Në kohën kur ishte dashur të niseshin për në Kosovë, pjesëtarët e ekipit të mundjes të Kosovës u detyruan të lënë gjithçka prapa vetes në hotelin e tyre në Kahramanmarash të Turqisë, për t’i shpëtuar tërmetit të fuqishëm që goditi këtë vend.Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Mundjes të Kosovës (FMK), Genci Fazlija, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se mundësit e rinj të Kosovës dhe përfaqësuesit e Federatës janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Pak në fillim kemi qenë të traumatizuar. Tani e kemi tejkaluar pak se ka qenë tmerruese, e papërshkrueshme. Krejt objektet rreth nesh janë shkatërruar, vetëm hoteli ku ishim ne, mbeti në këmbë”, thotë Fazlija.Mbi 1.900 njerëz raportohet të kenë mbetur të vdekur në Turqi dhe Siri si pasojë e këtij tërmeti me magnitudë prej 7.8 ballësh të Rihterit, që goditi në orët e hershme të mëngjesit të së hënës zona në të dyja shtetet. Qindra persona mbeten ende të ngujuar nën rrënoja.
Fazlija thotë se mundësit e Kosovës i ndihmuan autoritetet në shpëtimin e disa personave të ngujuar, pasi kishin dalë vetë nga hoteli i tyre.“Kemi nxjerrë njerëz nga gërmadhat sa kemi mundur, derisa u lagëm krejt, sepse binte borë dhe shi. Pastaj, policia na falënderoi dhe na preferoi të largoheshim dhe u larguam”, rrëfen Fazlija.
Ekipi i mundjes i Kosovës – i udhëhequr nga trajneri Ziber Xhoni dhe mundësit Fatlum Braka, Bleonit Bytyqi dhe Egzon Xhoni – kishte udhëtuar drejt Turqisë për të marrë pjesë në turneun dyditor “12 Shkurti”, i cili është pjesë e kalendarit zyrtar të garave ndërkombëtare të mundjes.I gjithë ekipi ishte i vendosur në tri dhoma të ndryshme në hotelin e tyre në Kahramanmarash dhe Fazlija thotë se ata ishin bashkuar shpejt në korridor, pasi u zgjuan nga zhurmat e shkaktuara nga tërmeti.
“Edhe në hotelin tonë binin poçet elektrike, qeramika, knaufi… binin copa sa mundeshin. Edhe shkallëve [kur kemi dalë] ka qenë rrezik, por mirë ka kaluar gjithçka. Por, kemi qenë në rrezik… dy ndërtesa 20-katëshe u rrëzuan aty afër nesh”, thotë Fazlija.
Mundësit, trajneri dhe sekretari i FMK-kë ishin detyruar t’i linin gjërat e tyre në hotel dhe të dilnin jashtë në rrobat e tyre të gjumit.
“Kur u qetësua situata, kemi hyrë shpejt dhe i kemi marrë sendet”, thotë Fazlija.Ekipi i mundjes i Kosovës tani është zhvendosur në qytetin Kajser, 254 kilometra larg Kahramanmarashit, dhe po pret që të kthehet së shpejti në Kosovë.