Zejnulla VESELI
Shkup, 25 prill – Gjatë periudhës së ardhshme në tryezat e qytetarëve do të këtë gjithnjë e më pak ushqim, subvencione s’do të ketë, ndërsa nuk do të paguhen në kohë ndihmat sociale, rrogat dhe pensionet. E gjithë kjo, sipas ekspertëve ekonomik, është si pasojë e mosformimit të qeverisë së re, e cila dukshëm ka filluar të ndikojë negativisht edhe në mbarëvajtjen e buxhetit të këtij viti, shkruan gazeta KOHA. Sipas Petar Goshevit, ish guvernator i Bankës Popullore të Maqedonisë, shteti nuk mund të vazhdon me realizimin e planifikuar të buxhetit, për shkak se tani më nuk mund të merë kredi të reja nga institucionet e jashtme financiare dhe se pjesën më të madhe të këtyre parave të huazuara i ka shndërruar në kapital të vdekur, në vend që paratë e huazuara t’i kthen në kapital prodhues. “Në buxhet nuk ka para të mjaftueshme prandaj dhe nuk ka pagesa të subvencioneve. Nëse në afat sa më të shkurtër nuk formohet qeveria e re gjatë periudhës së ardhshme dhe nuk bëhet rishikim buxheti, do të kemi mungesë të parave jo vetëm për pagesë të subvencioneve, por nuk do të ketë as para për funksionimin e shumë institucioneve shtetërore. Pra, do të kemi më pak të hyra në buxhet që mund të sjell në rrezik shumë funksione vitale të shoqërisë”, thotë Goshev. Nëse ky trend vazhdon dhe nuk lejohet formimi i qeverisë në bazë të shumicës parlamentare, nuk është rëndë të prognozohet se të hyrat në buxhet, si tatimet dhe kontributet do të jenë edhe më të ulëta dhe kjo do të rezulton me vonesë të subvencioneve, mos pagesë të rrogave, pensioneve dhe ndihmave sociale. “Të gjitha të dhënat zyrtare statistikore tregojnë se indeksi i konsumit sa vjen dhe ulët, duke tejkaluar çdo parashikueshmëri të një shporte bazë jetike, kurse tregtia është në rënie, deficiti tregtar gjithmonë negativ, niveli i aktiviteteve të bizneseve është ulur nga viti 2016, si dhe është rritur numri i bizneseve të mbyllura. Atëherë kur kemi një situatë të këtillë është më se e domosdoshme të bëhet rishikim i buxhetit . Prandaj nëse së shpejti nuk kemi formim të qeverisë së re, parlament të ri dhe nuk merren hua të reja Maqedonisë po i kanoset një dramë e vërtetë pra vendi po shkon drejt falimentimit”, thotë për KOHA, Petar Goshev, ish guvernator i Bankës popullore të Maqedonisë. Ndërkaq, Kire Naumov, ish ministër plotësues i Financave shprehet se çdo vonesë e formimit të qeverisë jo vetëm që pengon zhvillimin ekonomik të vendit, por negativisht po ndikon në realizimin e të hyrave tatimore dhe kontributeve në buxhet. “Formim i qeverisë do të thotë dalje e shpejtë nga kriza politike dhe të zvogëlohen dëmet që po i bëhen shtetit. Në një situatë kur në shtet nuk funksionon asgjë, nuk mund të presësh të ketë zhvillim ekonomik, rritje të eksportit apo investime të reja. Kjo situatë ka bërë që në buxhet të kemi të hyra shumë më pak se sa planifikoheshin për tre mujorin e parë të këtij viti. Nëse kriza politike vazhdon, atëherë në buxhet do të ketë gjithnjë e më pak para dhe të rezulton më mos pagesë të rrogave, pensioneve dhe ndihmave sociale. Shpëtimi i vetëm është rishikimi i buxhetit. Për momentin është e pamundur të bëhet rishikim, sepse s’kemi qeveri dhe as parlament, pra duhet sa më shpejtë të formohet qeveria e re dhe të planifikohet propozim rishikimi i buxhetit për vitin 2017, përndryshe vendin po shkon drejt falimentimit. Alternativë tjetër për rishikim të buxhetit s’ka, ose formim të qeverisë së re ose vendi i kanoset falimentimi”, thotë Kire Naumov, ish ministër plotësuese i Financave.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara