Laura PAPRANIKU
Shkup, 17 tetor – Procesi mësimor gjatë dy dekadave të fundit është zhveshur thuajse tërësisht nga mekanizmi i kontrollit profesional, si në kontekst të zbatimit të programeve mësimore, ashtu edhe të zhvillimit profesional të mësimdhënësve, shkruan gazeta KOHA. Pasojat janë më se evidente, me gjasë për keqësimin edhe më tepër të situatës nëse marrin parasysh ndikimin e zhvillimeve teknologjike në sistemin arsimor. Madje, Byroja për Zhvillimin e Arsimit, e cila është përgjegjëse për standardin edhe cilësinë e mësimdhënies dhe mësim nxënies nuk ka arritur as të konsolidojë radhët e veta me këshilltarë për zhvillimin e përmbajtjeve digjitale, për zhvillimin e kurseve on-line, për administrim e këtyre kurseve apo edhe këshilltarë për çështje të informimit. Në të katër këta profile BZHA nuk ka të punësuar as edhe një këshilltar, edhe pse vendet e tilla të punës qëndrojnë në skemën e të punësuarve të këtij institucioni.
Ditë më parë, ishte edhe vetë drejtori i BZHA-së, Rizvan Bela, i cili konfirmoi mungesën e madhe të punonjësve profesional që në opinion njihen si këshilltarë pedagogjik. Por, përveç këshilltarëve të atyre katër profileve të përmendura më lartë dhe për të cilët nuk është siguruar asnjëherë deri tani një punonjës përkatës, janë edhe shumë pozicione të tjera të cilat figurojë me zero të punësuar. Konkretisht, me asnjë këshilltar janë 24 pozita, prej të cilëve tetë në Sektorin për zhvillim të sistemit edukativ-arsimor si dhe për zhvillim të standardit, planeve dhe programeve mësimore, dy në Sektorin për zhvillim profesional të kuadrit dhe dhënie të këshillimeve profesionale, katër në Sektorin e botimeve, pesë në Sektorin e evoluimit dhe arritjeve të nxënësve, një në Sektorin e logjistikës dhe katër në Sektorin e çështjeve financiare. Në të gjitha këta sektorë nevojat për angazhimin e punonjësve profesional janë shumë më të mëdha se plotësimi i atyre vendeve të punës me vetëm një këshilltarë, sidomos në sektorët e zhvillimit të programeve mësimore dhe të zhvillimit profesional të kuadrit, pasi bëhet fjalë për profile profesionistësh të cilët duhet të operojnë në terren, gjegjësisht nëpër shkolla. Pra, duhet të ndjekin nga afër mënyrën e realizimit të programeve mësimorë për lëndë të caktuara apo t’u vijnë në ndihmë mësimdhënësve me këshillime për metodat që duhet ndjekur në zbatimin e atyre plan programeve mësimore. Për shembull, për lëndën e historisë nuk ka se si të mjafton vetëm një këshilltarë shqiptarë i kësaj lënde për arsimin fillor, gjimnaz dhe të mesëm profesional. Nevojiten të paktën tre të tillë në nivel shteti. Ndërkaq, sa i përket kësaj lënde, në gjuhën shqipe, është vetëm një këshilltarë.
“Kjo është jashtëzakonisht pak. Sepse një këshilltar i vetëm nuk ka mundësi as fizikisht të mbulojë të gjitha shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe”, thotë për KOHA Naser Miftari, profesor i historisë në Gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup. Nisur nga kjo, jo vetëm për lëndën e historisë, por për asnjë lëndë një këshilltarë as mund të vjen në shprehje për të kryer punën e tij profesionale. “Është çështje tjetër, nëse mësimdhënësit tregohen këmbëngulës dhe përpiqen të gjejnë cilëndo formë për të kërkuar një ndihmë pedagogjike nga këshilltari i lëndës së tij. Kjo, në fakt është edhe mënyra më e shpeshtë e veprimit të deritanishëm”, shpjegon Mifatri. Ajo që duhet bërë, sipas tij, është rregullimi sistemor këtij problemi. Pra, shtimi këshilltarëve pedagogjik për të gjitha lëndët, me qëllim që edhe ata të kenë mundësinë qoftë fizike qoftë profesionale për të qenë vazhdimisht prezent nëpër shkolla, plotëson Miftari.
Me nga një apo maksimumi dy këshilltarë, janë pjesa më e madhe e lëndëve mësimore në gjuhën shqipe. Por, ka edhe më keq. E, këto janë lëndët pa asnjë këshilltarë në nivel shteti. Nga BZHA bëjnë të ditur se në këtë kategori janë lëndët: gjuhë maqedonase për nxënësit shqiptarë në arsimin fillor, gjimnaz dhe të mesëm profesional, gjuhë shqipe për arsimin fillor, gjimnaz dhe profesional, gjuhë rusishte, gjuhë klasike, gjeografi dhe informatikë. Nuk ka asnjë këshilltarë as në arsimin parashkollor për nxënësit maqedonas. Nisur nga mungesat e shumta, Bela, drejtor i BZHA-së, paralajmëroi punësime të reja, sidomos këshilltarësh pedagogjik për vitin 2018.
Për nevojat në përgjithësi të zhvillimit profesional, sipas tij, duhen 60 punësime dhe prioritet do të kenë punonjësit profesional për lëndët në gjuhën shqipe, të cilat aktualisht janë më pak të mbuluara me këshilltarë. Por, mbetet të pritet vendimi i Ministrisë së Financave, pasi nuk mund të realizohet asnjë punësim nëse paraprakisht nuk lejohet hapja e vendit të punës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.