Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 maj – Mbi 78 për qind e të rinjve në Maqedoni janë të papunë më gjatë se një vit, ndërsa shkalla e papunësisë e personave të moshës 25 deri 29 vjeç është 39 për qind. Edhe pse nga viti 2014 te ne ekzistojnë mundësi për subvencionimin e vetëpunësimit, të rinjtë nuk dinë për to ose nuk i plotësojnë kushtet, andaj vetëm 0.4 për qind prej tyre e shfrytëzojnë ndihmesën e shtetit për t’u punësuar, shkruan gazeta KOHA. Sipas hulumtimit “Efektiviteti i politikave për menaxhimin e papunësisë”, të autorit Gjorgji Dimeski, ku janë anketuar mbi 80 kompani , ekziston nevoja për ridefinimin dhe zbatimin më efektiv të masave me qëllim që të zbutet më shumë papunësia tek të rinjtë në Maqedoni. Sipas Dimeskit, nevojitet që sërish të ridizajnohen masat për nevojat e mikro kompanive që punësojnë deri 10 punëtorë dhe të kompanive të vogla që punësojnë deri 50 punëtorë , si dhe të rritet “dukshmëria”, gjegjësisht që të arriturat të jenë më të qarta dhe prekshme, me çka dukshëm do të përmirësohen edhe rezultatet e saj. Nevojitet edhe mekanizëm më i mirë për përcaktimin dhe raportimin për shkathtësitë që në të ardhmen do të kërkohen në tregun e punës, revidimi i sistemit për dhënien e mjeteve financiar dhe rritjen e përfshirjes së institucioneve dhe personave për bashkëpunim. Sipas studimit, nga viti 2014 me qëllim të zbutjes së papunësisë së madhe të të rinjve, në fuqi është Ligji për subvencionimin e punësimit rinor, ndërsa para vitit 2014 masat kanë qenë kryesisht të fokusuara në rritjen e ofertës së fuqisë së re punëtore përmes trajnimeve dhe rikualifikimeve. Përkundër të dhënave zyrtare se masat për vetëpunësim tregojnë sukses të madh, megjithatë Dimeski në punimin e tij thekson se nevojitet një analizë dhe evaluim i masave në planet aksionale për shkak se masat në praktikë kanë vështirësi të realizohen. “Çështja e parë është efekti i zëvendësimit, gjegjësisht preferencës së punëtorëve për të cilët mund të fitohen subvencione në llogari të punëtorëve të tjerë jo të subvencionuar. Kemi të bëjmë edhe me efektin e alokimit të harxhimeve, që do të thotë se të njëjtat masa i shfrytëzojnë edhe kompanitë të cilave nuk u nevojiten patjetër, edhe atë vetëm me qëllim që të realizojnë rezultate”, thekson për KOHA, Dimeski. Kur bëhet fjalë për kompanitë ku do të mund të punësoheshin të rinjtë, madje 79.3 për qind e bizneseve në vend janë mikro-kompani që kanë të punësuar deri në dhjetë punëtorë. Prej të gjithë të punësuarve në vend, gati 81 për qind janë në kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme. “Bizneset mikro dhe të vogla janë krijuesit më të mëdhenj të vendeve të punës. Megjithatë, mundësinë për vetëpunësim apo për fillimin e biznesit të ri i kanë shfrytëzuar vetëm 0.4 për qind e të rinjve”, thekson Dimeski. Hulumtuesi më tej thekson se nevojitet që më herët të fillohet me mësimin e sipërmarrjes në procesin arsimor si dhe thekson nevojën e bashkëpunimit me organizatat joqeveritare që punojnë në fushën e sipërmarrjes. Maqedonia ka edhe problem me tepricën e kuadrit arsimor, ku madje 36.7 për qind e të rinjve kanë arsim më të lartë seç nevojitet për pozitat e tyre të punës. Problem tjetër që thekson hulumtimi është qasja e vështirë deri tek mjetet financiare. Anketat e hulumtimit tregojnë se 24.4 për qind e personave të rinj të vetëpunësuar theksojnë problemin me fitimin e të hollave si pengesë për vetëpunësim. Dimeski si zgjidhje potenciale për këtë problem, propozon përmirësimin e qasjes ndaj projekteve evropiane që ofrojnë grante për rritjen dhe zhvillimin e bizneseve të vogla dhe ndryshimin e raportit midis numrit të pjesëmarrësve në program dhe shumës së grantit financiar, gjegjësisht më pak grante për numrin më të madh të pjesëmarrësve. Që të përmirësohen kushtet e kreditimi, hulumtimi propozon që sipërmarrësit e rinj të bashkëpunojnë me biznes inkubatorët si dhe të zgjerohet përfshirja e politikave që janë treguar të suksesshme. Masa tjetër që ekziston është punësimi i subvencionuar, që paraqet dhënien e mjeteve financiare për realizimin e qëllimit të caktuar. Masat janë sipas Ligjit për punësim dhe sigurim në rast të papunësisë.
SUBVENCIONE THITHIN MIKRO KOMPANITË
Punëdhënësi është i obliguar të mbajë në punën personin 12 muaj shtesë si dhe gjatë 24 muajve të punësimit të mos ulë numrin e të punësuarve. Subvencionimin mund ta shfrytëzojnë të gjithë kompanitë pa marrë parasysh madhësisë apo suksesit të tyre. Sipas hulumtimeve në teren të realizuara në 80 kompani, shumica e bizneseve që e shfrytëzojnë masën janë ato mikro, pasojnë ato të vogla dhe kompanitë e mëdha. Asnjë kompani e mesme midis bizneseve të anketuara nuk kanë shfrytëzuar subvencione. Nga ana tjetër bile 92.5 për qind e kompanive janë përgjigjur se kanë planifikuar punësime edhe para vendosjes të masave qeveritare. Në ndërkohë, hulumtimi tregon se pengesat më të mëdha me të cilat ballafaqohen bizneset që shfrytëzojnë subvencionet shtetërore për punësim janë fleksibiliteti i tyre, mos marrja parasysh e lëshimeve të arsyeshme nga puna dhe afati jo i arsyeshëm për zëvendësimin e personave që dorëhiqen nga puna. Nevojitet që sërish të ridizajnohen masat për nevojat e kompanive mikro që punësojnë deri 10 punëtorë dhe të kompanive të vogla që punësojnë deri 50 punëtorë , si dhe të rritet “dukshmëria”, gjegjësisht që të arriturat të jenë më qarta dhe të prekshme, me çka dukshëm do të përmirësohen edhe rezultatet e saj. Nevojitet edhe mekanizëm më i mirë për përcaktimin dhe raportimin për shkathtësitë që në të ardhmen do të kërkohen në tregun e punës, revidimi i sistemit për dhënien e mjeteve financiar dhe rritja e përfshirjes së institucioneve dhe personave për bashkëpunim, përfundon Dimeski.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara