Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 dhjetor – Dyqanet me veshje të përdorura apo “second hand”, ose të dorës së dytë, në botë janë të popullarizuara me dekada të tëra. Bile edhe në qendrat e modës si Milano, nuk mungojnë shitore të tilla që janë përplot me blerës, shkruan gazeta KOHA. Ka edhe të tilla që mundësojnë jo vetëm blerjen me çmime të pranueshme nga të gjithë, por edhe huazimin e një pjese të gardërobës për disa ditë apo javë. Veshmbathjet e dala nga moda, ato me ndonjë defekt nga fabrika apo edhe të përdorura, nuk do të thotë se janë të pashfrytëzuara.
Përkundrazi, ato madje janë shndërruar në veshje ndër më të kërkuara nga të gjitha moshat dhe llojet e konsumatorëve. Zakonisht, në dyqanet e dorës së dytë nuk shiten rrobat kineze apo turke, por shpesh janë brende të njohura të tekstilit nga shtetet e Evropës Perëndimore.
Në dhjetë vitet e fundit edhe në rajon, por edhe në Maqedoni shënon bum biznesi i veshjeve të përdorura. Pronarët e dyqaneve që ofrojnë mall të tillë, thonë se gradualisht edhe te ne po tejkalohen paragjykimet se është turp të blihen veshjet e mbajtura. Bile, shtojnë se në vitet e fundit janë shtuar “myshterinjtë” e rregullt që për pak të holla e rinovojnë gardërobën e tyre. Ndër frekuentuesit më të shpeshtë të tyre janë qytetarët që kanë vizituar më shpesh shtetet evropiane, që kanë vizituar dyqanet e tilla në perëndim, familjet me më shumë anëtarë, por edhe të rinjtë që preferojnë të mbajnë veshje të brenduara për pak para.
Sipas pronarëve të dyqaneve me veshje të përdorura, në fillim blerësit janë habitur me çmime aq të ulëta, por me kohë kanë kuptuar se edhe te ne mund të blihen brende me kosto shumë të ulët.
“Jo çdo herë veshjet që i shesim janë të mbajtura. Dyqanet e brenduara në botë, në fund të sezonit i vendosin mënjanë copat e ndryshme që nuk janë shitur dhe i eksportojnë si mall të dorës së dytë. Veshmbathjet e tilla, së pari duhet të trajtohen në mënyrë kimike nga prania eventuale e të gjitha baktereve që të mund më lehtë të shiten jashtë. Andaj, duhet të jetë e qartë se veshjet e tilla janë tërësisht të pastra, bile edhe nëse dikush i ka mbajtur, për shkak se në dyqane ka edhe gardërobë të tillë që dikush e ka përdorur”, thonë në një dyqan të veshjeve të tilla.
Nga ana tjetër, Lumturia, një vizitore e rregullt e dyqaneve të dorës së dytë, thotë se nuk e ka aspak problem të blejë dhe të vesh diçka që edhe mund ta ketë përdorur dikush tjetër më parë.
“Unë blej lloje të ndryshme të gardërobës nëpër dyqane të dorës së dytë. Në krejt Evropën punojnë shitore të tilla të cilat ofrojnë këmisha, pantallona dhe sende të tjera, bile edhe të brendeve botërore që asnjëherë nuk do të kisha të holla t’i blej në dyqanet më qendrat e ndryshme tregtare“, shton më tej ajo. Ajo thotë se sapo t’i blejë këto veshje i lan mirë dhe pas tharjes e hekurosjes i vesh si çdo veshmbathje tjetër, duke mos pasur asnjëherë ndonjë alergji apo ndonjë problem tjetër.
Pronarët e këtyre dyqaneve shpjegojnë se klientët e tyre të rregullt janë me status të ndryshëm ekonomik dhe social, për shkak se të gjithë duan të kujdesen për veten, pa harxhuar shumë të holla. Bile, thonë tregtarët, midis butikëve të shtrenjta dhe dyqaneve të “second hand”, konsumatorët shpesh zgjedhin shopingun në butikun e veshjeve të përdorura. Përvoja e tregtarëve të këtyre dyqaneve tregon se shpesh ata frekuentohen edhe nga personalitete të njohura nga jeta publike, ose edhe profesionistë në profesionet me paga shumë më të larta se mesatarja në Maqedoni. Njohësit e modës në vend, thonë se në këtë treg në rritje, blerësit vijnë për të gjetur ndonjë veshmbathje që u shkon për shtati, pjesë të gardërobës që kur mbahet në trup, i bën ata të duken hijshëm dhe të ndjehen mirë me veten, duke bërë shoping për pak të holla. (koha.mk)