Vetëm një episod

69

Pse njerëzit në Ballkan nuk i besojnë ndryshimit në politikë? Pse kur nis një sezon i ri politik, ngjanë me serialet dramatike dhe ndonjëherë ngjanë sikur për pak u arrit diçka dhe njerëzit relaksohen, por në fund ngelet një mister që në episodin e ardhshëm e ndryshon situatën?

Nga Idro SEFERI

Skenarët filmik do ti përngjanin shumë një seriali ta zëmë të platformës online “Netflix”. Skenarët e politikës në Ballkan marrin zhvillime të reja. Mund të kenë vazhdime me sezone të pafundme. Ekranizimi i një situate në Ballkan dikur mbase mund të ishte i tillë, me shumë narracione që në mes marrin një zhvillim të papritur intrigash, drame, romance, aventure me elemente të fantashkencës që do të sjellin një fund të papritur. Në një përshkrim të shkurtër filmash, jeta politike në Ballkan mund të përshkruhej si një inovacion i ri i kinematografisë ku ngërthehen shumica e zhanreve. Shembull “Netflixi”, ka vendosur edhe opsione të përfundimit të filmave ose serialeve ashtu siç mendojnë shikuesit, pra duke filmuar disa versione të fundit të serialit ose filmit dhe i ofron shikuesit të marrë pjesë në regji duke zgjedhur shembull me pyetjet për protagonistët kryesore nëse fundi duhet të jetë i lumtur ose tragjik: të vdes apo të shpëtoj. Mund të zgjedhësh nëse protagonist vdes do ta ketë versionin e vet se si është zhvilluar ose ta zgjedhësh të jetoj.

Kështu disi besoj shumë ballkanasve u duket se zhvillohet gjithçka, me opsione, përveç se shikuesit shumë herë nuk mund të zgjedhin versionet përfundimtare, por i zgjedh dikush për ta. Shikuesit ngelen këtu vetëm me shpresa që ngjarjet e tyre favorizuese do të ndodhin ashtu siç thuhet.

Këtë në politikën në Ballkan e portretizojnë marrëdhëniet mes shtetesh, nacionalizmat, bllokimet dhe kundërshtitë pa një kuptim fare të gjendjes reale. Shembull nëse Kosova dhe Serbia, në këtë rast protagonistët e serialit Avdulla Hoti, në rolin e kryeministrit të Kosovës dhe Alleksandar Vuçiq, në cilësinë e presidentit të Serbisë, mund ta përfundonin serialin pas firmosjes së marrëveshjes me Kosovën. Por, meqë janë lënë opsione dhe marrëveshja nuk ka zgjidhur shumë, atëherë spektakli mund të vazhdoj. Kështu janë edhe disa marrëdhënie të tjera në rajon siç ishte rasti i shkëmbimit të notave diplomatike në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, apo ndeshja e futbollit në mes të Kosovës dhe Maqedonisë Veriore dhe personazheve që shkruajnë komente “një shqiptar i vdekur është shqiptar i mirë”. Këtu marrëdhëniet politike mes shteteve nuk janë stabile dhe të lëna në një linjë mes tyre, pavarësisht se ato flasin për një marrëdhënie unike në rajon siç është ideja e miniSchengenit ballkanik, e cila me sa duket është tashmë edhe një kërkesë ndërkombëtare: mbështetje nga SHBA dhe BE-ja që mbase e shohin si mundësi për të krijuar diçka derisa të mos luaj banda kryesore muzikore, diçka si një para koncert i një grupi të ri muzikorë. Procesi i integrimit është ende me vite larg, ndonëse për faktin që për disa vende kanë kaluar edhe 30 vjet tranzicion, kjo e bënë të duket si një humnerë që nuk i shihet fundi pasi hapat konkret ende mungojnë. Komisioneri i BE-së për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi, ishte në Ballkan për të dhënë shpresë dhe disi e pranoi që BE-ja ndoshta e ka parë më ndryshe për disa kohë këtë pjesë të Evropës, duke thënë se tani do të jenë këtu në një afat të gjatë dhe për të kthyer projektet në punë praktike. Raportet e BE-së për vendet e Ballkanit tregojnë kritika. Këto raporte dikur e shkundnin qeverinë e çdo shteti pasi për javë të tëra ishte dikur me rëndësi se çfarë thotë raporti i progresit. Tani ai vërtetë kalon si diçka për Mitrovicën a? Dhe, pak merret vesh se çfarë duhet bërë pasi qeveritë e relativizojnë këtë çështje duke e parë si një varg kritikash ose jo shumë objektive ose gjëra që janë të pranueshme: mirë, unë e kam fajin tha presidenti Vuçiq shembull për raportin për shtetin e tij.
Marrëveshja e Uashingtonit në mes të Kosovës dhe Serbisë ka treguar se çështja mund të zgjidhet, por njëkohësisht edhe se çështja nuk është zgjidhur. Por, ajo do të zgjidhet në mini-Schengenin e Ballkanit?

Një shembull I tillë ka funksionuar në grupin e Vishegradit në mes të atëherë Çekoslovakisë, Hungarisë dhe Polonisë në samitin e qytetit të Vishegradit në vitin 1991, për të krijuar një bashkëpunim në procesin e integrimit në BE. Nga kjo ka ngelur fondi me po këtë emër, një institucion tashmë serioz me seli në Bratisllavë. Por, a është kaq e kristalizuar ideja e bashkëpunimit në Ballkan dhe a mund të ndodh shembull që brenda këtij grupi të kemi ndërhyrje, ide të vjetra territoriale, inate politike, nota proteste diplomatike mes anëtarëve që paraqiten si kompakt në ide, tensionime, bllokim negociatash dhe të tjera. Kjo ngelet ta shohim, por duke e patur parasysh besimin që kanë qytetarët në këtë, askush nuk mund të vë bast që diçka do të ndryshoj shumë. Dhe, për të funksionuar një gjë e tillë duhet parë shumë takime e zotime, shumë gjeste të gatishmërisë, shumë ide mbi kërkimfaljet, mbi viktimat, mbi të kuptuarit e rëndësisë së bashkëpunimit, pra mbi kuptimin e realitetit. Në një situatë të tillë ta zëmë përfaqësuesit të Serbisë (Vuçiq), apo të dikujt tjetër nga Kosova do tu duhet të udhëtojnë të sigurt dhe të barabartë shembull në samitin e Prizerenit të mini-Schengenit ose të Gjakovës ta zëmë dhe të kalojnë fillimisht pa incidente dhe më pas pa ngritje tensionesh. Ndoshta miliardat e premtuara nga BE-ja dhe Amerika mund të shtyjnë përpara lëvizjen e njerëzve. Por, mbi të gjitha edhe ta lehtësojnë bashkëpunimin e ngulitur nga vet ata që duhet ta zhbllokojnë dhe tua ulin njerëzve ndjenjat e këqija. Por, duhet dorë e fortë për ta thyer një hendek kaq të fortë dhe me tonelata. Dhe, duhen mijëra fjalë politike të kundërta nga ato të tri dekadave të fundit. Por, a mund ta tejkalojmë këtë apo duhet të vazhdoj me incidente. Nëse do të përdornim logjikën e “Netflix”, do të duhej të zgjidhim vet me imagjinatë vazhdimin e serisë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Comments are closed.