Shengeni Ballkanik do të thotë, meqë përmendet ky term, të marrish makinën të futesh në Kosovë e të mbërrish në Tiranë, pa të ndalë asnjë polic e doganier. Ky është Shengeni. Asgjë më pak e asgjë më shumë. Të mund të të ndalojnë veç policët, por sepse i ke dhënë makinës shumë shpejt se të ka rrëmbyer ndenja e lirisë
Nga Nazim RASHIDI
Kufijtë. I urrej. Më gjallin një ndjesi të tmerrshme ankthi dhe më kujtojnë pamundësinë. Më kujtojnë një gjendje të rëndë mungese shprese. Më kujtojnë ndarjen. Më kujtojnë gjyshen e cila vuante sepse nga Struga nuk shkonte dot në Pogradec për të parë prindërit dhe gjithë motrat e vëllezërit. Më kujtojnë mallin e saj, dhimbjen. Përherë më kujtojnë familjen time e cila gjysmë shekulli nuk u takua. Mbase se i përkas një brezi që mban mend vendosjen e kufijve, radhëve në kufi, radhëve për viza, që disi edhe e determinoi edhe orientimin politik, për të qenë i hapur, i lirë. Ku edhe esenca e evropianizimit lidhet në mua e që ka të bëjë me qarkullimin e lirë të mallrave, por mbi të gjitha të ideve, pa të cilat s’ka asnjë zhvillim pastaj.
Unë jam lindur në ish Jugosllavi. Në kohën e adoleshencës time të vonë, filluan luftërat në Ballkan. Bashkë me të rriturit mbanim sytë nga televizori ku shikonim sulmet në Lubjanë, e më pas lufta në Kroaci. Ishte kjo periudha, ku Jugosllavia ende ekzistonte dhe nga e cila, i vetmi “përfitim” si shqiptar në atë kohë, ishte mundësia e udhëtimit. Si shumë vetë, për të evituar mundësinë që të të detyrojnë të shkosh të bësh luftëra të të tjerëve, shkova në Gjermani. Atje qëndrova disa muaj. E përshkruaj këtë episod të jetës, sepse ka të bëjë me kufijtë.
Atje në një prej ditëve, me familjarët vendosëm të udhëtojmë drejt Belgjikës. E mbaj mend shumë mirë, se kur arritëm në kufi, në fakt ai nuk ekzistonte. Vini re, ishte viti 1990. Familjari më tha, kjo është e zakonshme, sepse mes vendeve në Perëndim, kufijtë thuajse nuk ekzistojnë. E vërteta ishte se aty ishin pikat kufitare, edhe policët edhe doganierët. Por askush nuk evidentonte hyrjet e daljet. Ishte një përplasje realitetesh për mua, edhe pse i ri në moshë, e ende s’mundesha të sintetizoj politikisht rrethanat, por në një pjesë të Evropës, viheshin kufij, e kalimi i kufijve ishte gati rrezik, e në një tjetër kishte liri qarkullimi.
Shengeni as që njihej në masë, as që ishte çështje diskutimi, as që bëhej fjalë për koncepte të BE-së siç i njohim sot. Mundësia ime për të lëvizur lirshëm mes Gjermanisë e Belgjikës ishte sepse ato ishin pjesë e traktatit të Shengenit, të firmosur më 1985 e që përfshinte pesë vende, përveç Gjermanisë që atëherë ishte e pa bashkuar, dhe Belgjikën gjithashtu edhe Francën, Holandën dhe Luksemburgun. Ishte një traktat që kufijtë ku puqeshin vendet në masë të madhe hiqeshin. Ishte ky realitet, që kishte ardhur si pasojë e zhvillimit dhe nevojës së njerëzve që më pas çuan tek konceptet e Evropës të bashkuar dhe qarkullimit të lirë mes vendeve dhe njerëzve brenda BE-së.
Pra e pashë dhe vetë, por ideja e atij Shengenit fillestar ishte që mos ndalosh fare në kufi. Të lëvizësh lirshëm e të ecësh. Sigurisht autoritet nëse donin kishin mundësi të të ndalojnë, por kufijtë thuajse nuk ekzistonin. Pas disa muajsh u riktheva në Ballkan. Era e luftërave ishte shumë prezente. Kufij të rinj ishin vënë, madje ruheshin me tyta pushkësh e mitralozash. Ishte viti 1993 kur shkova në Shqipëri për të filluar studimet. Kalimi i kufirit ishte ndjesia më poshtëruese. Policët, atëherë veç maqedonas, të merrnin në pyetje sikur të ishe krimineli më i madh. Kjo ndodhte përherë. Sa herë hyje e dilje. Ndjenjë e poshtër. Më kujtohet mirë, kur policët na detyronin të heqim nga çantat të gjitha teshat, që kryesisht ishin të palara, sepse ktheheshim nëpër shtëpi. Më kujtohet episodi kur njëri nga ne ia hodhi në këmbë policit me nerva, të gjitha pantallonat, bluzat, brekët, çorapet. Kalimi i kufirit ishte ankth, sepse për herë pyetja ishte, se çfarë libra fusim në Maqedoni, çfarë lexojmë…
Më vonë, kur fillova punë si gazetar, më duhej shpesh të marr viza. Radhët, tensionet, mërzia para ambasadave përherë më kujtonte atë ndjesinë e keqe të kufijve. Pastaj sërish kur hyje në vendet e destinacionit, sërish në radhë të veçantë, e pyetje e interrogime.
