Vështrim kritik mbi projekt-buxhetin e vitit 2023

Zhvillimet e fundit emigruese imponojnë domosdoshmërinë e mbështetjes së investimeve të mërgimtarëve me lehtësira fiskale siç janë: lejimi nga tatimi në fitim për disa vite, lejimi nga tatimi për mjetet e importuara, lehtësira në infrastrukturë, instalimin e ujit,rrymës etj njëlloj si privilegjet që kanë Investimet e huaja direkte

Nga Prof. Petrit POLLOZHANI

Projekt Buxheti i vitit 2023, duhet të përballoj krizën të shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe të nxis zhvillimin ekonomik. Dukuri shoqëruese e buxhetit për vitin vijues do të jetë inflacioni, i cili nga niveli aktual dyshifrorë, për vitin vijues pritet jetë një shifrorë, në nivelin e 7.1 për qind . Për sa kohë nuk kemi një hapësirë kohore të definuar mbi afatin e zhvillimeve në Ukrainë dhe përfundimin e luftës, inflacioni do jetë problem madje mund të jetë dhe më i lartë nga ai i projektuar. Në kushtet e rritjes të nivelit mesatar të çmimeve, qeveria duhet të zgjedhë të luftojë inflacionin ose rritjen ekonomike. Rritja ekonomike është projektuar të jetë 2.9 për qind , që është gati e përgjysmuar nga parashikimet e mëparshme (4.6 për qind ). Në situata të tilla zgjidhja më e mirë do ishte të luftojë inflacionin, sepse çdo rritje ekonomike në kushtet inflacioniste do ishte problem. Qeveria e Maqedonisë së Veriut përveç kufizimit të marzhave të energjisë elektrike, dhe të prodhimeve bazë të ushqimit deri në fund të vitit nuk ka ndërtuar sistem tjetër anti inflacion.

Advertisements

Siç dihet në kushtet e rritjes së nivelit mesatar të çmimeve tërheqja e parasë nga qarkullimi ul inflacionin. Nën prizmën e këtij objektivi u premtua tkurrja e konsumit të të mirave dhe shërbimeve qeveritare, por me projekt buxhet shuma e tyre është më e lartë për 2 për qind krahasuar me vitin paraprak. Po ashtu premtohet ulja e të ardhurave të menaxherëve të kompanive shtetërore prej 10 për qind , të cilët i kanë të ardhurat disa herë mbi mesataren. Mbase kjo mund të jetë kërkesë e FMN i cili në dhënien e huave (janë lejuar 330 milion euro nga të cilat 110 milion euro mund të shfrytëzohen sivjet)kërkon rregulla strikte. Për rroga të punëtorëve në administratën publike do të ndahen rreth 568 milionë euro dhe për pensionistët mbi 1.2 miliardë euro, të cilët duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen e të ardhurave,vetëm do të mbrohen nga inflacioni pa ndonjë përmirësim real të mirëqenies socio-ekonomike. Vitin që vjen nga buxheti duhet të ndahen rreth 20 për qind e të hyrave ose shprehur me numra absolut rreth 1miliardë euro për hua dhe kamata. Huaja e lartë tregon se buxheti është pengë i politikave jo efikase qeveritare të dekadave më parë, si Shkupi 2014, aferave të korruptive në vazhdimësi në objektet e ndërtimit, infrastrukturës rrugore etj.

Me projekt-buxhetin vitin vijues do të shpenzojmë rreth 700 milionë euro më shumë se sado të arkëtojmë të ardhura, që në terminologjinë ekonomike njihet si deficit buxhetor, i cili arrin në nivelin e 4.6 për qind të PBB. Shpenzimet e përgjithshme do të jenë 5.3 miliardë euro që janë 12.6 për qind më larta krahasuar me ato të vitit paraprak. Të ardhurat janë paraparë të jenë 4.6 miliardë euro ose 14.8 për qind më të larta krahasuar me vitin që lamë pas. Mbasi Projekt buxheti është përpiluar në bazë të informacioneve aktuale të zhvillimeve ekonomike, qeveria duhet të ketë plan B në rast të thellimit të krizës së shkaktuar nga zhvillimet luftarake në Ukrainë. Zërat kryesorë të çdo buxheti madje dhe në kushtet aktuale, janë investimet publike. Ato përmirësojnë standardin e popullsisë dhe nxisin zhvillimin ekonomik. Investimet publike për vitin 2023 janë më të larta nga deficit buxhetorë dhe janë në pajtim me rregullën e artë, siç shprehet ministri i financave. Ato në buxhetin e vitit vijues do të jenë për 52.3 për qind më të larta krahasuar me vitin paraprak ose shprehur me numra absolut ato do të arrin shumën prej 795 milion euro .Investimet publike si shuma parash nuk kanë munguar dhe në buxhetet paraprake por problemi kryesorë i tyre është niveli i ulët i realizmit dhe korrupsioni i nivelit të lartë.

Sipas një vlerësimi të fundit të institucioneve ndërkombëtare, çdo i dyti tender për investime publike në Maqedoninë e Veriut është korruptiv. Investimet publike në Maqedoninë e Veriut vite ne radhë, realizohen ndër nivelin e 50 për qind. Në vitin aktual, sipas të dhënave zyrtare deri më fund të shtatorit investimet publike u realizuan vetëm 41.2 për qind ose shprehur në numra absolut realizimi i tyre arrin në rreth 207 milion euro , nga 501 milionë euro sa ishin në dispozicion. Shikuar sipas agjencive më së shumti 99.9 % ka konsumuar ajo për kundërzbulim, mandej vijnë:Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës 97.4 për qind , Ministria e Ekonomisë 90.8 për qind, Agjencia e Investimeve të huaja 85.8 për qind , Inspektoriati arsimor 84.4 për qind , Qeveria e MV 77.2 për qind . Ministria e Bujqësisë, 65.6 për qind dhe Byroja për zhvillim dhe arsim 52.0 për qind dhe të gjitha agjencitë tjera (24) kanë konsumuar ndër mesataren.

