një numri sa më të ulët pjesëtarësh të gatshëm të ushtrive
Në vitin 2020, në komunën e vogël berlineze “Friedrichshain-Kreuzberg”, e njohur më shumë për qejfin e madh për grupet anarkiste dhe jetën e natës, po kalonte nëpër njëfarë krize politike. Asamblistët nga partia konservative e kancelares Angela Merkel, CDU, donin të nxirrnin ushtrinë në rrugë për të administruar testet e koronavirusit dhe për të ndihmuar përcjelljen e kontakteve të të prekurve me COVID-19, por nuk ia dolën ta çonin deri në fund për shkak se nuk kishin mbështetjen e asamblistëve të partive të majta që kanë shumicën në kuvend. Majtistët nuk mund ta merrnin me mend shfaqjen e ushtarëve të uniformuar në ndërtesat komunale, shkruan revista britanike “New Statesman” në një analizë ku tematizohet mundësia e nxjerrjes së ushtrive të vendeve të Evropës për të përshpejtuar fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit.
FRIKA GJERMANE
Episodi gjerman spikat sikletin e madh të kudondodhur brenda kulturës politike të Evropës lidhur me nxjerrjen e simboleve të shtrëngimit e detyrimit shtetëror, sidomos raportin me ushtritë kombëtare. Shumëkush mendon se ushtritë do të mund të ishin fort të dobishme në kohën kur shumica e vendeve evropiane kanë nisur vaksinimin me llojet e ndryshme të vaksinave kundër COVID-19. Ushtritë dihet mirëfilli se kanë pajisje dhe trajnime të nevojshme profesionale për të ndërmarrë aksione të gjera. Dhe forcat ushtarake do të mund të ndihmonin për administrimin e fushatës së vaksinimit, duke krijuar qendra të mëdha vaksinimi, me stadiumet e futbollit që do të mund të përdoreshin për vaksinim masiv. Sigurisht se në periudhën e pastajme këtë proces do ta kryenin mekanizmat dhe agjencitë shëndetësore civile.
KAPACITETE TË KUFIZUARA
Ka pak organizata të afta në secilin vend që kanë kapacitet për të mobilizuar projekte të ndërlikuara logjistike të përmasave të mëdha, sikur mund ta bëjnë ushtritë, ka deklaruar Jamie Shea, ish-zyrtar i lartë i NATO-s. Ai ka deklaruar për revistën britanike se ushtritë evropiane kanë shënuar viteve të fundit ngritje përvoje në fusha të menaxhimit të situatave të brendshme. Ta zëmë, gjatë sulmeve terroriste që goditën viteve të fundit Francën, ushtria franceze është nxjerrë në patrullime rrugore me qëllim që të parandalonte sulmet e mundshme.
Ngjashëm veproi edhe Belgjika, kryeqyteti i së cilës u sulmua disa herë prej terroristëve që thirreshin në emër të mbrojtjes së islamit. Por Franca nxori ushtrinë në kufi me Britaninë edhe në fund të vitit të kaluar, kur Parisi zyrtar ia mbylli Britanisë së Madhe kufirin për shkak të variantit të ri të koronavirusit të detektuar së pari në shtetin ishullor. Por qeveritë evropiane po përballen me presion të madh si të menaxhojnë më mirë vaksinimin masiv, duke pasur parasysh shqetësimet në ngritje për javët e ardhshme kur pritet të ketë ngritje të rasteve me koronavirus. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka paralajmëruar të dielën se “fazë e vështirë” disajavëshe e pret Gjermaninë për shkak të shifrave të larta të rasteve me COVID-19.
SHERRI I SHKURTIMEVE
Por me Evropën që hoqi dorë prej një hiseje të përgjegjësisë së sigurisë së saj për shkak të ombrellës ushtarake amerikane të mbrojtjes në Evropë, por edhe për shkak të shkurtimeve ushtarake pas përfundimit të Luftës së Ftohtë me rënien e bllokut komunist, Evropa tani përballet me kapacitete të kufizuara ushtarake krahasuar me nevojat për vaksinim masiv të popullsive. Madje disa prej tyre nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm as për të ndihmuar vaksinimin, që është një prej detyrave kritike kombëtare të shteteve, pa e cenuar sigurinë kombëtare, vlerëson Jack Watlling, hulumtues në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, grup i pavarur mendimi me seli në Londër.
Por nxjerrja e ushtrisë përbën sfidë të veçantë për Mbretërinë e Bashkuar, ushtria e së cilës tani është më e vogla në numër prej kohës së Luftërave Napoleonike, e përbërë prej tetëdhjetë mijë pjesëtarësh. Dhe si rezultat i shkurtimeve buxhetore, është tkurrur edhe për një të pestën e saj prej vitit 2012. “Nëse do të angazhoheshin edhe rezervistët, do të ngrihej kapaciteti, por me koston e largimit të njerëzve nga vendet e tyre civile të punës, e që janë profesione të nevojshme në luftën kundër koronavirusit”, ka deklaruar Walting.
“USHTRIA” E VAKSINUESVE
Por vendet me numër të lartë ushtarësh, si Gjermania, Italia e Greqia mund të ofrojnë shkathtësitë e tyre për nevoja të veçanta, përfshirë edhe vaksinimet. Bundeswehri, apo ushtria e Gjermanisë, ka angazhuar 20 mijë pjesëtarë për të ndihmuar vaksinimin në mbarë vendin. Ky është aksioni më i madh i nxjerrjes së ushtrisë për nevoja të brendshme në njëzet vjetët e fundit. Zvicra, një prej vendeve të pakta që ende e ka të detyruar shërbimin ushtarak, disa kantone janë kapur në konflikt me qeverinë federale pas kërkesave që trupat të administrojnë vaksinimet.
Ushtritë e vendeve evropiane nuk është se janë angazhuar aktualisht në misione të mëdha paqeruajtëse, sikur gjatë fillimviteve 2000 kur kishin misione në Ballkan dhe Afganistan. Dhe pandemia e koronavirusit mund të ndikojë për të rimenduar urtësinë e mbajtjes së një numri sa më të ulët pjesëtarësh të gatshëm të ushtrive. “Një prej sfidave në të ardhmen, në krejt ushtritë e NATO-s , do të jetë arritja e baraspeshës më të mirë ndërmjet (personelit) të teknologjisë së ulët dhe të teknologjisë së lartë”, ka deklaruar Shea, zëdhënës i NATO-s gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999. “Mund të jetë e nevojshme të shkojmë në Afganistan nesër përsëri, por mund të jetë e nevojshme që të jemi të vëmendshëm se do të zhytemi në detyra ushtarake të brendshme, duke u marrë me tronditje që po shpeshtohen si fatkeqësitë të lidhura me ndryshimin klimatik”, ka thënë Shea.