Në mungesë të oftalmologëve në shëndetin publik, shumica e qytetarëve detyrohen që kontrollet ti realizojnë në klinikat private. Autoritet shtetërore nuk e mohojnë faktin se ka mungesë të doktorëve për sy dhe premtojnë se do të ndërmarrin masa për zgjidhjen e këtij problemi
Omer XHAFERI
Shkup, 30 gusht – Për më tepër se 300 mijë banorë, aq sa mendohet se jetojnë në anën e majtë të lumit Vardar, në shëndetin publik punon dhe vepron vetëm një oftalmolog (doktor i syve). I njëjti është i pozicionuar në poliklinikën e Bit Pazarit, dhe nëse dikush tenton të caktoj termin për kontroll, atëherë duhet të pres minimum gjashtë muaj. Në mungesë të shërbimeve efektive dhe në kohë, banorët e Çairit, Butelit, Shuto Orizares dhe më gjerë për ndonjë kontroll rutinor, apo urgjent në masë të madhe ju drejtohen optikëve private. Përderisa çmimi i një kontrolli në poliklinikat publik kushton deri në 200 denarë, një shërbim i tillë në optikët private fillon nga 1000 denarë me përpjetë.
Megjithatë, një situatë më e mirë nuk është as në anën tjetër të Vardarit, ku për një kohë të gjatë punojnë 3 apo 4 oftalmolog. Njohësit e rrethanave në shëndetësi, thonë se kjo situatë është krijuar nga politikat e mbrapshta të institucioneve shtetërore. “Oftalmologët e rinj, të diplomuar në vendin tonë nuk dëshirojnë të dëgjojnë të punojnë në shëndetin publik. Arsyet janë të ndryshme. Andaj shumica drejtohen për në optikët private. Meritat kryesore për këtë gjendje i shkojnë Ministrisë së Shëndetësisë. Pacientët që na drejtohen neve ne mundohemi t’i adresojmë në poliklinikat tjera publike në Shkup, por kot edhe atje situatë është e ngjashme si te ne”, thotë një mjeke nga poliklinika e Bit Pazarit. Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Shkup, Besim Koka, e pranon se poliklinikat në kryeqytet ballafaqohen me mungesë të oftalmologëve. Por, shton se ato janë duke punuar në zgjidhjen e këtij problemi.
“Një prej oftalmologëve doli në pension, tash çka është më e keqka edhe tjera pritet të del në pension. Gjithandej nëpër Shkup poliklinikat për oftalmologët punojnë në një ndërrim. Jemi në procedurë të zgjidhjes së këtij problemi. Dy oftalmologë janë në specializim dhe presim që brenda këtij viti të përfundojnë. Ndërkohë, jemi në diskutim e sipër edhe me Klinikën e Oftalmologjisë që një pjesë e mjekeve nga kjo klinikë të na dalin në ndihmë, respektivisht ata të bëjnë ambulancën te ne”, thotë Koka. Ndryshe, mungesë e kuadrit mjekësor vërehet edhe në dispanzerët tjerë në poliklinikat e Shkupit. Siç mëson gazeta KOHA, një situatë fare më e mirë nuk është as me mjekët amë, numri i të cilëve vit pas viti zvogëlohet. Ikja e të rinjve nga vendi pa dyshim se ka përfshirë edhe largim e një numri bukur të madh të stafit mjekësor. Këtu hyjnë edhe oftalmologët, të cilët vazhdimisht vendosin të largohen nga Maqedonia e Veriut, në kërkim të kushteve më të mira të punës.