Vetëm Majkëll Blumberg mund ta largojë Trumpin në nëntor!

2

Majkëll Blumberg nuk i pëlqen filmat, ndërsa mendon se bejsbolli, një nga sportet më popullore në Amerikë, është i mërzitshëm. Në një rast ka thënë se i do shumë mbrëmjet e të dielave, pasi të nesërmen i duhet që të shkojë në punë

Ngjitja e papritur e Majkëll Blumberg në sondazhe, është nxitur kryesisht nga shpenzimi i një sasie të madhe parash nga vetë biznesmeni. Ato po përdoren për të financuar fushatën elektorale, me synim prezantimin e njeriut 64 miliardë dollarësh një elektorati kombëtar, që kryesisht nuk e di sesi qeverisi ai për 12 vite rresh Bashkinë e Nju Jorkut. Po kush është Majkëll Blumberg, që shihet nga shumë analistë si i vetmi që mund të rrezikojë e fitoren e pritshme të presidentit aktual Donald Trump?

I ati i tij ishte një llogaritar në një bulmetore, dhe nuk fitonte kurrë më shumë se 6.000 dollarë në vit. E ëma e bindi avokatin e familjes irlandeze të blinte një shtëpi në periferi të Medford në Masaçusets, për t’ja shitur atë Blumbergëve. Kjo pasi agjentët e pasurive të patundshme, nuk donin t’u shisnin shtëpi hebrenjve. Majkëll ishte një bojskaut në adoleshencë. Ai shoqëronte shpesh të moshuarit në kutitë e votimit ditën e zgjedhjeve. Libri i tij më i preferuar në moshë të re ishte romani ”Xhoni Trimein” i shkrimtars Ester Forbs mbi djalin e varfër Pol Rever që bëhet spiun. Blumberg thotë se e ka lexuar atë libër “të paktën 50 herë”.

Në shkollën e mesme të Medford, ai ishte anëtar i shoqërisë debatuese. Ai shkoi një ese ku pretendonte se Frenklin Ruzvelt, i dinte paraprakisht planet e Japonisë për të sulmuar Pearl Harbour dhe e lejoi të ndodhte. Pasi ai mendonte se Lufta e Dytë Botërore do të ndodhte gjithsesi, dhe kjo do ta fuste SHBA-në në konflikt, por nga ana tjetër do ta nxirrte nga kriza ekonomike. Në universitetin Xhon Hopkins në Baltimora, ai ishte student i shkëlqyer i inxhinierisë. Në atë kohë u tregoi miqve të tij dëshirën që një ditë të bëhej presidenti i Shteteve të Bashkuara. Kur hyri në Shkollën e Biznesit në Harvard, e ëma i tha: “Mos u bëj mendjemadh!”

Për shkak të simptomës së këmbëve të sheshta, nuk u rekrutua si ushtar në Luftën e Vietnamit. Puna e tij e parë pas diplomimit në qershorin e vitit 1966 ishte në bankën “Salomon Brothers” në Ëall Street, ku merrej me letrat me vlerë, dhe fitonte 9.000 dollarë në vit. Ai mburrej se shkonte në punë që në 7 të mëngjesit, më herët se kushdo tjetër përveç menaxherit Billi Salomon, djalit të themeluesit të kompanisë. Në janarin e vitit 1976, arriti të pilotojë dhe ulë një helikopter të përfshirë nga flakët në një ishull të vogël në Konektikat. “Të gjithë pilotët mësojnë të marrin një angazhim, dhe t’i përmbahen atij, duke ndjekur manualin. Kush nuk e bën këtë, nuk mbijeton”- do të shprehej më vonë. Ai u martua po atë vit, në moshën 34-vjeçare, me vajzën e një komandanti në pension të Forcave Ajrore. Së bashku, patën 2 vajza.

Në vitin 1979, Blumberg e zhvendosi zyrën e tij në një kat tjetër, për të mbikëqyrur sistemet e informacionit. Ai i kaloi 2 vitet e ardhshme, duke mësuar më shumë rreth kompjuterave të hershëm, gjë që i vlejti më vonë për të themeluar kompaninë “Bloomberg Terminal”. Pushohet nga puna në vitin 1981, kur banka u ble nga dikush tjetër. Si partner Blumberg e pranoi vendimin, kur e kuptoi se do merrte si kompensim një shumë prej 10 milionë dollarësh. Ai i përdori ato para për të ngritur kompaninë e tij. U divorcua në vitin 1993, dhe nuk u rimartua më. Braktisi Partinë Republikane për të shkuar tek ajo Demokratike, në prag të kandidimit të tij si kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut në vitin 2001. Në fjalimin e shpalljes së kandidaturës, përdori plot 117 herë përemrin vetor “Unë”.

Në fillim të fushatës së tij të parë, një votues e pyeti Blumberg mbi përmbajtjen e Amandamentit të Dytë. “Që është….?”- ishte përgjigja e tij. Ndonëse premtoi se nuk do të shpenzonte më shumë se 30 milionë dollarë për fushatën e tij të parë për kryebashkiak, në fakt harxhoi gati 74 milionë dollarë. Ai e punësoi vajzën e tij si koordinatore të programeve në Bashkinë e Nju Jorkut. Ndërkohë, punësoi të motrën si komisionere e Komisionit të Qytetit për OKB, Përfaqësitë Konsullore dhe Protokollin. Rroga e tij dhe e familjarëve, ishte tejet simbolike, vetëm 1 dollar në vit. Në korrikun e vitit 2003, kur ish-këshilltari i bashkisë Xhejms Dejvis, u vra në sallën e mbledhjeve, Blumberg nisi të lobim për një kontroll më të rreptë mbi armët. “Unë nuk e di pse njerëzit mbajnë armë. Ato vrasin njerëz”- tha ai menjëherë pas ngjarjes. Madje që nga fillimi i mandatit të dytë, ai u ka dhuruar më shumë se 270 milionë dollarë organizatave që mbështesin lëvizjen për kontrollin e armëve në SHBA.

Në vitin 2006, pushoi nga puna një punonjës të bashkisë, pasi ai po luante në kompjuterin e tij të zyrës lojën e famshme me letra “Solitaire”. Si kryetar bashkie, ishte një mbrojtës agresiv i shëndetit publik. Ndaloi pirjen e duhanit në restorante dhe bare, dhe u përpoq të bindte njujorkezët të konsumojnë më pak kripë dhe yndyrë. Pasuria e tij ishte rreth 4 miliardë dollarë, kur mori mandatin e parë si kryetar bashkie. Dhe mbërriti në më shumë se 33 miliardë dollarë, kur u largua pas 3 mandateve. Në 2018, ai ishte miliarderi i dytë më bujar në SHBA, vetëm pas Xhef Bezos. Majkëll pretendon se deri tani ka dhuruar gati 10 miliardë dollarë. Ai ka 12 shtëpi të mëdha, përfshirë shumë prona të patundshme në Nju Jork, Londër, Bermuda dhe Florida.

Majkëll Blumberg nuk i pëlqen filmat, ndërsa mendon se bejsbolli, një nga sportet më popullore në Amerikë, është i mërzitshëm. Në një rast ka thënë se i do shumë mbrëmjet e të dielave, pasi të nesërmen i duhet që të shkojë në punë. I ati vdiq në moshën 57-vjeçare, e ëma në moshën 102-vjeçare. Vetë ai ka thënë se ai planifikon të jetojë deri në moshën 125-vjeçare. (Politico)

Comments are closed.