Prishësit më të mëdhenj të imazhit nëpër shkollat tona janë bërë vetë mësimdhënësit dhe nxënësit, të cilët me veshjet e tyre joadekuate, na bëjnë të mendojmë se ndodhen në ndonjë pab apo diskotekë, e jo në institucion edukativo-arsimor. Për këtë arsye, MASH duhet ta rikthejë Kodin e detyrueshëm për veshjet, në mënyrë që shkollat tona të jenë model i mirë i edukimit dhe sjelljes së dinjitetshme qytetare
Remzije BILALLI
Shkup, 17 tetor – Nëse i hedhim syrin cilës do shkollë, qoftë fillore apo të mesme, do ta kesh vështirë të dallosh nëse ndodhesh në ndonjë pab, kafeteri, apo në një institucion edukativo-arsimor. Si mësimdhënësit, ashtu edhe nxënësit, vishen në mënyrë joadekuate dhe kjo ka ndikuar që raporti nxënës-arsimtar të tejkalojë kufijtë e lejueshëm, kurse kjo ka kosto negative për vetë nivelin dhe zhvillimin e arsimit te ne, shkruan gazeta KOHA.
Me të drejtë është thënë që pasqyra e një shoqërie është arsimi, kurse mësimdhënësit janë model i fëmijëve që duket të ndiqen si shembull, duke përfshirë këtu sjelljet e tyre, mënyrën e komunikimit dhe pamjen e jashtme. Por, në realitet a është kështu? Atlete, xhinse të grisura, minifunde, make up të theksuara dhe të tjera, tash më janë bërë stil i papërshtatshëm për një punonjës arsimi.
Rregullat unifikuese për veshjen e mësimdhënësve, por edhe nxënësve duhet të jenë pjesë e një kodi të cilin duhet në nivel shtetëror ta miratojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), e cila nuk është prononcuar lidhur me këtë problem.
Pedagogët vlerësojnë se duhet të ketë kodeks të veshjes si për ta por edhe për nxënësit i cili duhet respektuar. Arta Poshka Qoku për gazetën KOHA theksoi se është e nevojshme të ketë kodeks të veshjes i cili duhet respektuar ose në të kundërtën duhet të merren masa disiplinore për mos respektim. Edhe pse në shkolla ekziston kodeks i veshjes, ai megjithatë nuk është respektuar sepse deri tani nuk është arritur të furnizohen ose t’u jepen uniforma mësimdhënësve.
“Stafi i mësimdhënësve duhet të ketë uniformë sepse mënyra se si vishemi dërgon mesazh deri tek nxënësit, sidomos tek shkollat e mesme. Nuk është e pa tjetërsueshme të vishen në mënyre klasike por duhet mënjanuar stilet ekstreme dhe provokuese. Duhet të jetë obliguese veshja e mantelit, dhe kjo rregull patjetër duhet respektuar, i konvenoj apo jo dikujt.” tha Qoku. Sipas saj kjo çështje duhet zgjedhur nga drejtoritë në bashkëpunim me MASH, sepse shpesh humbet autoriteti i mësimdhënësve për shkak të veshjes jo adekuate në institucionet edukativo-arsimore.
Ngjashëm mendon edhe profesoresha Nita Beluli, e cila për gazetën tonë u shpreh se kodeksi i veshjes duhet të respektohet nga mësimdhënësit, sepse ata duhet të jenë model mirë për nxënësit. Më tej ajo tha se fenomeni i veshjes së pahijshme dhe të papërshtatshme, është në masë të madhe, andaj institucionet përkatëse duhet të marrin me seriozitet zgjedhjen e kësaj problematike, duke i rikthyer uniformat në shkolla, si faktori rëndësishëm në mënjanimin e anomalive të pahijshme.
“Nëse mësuesi apo arsimtari nuk ka një paraqitje të rregullt, elegante dhe brenda kornizave të kodeksit të veshjes, atëherë më shumë gjasë që respektimi i kësaj norme do lëngoj edhe nga ana e nxënësve. Veshja e uniformave përveç tjerash do të jetë një zgjidhje edhe për të hequr komplekset që burojnë nga diferencat e statusit ekonomik dhe kështu të gjithë nxënësit si dhe arsimtarët do të duken njësoj dhe të barabartë”, tha Beluli. Ndërsa për këtë zëvendësministri i Arsimit, Petar Atanasov, në një deklaratë për media kishte deklaruar se tani për tani nuk ishte menduar për futjet e uniformave nëpër shkolla në nivel shtetëror, por ai mendon për përmirësimin e statusit të profesorëve në shoqëri.
“Në këto 30 vite mësimdhënësit kanë humbur pozitën e tyre në shoqëri. Ne do të punojmë në ngritjen e statusit shoqëror të mësuesit në të gjitha aspektet, në shpërblime financiare, në dhënien e lirisë më të madhe dhe në ndërtimin e vlerave. Mësuesi ka një rol parësor dhe kodi i veshjes është vetëm një nga elementet. Unë do të punoj në këtë drejtim, dhe ndoshta edhe komunat duhet të merren me këtë çështje, sepse ata janë themelues të shkollave”, tha Atanasov. (koha.mk)