Zejnulla VESELI
Shkup, 13 janar – Më shumë se gjysma e popullatës së Maqedonisë gjatë vitit 2016 kanë jetuar nën pragun e varfërisë. Kështu tregon analiza e fundit e EUROSTAT-it ku thuhet se 43.2 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës në Maqedoni nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të pasur një jetë normale, gjegjësisht nuk kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar, shkruan gazeta KOHA. “Në Maqedoni dominojnë persona që materialisht janë të pa favorizuar sepse të ardhurat mujore nuk ju mundësojnë atyre që të bëjnë një jetë normale. Rreth 65 për qind e të punësuarve në Maqedoni me rrogat që i marrin nuk mund të sigurojnë gjerat ushqimore elementare që të mund ta jetojnë muajin. Me të ardhurat që marrin mezi arrijnë të përmbushin nevojat mujore të familjeve të tyre katëranëtarëshe”, thuhet në raportin e EUROSTAT-it. Se qytetarët e Maqedonisë po bëjnë një jetë mizore, këtë e vërtetojnë edhe të dhënat e fundit të Lidhjes se Sindikatës së Maqedonisë, ku sipas tyre vetëm 3.2 për qind e të punësuarve në Maqedoni marrin rroga në vlerë prej 30 mijë denarëve, që është për 2.500 denarë më e ulët se shporta e konsumatore për katër anëtarë të familjes e cila është 32.571 denarë. “Vetëm 3 për qind e të punësuarve në Maqedoni marrin rroga prej 30 mijë denarëve edhe pse kjo vlerë është më e ulët për 2500 denarë se shporta e konsumatorit, që për një muaj kap vlerën prej 32.500 denarëve. Mbi 80 për qind e të punësuarve marrin rroga prej 12.000 deri më 20.000 denarë. Nëse kemi parasysh se shporta e konsumatorit kap shifrën prej mbi 32 mijë denarëve, atëherë është më se e qartë se sa para i mungojnë 400 mijë të punësuarve që marrin rroga 12 mijë denarë, apo 20 mijë denarë. Pra, një familje prej katër anëtarëve i mungojnë 20 mijë denarë, apo 10 mijë denarë para që të mund të gëzojnë të gjithë nevojat e një familje katër anëtarëshe”, thonë nga Lidhja e Sindikatës së Maqedonisë. Sociologu Ilija Acevski thotë se sikur të mos punojnë në të zezë dhe të mos jenë paratë e mërgimtarëve me siguri se varfëria në Maqedoni do të ishte shumë me e rëndë. “Sikur të mos funksiononte ekonomia jo formale apo puna në të zezë si dhe paratë që ua dërgojnë emigrantët tanë familjeve të tyre në vendlindje, pothuajse se dy të tretat e popullatës do të jetonin në varfëri të skajshme. Rrogat që marrin të punësuarit në Maqedoni assesi nuk mund t’i përcjellin harxhimet e nevojshme të një familje katër anëtarëshe brenda një muaji, që sipas të dhënave statistikore, janë më të larta se dy rroga që i marrin. Pra, paratë që i dërgojnë mërgimtarët dhe punë plotësuese që bëjnë shumica e të punësuarve e mbajnë në nivel standardin jetësor të qytetarëve dhe mirëqenien sociale në Maqedoni”, thotë Ilija Acevski, profesor i sociologjisë. Ndryshe, të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se rroga reale në Maqedoni tre vitet e fundit është ulur për 7.3 për qind, ndërsa rroga mesatare është rreth 21 mijë denarë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.