Aida XHONI
Shkup, 17 gusht – Studentët e Maqedonisë tregojnë interes të ulët për punë sezonale jashtë vendit gjatë verës. Edhe pse vendet që i ofrojnë agjencitë për punë jashtë këtë verë janë të mbushura, gjithsesi, në krahasim me vendet fqinje, një numër i vogël i studentëve të Maqedonisë shkojnë të punojnë në ndonjë vend tjetër, qoftë ajo në fqinjësi, ose diku më larg, informon Gazeta Koha.
“Në punë jashtë shkojnë rreth 10 për qind nga popullata aktive e studentëve të Maqedonisë. Për dallim nga këtu, në vendet fqinje përqindja sillet prej 17 deri më 25 për qind nga studentët aktiv. Kjo flet për interes të dobët nga studentët tanë, edhe pse ndër vite ka shënuar rritje, megjithëkëtë, nuk e arrijmë mesataren”, thotë Zoran Koçovski, menaxher gjeneral dhe pronar i Agjencisë “Kouzon Korporacija”, e specializuar për punë me të rinj.
Ai thekson se në punë verore shkojnë diku 5 mijë studentë nga Maqedonia, kurse kemi prej 37 mijë deri 42 mijë studentë, që do të thotë se vetëm 10 për qind shkojnë në punë verore studentore.
“Interesi është i ulët, posaçërisht nëse e krahasojmë me përqindjen e vendeve fqinje ku shkojnë rreth 35 për qind. Kjo, sipas meje, është mungesë e madhe, sepse në këtë mënyrë të rinjtë arrijnë shprehi të shëndosha pune, nga të cilat më vonë do të kenë dobi gjatë kërkimit të punës në Maqedoni ose jashtë”, theksoi Koçovski. Këtë verë janë plotësuar vendet menjëherë për programin “Udhëto dhe puno”, sepse për të njëjtin, paraqitja kishte filluar në vitin 2017. Sipas Koçovskit, studentët paraqesin interes më të madh për punë në SHBA, Gjermani, Maltë, Mal të Zi, Bullgari dhe Kroaci. Këtë vit, në Kroaci kanë shkuar 2000 studentë.
Pozicionet që ofrohen për punë jashtë janë punë hotelierike sezonale. Afati ku mund të punojnë është prej 3 deri 5 muaj. Në Gjermani studenti mund të punojë vetëm 3 muaj, ndërsa në SHBA deri në 5 muaj gjatë pushimeve verore.