Fisnik PASHOLLI
Shkup, 31 maj – Në Maqedoni janë të regjistruar rreth 500 prodhues të ushqimeve organike, në një sipërfaqe prej 3000 hektarë, shkruan gazeta KOHA. Edhe përkundër trefishimit të prodhuesve si dhe rritjes për gjashtë herë të hapësirave bujqësore që prodhojnë ushqim organik në raport me vitin 2007, megjithatë këto shifra janë akoma të vogla në raport me mundësitë dhe kërkesat në tregun vendor dhe sidomos atë të jashtëm, ndërsa akoma është i vogël numri i prodhuesve dhe përpunuesve të ushqimit organik. Mish viçi dhe qengji, qumësht dhie, të prodhuara pa përdorimin e antibiotikut, bile edhe domate, tranguj, mollë, rrush, pjeshka janë vetëm një pjesë e ofertës në tregun vendor të ushqimit të shëndoshë. Gjithashtu në vitet e fundit, rritet edhe interesimi i qytetarëve për blerjen e prodhimeve organike dhe konsumi i tyre që e dëshmon edhe hapja se vjen e madhe e dyqaneve të ndryshme që ofrojnë ushqime organike, jo vetëm në Shkup, por edhe në qytete të tjera në Maqedoni, si dhe prezenca e ushqimeve organike në raftet e supermarketeve më të mëdha në tërë vendin. Njëherazi, edhe shteti përmes subvencioneve, që janë për 50 për qind më të larta se prodhimtaria konvencional, mbështet prodhimtarinë organike, por ajo akoma nuk praktikohet mjaftueshëm nga ana e fermerëve në vend përkundër kërkesës në rritje, sidomos në tregjet e jashtme. Bile në Serbinë fqinje në vitin e kaluar janë eksportuar ushqim organik në vlerë prej afër 20 milionë euro, ndërsa me prodhimtarinë organike merren 2000 prodhues në 15 mijë hektarë.
MAQEDONIA KA POTENCIAL, POR NUK ËSHTË SHFRYTËZUAR
Në shtetin fqinj, më së shumti eksportohen pemë të ngrira organike si dhe mjedra dhe manaferra të thara në Gjermani, Holandë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu eksportohen edhe mollë të freskëta, si dhe sojë, drithëra, perime dhe bimë mjekësore të kultivuara në mënyrë organike. Ndërsa, për kërkesën e madhe për ushqimet organike në shtetin fqinje flasin edhe analizat së nëse e tërë Serbia do të ishte e mbjellë me ushqim organik, një prodhim i tillë do të kishte shitje të sigurt në tregjet e jashtme perëndimore. Kjo flet edhe se Maqedonia ka potencial të madh, por të pashfrytëzuar për eksportin e ushqimeve organike që edhe paguhen më shumë nga blerësit në BE dhe shtetet e tjera. Megjithatë, edhe në shtetet fqinje përkundër potencialit të madh prodhues akoma është i pazhvilluar sa duhet tregu i prodhimeve organike si rrjedhojë edhe i ofertës së kufizuar në aspekt të sasive dhe shumëllojshmërisë . Prodhuesit në Ballkan ofrojnë prodhime të ndryshme, por shumica e tyre janë prezent në treg me sasi të kufizuara dhe vetëm në një periudhë të shkurtër gjatë sezonit bujqësore.
Gjorgji Haxhikotarov nga Shoqata e prodhuesve të prodhimeve organike “Organo-Logistik”, thotë për KOHA se prodhuesit e produkteve organike në Maqedoni ballafaqohen me sfida dhe luhatje të mëdha. “Prodhimtaria organike mund të jetë me perspektivë për bujqësinë në Maqedoni për shkak se ka interesim në tregun vendor dhe të jashtëm. Megjithatë, ne akoma kemi sasi të vogla dhe nuk mund t’i kënaqim kërkesat e tyre. Së pari, duhet të orientohemi në mbulimin e nevojave të tregut vendor, dhe pastaj t’i kthehemi eksportit, për shkak se ne nuk mund të eksportojmë as nivelin e një përqindëshit të kërkesave në tregjet e huaja”, thekson Haxhikotarov. Sipas tij, për prodhuesit nuk është edhe aq e vështirë që të plotësohen kërkesat për certifikimin e prodhimeve organike, për shkak se kjo kërkon mos përdorimin e mjeteve kimike, e as plehrave artificial, ndërsa kërkon më shumë punë dore dhe më pak përdorim të mekanizimit bujqësore gjatë punëve bujqësore.
DY VITE DUHET PËRGATITUR ARA
Toka ku kultivohet prodhimtaria organike së paku dy vite paraprakisht nuk guxon të trajtohet me preparate të ndaluara, duhet të ketë kufi të caktuara, bimët duhet të mbrohen nga kontaminimet e mundshme nga preparatet që shfrytëzohen në arrat fqinje, ndërsa ushqimi gjenetikisht i modifikuar përfshirë edhe farat e tilla është rreptësishtë i ndaluar dhe çdo fazë e prodhimit duhet të jetë në përputhje me natyrën. Agronomët thonë se te zhvillimi i pamjaftueshëm i prodhimtarisë organike në Maqedoni, ndikon edhe rrjeti i pazhvilluar distributiv, andaj bujqit janë të detyruar që vetë të kërkojnë tregje dhe të shesin prodhimet e tyre.
“Problem është se ky lloj ushqimi ka kohëzgjatje të shkurtër, ndërsa mungon obligimi ligjor për përpunimin e prodhimtarisë organike në prodhim të konservuar apo që thahet”, thotë Sonja Kushevska nga Fakulteti i Bujqësisë në Shkup. Ndryshe, principi themelor i prodhimtarisë bujqësore organike thotë: toka e shëndoshë – kafshë dhe bimë të shëndosha – njerëz të shëndetshëm. Viteve të 70-ta të shekullit të njëzet fillon rritja e interesimit për këtë lloj të prodhimtarisë bujqësore, që ka nisur nga i ashtuquajturi ushqim i shëndetshëm. Sistemi i prodhimtarisë organike varet nga qarkullimi bimor, mbeturinat bimore, plehut të stallës, bishtajoret, plehërimit të gjelbër, materieve organike të hedhura të cilat nuk vijnë nga ferma, përpunimit mekanik të tokës, masave biologjike të luftës kundër dëmtuesve. Aplikimi i tyre ka si rezultat ruajtjen e frytdhënës së tokës dhe shtresës livruese, sigurimi i materieve ushqyese të nevojshme për bimët dhe shkatërrimi i barojave dhe dëmtuesve.
Ndryshe, konsumatorët më të mëdhenj ë ushqimeve organike në Evropë janë Gjermania, Franca, Italia, Britania e Madhe, Danimarka dhe Zvicra. Në nivel botëror është rritur tregtia me prodhime organike nga 23 në së paku 40 miliardë dollarë. Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shitja e prodhimeve nga fermat amerikane organike, ka arritur vitin e kaluar në 5,5 miliardë dollarë, që është rritje prej 72 për qind në raport me vitin 2008. godine, tregojnë të dhënat e ministrisë amerikane të bujqësisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara