Mbappe ka shkëlqyer në fitoren 3-1 të PSG-së ndaj Monacos, duke shënuar tre herë për të shkuar në 30 finalizime në edicionin 2018/19. Sulmuesi i talentuar, 20-vjeçari, Kylian Mbappe, ka realizuar het-trikun e pestë në karrierë me klube, pasi shënoi tre gola në fitoren 3-1 të Paris Saint Germain kundër Monacos, në minutat 15’, 38’ dhe 55’, raporton Gazeta Express, përcjell gazeta Koha.
Kështu, Mbappe ka shkuar në kuotën e 30 golave deri më tani në Ligue 1, në vetëm 27 paraqitje. Ai është bërë vetëm futbollisti i katërt që në një moshë kaq të re, kap këtë shifër të golave në Ligë në një sezon, dhe i pari në histori të Francës. Këtë e kishin bërë më parë Ronaldo Fenomeni, Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo.
Në fakt, duke i renditur sipas moshës, Mbappe lë prapa Messin dhe Ronaldon, para tij qëndron vetëm Ronaldo Fenomeni. Hera e parë kur legjenda e Brazilit i ka shënuar 30 gola në Ligë ka qenë sezoni 1994/95 me PSV-në si 17-vjeçar dhe mban rekordin si lojtari më i ri që e ka arritur këtë.
I dyti tani renditet Mbappe si 20-vjeçar, por duke llogaritur me startin e sezonit – Mbappes mund t’i njihet ky rekord si 19-vjeçar. Ndërsa pas tyre janë Messi dhe Cristiano. Argjentinasi dhe portugezi për herë të parë 30 gola në Ligë i kanë shënuar në moshën 22-vjeare.