I urrej kufijtë. Sot jemi në një moment tjetër. Kemi mundësinë e udhëtimeve pa viza në zonën Shengen, me letra njoftimi mes vendeve fqinje. Pa diskutim procedurat e lehtësuara. Dhe prej disa javësh u hodh ideja e “mini Shengenit ballkanik”. Wow, thashë, një nismë që duhej të ndërmerrej me kohë. Se vërtet për mua janë një lodhje dhe mërzitje ndalesat në kufi, kontrolli i letërnjoftimit, kontrolli i doganës. OK, mendon. Se edhe Ballkani do kalojë nëpërmjet fazës së pajtimit. E kemi dëgjuar më me mijëra herë, e bënë Franca e Gjermania, madje veç se ishin ato vende, ideja e Shengenit mori jetë. Pra mund të bëhet dhe këtu. Por, prit… propozohet udhëtim me letër njoftimi? Pra ku do ketë prapë kontrolle e ndalesa.
Dakord, mbase më e thjeshtë se s’ke pasaportë e s’do marrish vula, por letër njoftimet me teknologjinë që kanë, mbajnë të njëjtat të dhëna si pasaportat. “Mini Shengeni”, pra quhet i tillë, por pa esencën e tij: Heqjen e kufijve. Zhdukjen e tyre. Nuk dua t’i hy shumë analizës se çfarë përfaqëson ajo, nëse pjesë e saj nuk është Kosova, apo dhe vendet e tjera që e morën me rezerve. Sepse pa to, s’ka Ballkan. As nuk do merrem shumë me elementet ekonomik, ku kamionët do paskan linja të veçanta.
Për mua, si një nga ai brez që urren kufijtë, Shengeni Ballkanik do të thotë, meqë përmendet ky term, të marrish makinën të futesh në Kosovë e të mbërrish në Tiranë, pa të ndalë asnjë polic e doganier. Ky është Shengeni. Asgjë më pak e asgjë më shumë. Të mund të të ndalojnë veç policët, por sepse i ke dhënë makinës shumë shpejt se të ka rrëmbyer ndenja e lirisë. Ajo ndjenjë aq esenciale për mua. Shengen Ballkanik do të thotë, kur një francez të hyjë në Maqedoni, asnjë mos ta kontrollojë deri sa të dalë Mal të zi. Pra një hapësirë e lirë mes nesh.
Por, asnjë nuk flet për këtë. Ajo për çka flitet, është lehtësira teknike udhëtimi. Por kjo se mban dot emrin “Shengen Ballkanik” as mini e as maksi. Nëse duam të kopjojmë BE-në, atëherë duhet parë Traktati i Amsterdamit, i cili është ligj në vendet e BE-së (veç Irlandës dhe Britanisë së Madhe) që janë pjesë e gjithë zonës Shengen, madje pjesë e saj janë edhe disa vende që s’janë në BE, si Zvicra.
Këto vende janë të detyruara të respektojnë lëvizjen e lirë, sigurisht edhe të përmbushin kërkesat teknike që ky nismë të funksionojë.
Por, e bën dot Ballkani këtë? Dyshoj.
Sepse që në fillim ka mosbesim të madh. E mosbesimi do reflektohet që nga çështjet e sigurisë e deri tek raportet mes shteteve. Por ja unë propozoj që këtë “mini shengen” ta fillojnë një herë Maqedonia dhe Shqipëria, si dy vende anëtare të NATO-s. (Maqedonia pritet së shpejti të jetë pjesë) Ku rreziqe sigurie në integrimin e sistemeve s’do duhet të ketë. Nëse Shengenit evropian i paraprinë pesë vende, atij ballkanik le t’i paraprijnë dy vende. Le të shembin paragjykimet. E bëjnë dot? Prapë e dyshoj. Se as që është përmend si opsion.
Prandaj, lehtësimet në udhëtime, që janë të mirëseardhura, s’duhen quajtur ajo çka s’janë. Kufijtë, sidomos ato mes nesh, na kanë lodhur. Dhe deri s’ka heqje kufijsh, ajo “Shengen” nuk është. Dhe sigurisht, sigurisht, sigurisht. Asnjë nismë e tillë, nuk do duhej të zëvendësojë Shengenin e madh. Prandaj, mjafton të jemi pjesë kuptimplotë e tij, dhe çdo gjë mbaron.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)