Institucionet lokale dhe qytetarët nuk mund të arrin “pajtim” për mirëmbajtjen e malit të Gazi Babës. Përderisa njërës palë i kujtohet të investojë kohë pas kohë, qytetari i cili vazhdimisht e viziton këtë pjesë të qytetit të Shkupit, fare pak kontribuon për ruajtjen e ambientit dhe të mirës publike
Omer XHAFERI
Shkup, 16 korrik – Parku në malin e Gazi Babës nevojitet të mirëmbahet dhe rregullohet në mënyrë të vazhdueshme. Kjo është kërkesë e banorëve dhe qytetarëve që gati për çdo ditë e vizitojnë këtë kompleks reakretivo-sportiv. Investimet dhe rregullimi i këtij mali, i cili ofron kushte tepër të volitshme për rekreacion, siç thonë banorët që jetojnë përreth tij, nuk janë bërë një kohë të gjatë, shkruan gazeta KOHA. Si pasojë e mungesës së vetëdijes qytetare dhe mungesës së riparimimit në, një pjesë ulëseve, shtigjeve për vrapim dhe veglat për fitnes janë dëmtuar.
Qytetarët që jetojnë në afërsi të Fakultetit Matematiko-Natyror në lagjen e Gazi Babës, shprehin pakënaqësi ndaj faktit se institucionet lokale – Qytetit i Shkupit dhe Komunës e Çairit, gjatë dy viteve të kaluara fare pak janë interesuar për këtë pjesë të gjelbëruara të qytetit. Ndonëse kur me Qytetin e Shkupit udhëhiqte Koce Trajanovski, u realizua ndërtimi i fushës së sportit dhe hapësirës përreth, banorët shqiptarë thonë se ai nuk arriti ta plotësoi premtimin e dhënë për ndërtimin e parkut dhe investimeve tjera.
Të vetëdijshëm se pozita e këtij kompleksi, sipas kompetencave është e ndarë në mes Qytetit të Shkupit, Komunës së Gazi Babës dhe asaj të Çairit, qytetarët njëzëri kërkojnë rritjen e kujdesit institucional ndaj kësaj pasurie natyrore. Lidhur me këtë çështje, nga Qyteti i Shkupit, thonë se ato vazhdimisht kujdesen për rregullimin dhe mirëmbajtjen e parkut në malin e Gazi Babës, me çka shtojnë se deri në fund të vitit pritet të përgatitet plani gjithëpërfshirës për menaxhimin afatgjatë të aktiviteteve që realizohen në këtë pjesë të qytetit.
“Mirëmbajtja e pajisjeve dhe veglave të vendosura është paraparë me Programin e vitit 2018, i miratuar nga Këshilli dhe i dhënë për realizimin NP ‘Parqe dhe Gjelbërime’. Për rinovimin e pajisjeve ekzistuese dhe hapësirë së gjelbër, po ashtu janë paraparë një milion denarë, të cilat në muajt në vazhdim do të investohen në terren”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Padyshim se barra më e madhe për plotësimin e nevojave të qytetarëve bien mbi Komunën e Çairit, për të cilën banorët shprehen se deri më tash, nuk ka reaguar ndaj kërkesave dhe problemeve të tyre. Uzurpimi i hapësirës publike dhe dëmtimi i shtyllave të futbollit dhe të basketbollit paraqesin njërën prej brengave të banorëve të kësaj ane.
Autoritet e Çairit nuk i mohojnë vërejtjet dhe kritikat e qytetarëve, por njoftojnë se gjatë kësaj periudhe po ndërmerren masat e nevojshme për realizimin e shumë aksioneve përgjatë territorit të saj e që kanë të bëjnë kryesisht me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, krijimin e infrastrukturës adekuate sportive, mirëmbajtjen e nivelit të pastërtisë publike dhe lirimin e hapësirave të uzurpuara.
“Duke e pasur parasysh këtë dinamikë pune, kuptohet se pjesë e planit operativ të funksionimit është edhe riparimi i zonës rekreativo-sportive në parkun e malit Gazi Babë. Në rrjedhë e sipër është përgatitja e procedurës ligjore për ulëset dhe shportat për mbeturina, e publikuar në Sistemin Elektronik për Furnizime Publike dhe me përfundimin e saj, ndër lokacionet prioritet ku do të vendosen të njëjtat, është edhe zona në fjalë. Për dinamikën e punës, kohën dhe detajet e realizimit të punimeve, opinionin do ta informojmë me kohë”, thonë nga Komuna e Çairit.
Ndryshe, në malin e Gazi Babës, krahas aktiviteteve individuale, shumë klube lokale të çiklistëve, futbollit dhe mundjes i shfrytëzojnë për përgatitjet e tyre fizike. Viteve të fundit janë realizuar edhe gara në çiklizëm. (koha.mk)