Por, sa fitojnë shqiptarët nga buxheti i vitit 2023?  Përgjigjen e marrim si më poshtë:

Në vitin aktual Agjencia për zhvillim rajonal ka pasur në disponim afër 9.5 milionë euro dhe deri në fund të shtatorit janë realizuar vetëm mbi 3 milionë euro pra gati 1/3. Shuma të përafërta janë ndarë dhe në buxhetin e vitit 2023, që janë të pamjaftueshme për zbutjen e diferencave rajonale dhe plotësimin e shërbimeve bazë në këto vise. Vise më të pazhvilluara në Maqedoninë e Veriut janë ato ku popullsia shqiptare është shumicë. Në këto rajone (Rajoni jug – perëndimor, i Pollogut dhe Veri – lindor), investimet kapitale për frymë banori gjithnjë janë më të ulëta nga mesatarja e vendit dhe dyfish më të ulëta nga Rajoni i Shkupit. Qytetet dhe vendbanimet në vetë Rajonin kanë diferenca të theksuara, viset shqiptare në këto rajone kanë më pakë investime,në shumë nga to madje u mungojnë shërbimet bazë siç janë: uji për pije, rrugët madje dhe shkolla fillore. Sa herë ka reshje të shtuar viset shqiptare të Rajonin e Shkupit, Pollogut dhe rajone tjera vuajnë nga vërshimet. Mungesa e kanalizimit vë në rrezik shëndetin e popullsisë në shumë vise të banuara me shqiptarë. (rasti i Vizbegut dhe viseve tjera). Edhe përkundër nevojave imediate në rajonet jo mjaft të zhvilluara vazhdon të ndahet 0,1 për qind e PBB (rreth 10 milion €). Shuma të tilla janë në kundërshtim me ligjin për zhvillim të barabartë rajonal. Në kreun e katërt të këtij ligji, ku parashihet financimi i zhvillimit rajonal, në nenin 35, alinea 2,shkruan: për nxitjen e zhvillimit të barabartë rajonal në buxhetin e Maqedonisë së Veriut në vit ndahen mjete financiare prej më së paku 1 për qind e PBB, që i bie se në buxhetin e vitit 2023 duhet të ndahen mbi dhjetëfishin e vitit paraprakë.

Në Projekt e buxhetit ceken para publike për infrastrukturën rrugore dhe në pjesën perëndimore por shumë nga to, barten nga vitet e kaluara, si psh autostrada Kërçovë-Ohër, Shkup-Bllacë. Rrugë të reja në rajonet në viset shqiptare janë, autostrada Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë dhe zgjerimi i një korsie të autostradës Gostivar-Tetovë. Investime të mëdha dedikohen për linjat hekurudhore në pjesën lindore drejt Bullgarisë. Në atë pjesë edhe rrjeti rrugor i ngjan atij europian. Linjat rrugore Veles-Shtip, Gradsko-Prilep, Shtip-Koçani, Shtip-Radovish, Rankovec-Kriva Pallanka, Shtip-Shkup etj, janë rrugë të klasit ekstra, me 4 korsi, të cilat nuk i hasë në pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut.

Në projekt-buxhetin janë ndarë para 690 milionë euro për shëndetësi, 64 milionë euro më shumë krahasuar me vitin aktual. Edhe pse në detaje nuk mund të vërehet se ku do të investohet mjetet publike,sipas Strategjisë fiskale 2021/23 është planifikuar ndërtimi i vetëm një spitali, ai është në pjesën lindore, në Shtip. Nuk është planifikuar asnjë spital në pjesën perëndimore, edhe pse nevojat janë të jashtëzakonshme. Në të gjitha qytetet duke filluar nga Tetova, Gostivari, Kërçova, Struga dhe Dibra gjendja e tyre është e mjerueshme. Kjo sepse objektet janë ndërtuar para disa dekadave dhe si të tilla janë jofunksionale. Në buxhetin e vitit 2023 parashikohen 300 salla sportive për shkollat fillore dhe të mesme por nuk ceket ku ato do të ndërtohen. Shkollat e viseve shqiptare kanë më së shumti nevojë për salla sporti sepse deri më tani numri i tyre në këto vise është simbolik. Në buxhet nuk shihet zëri i financave që kanë të bëjnë me emigrimet masive. Viteve të fundit vërehet një shpopullim i frikshëm në Maqedoninë e Veriut dhe shënohet mungesë e forcës punëtore. Nuk mungojnë vetëm mjekët, infermieret dhe personeli tjetër mjekësor por edhe profesionet tjera, zanatlinjtë madje punëtorë pa asnjë zanat. Nga buxheti sigurisht se mund të ndahen para dhe të paktën të frenohet emigrimi. Nga buxheti mund të ndahen mjete financiare për stimulimin e investimeve nga diaspora. Zhvillimet e fundit emigruese imponojnë domosdoshmërinë e mbështetjes së investimeve të mërgimtarëve me lehtësira fiskale siç janë: lejimi nga tatimi në fitim për disa vite, lejimi nga tatimi për mjetet e importuara, lehtësira në infrastrukturë, instalimin e ujit,rrymës etj njëlloj si privilegjet që kanë Investimet e huaja direkte.

(Autori është profesor i ekonomisë në USHT)