Banorë të Veshallës, të gjithë ju që jetoni në Tetovë e në fshatra tjerë të Tetovës dhe ju kurbetçinj që hallet u detyruan të shpërndaheni nëpër botë për të fituar kafshatën e gojës, le të jetë ky një moment ndërgjegjësimi dhe vetëdijesimi për një JO të madhe projekteve profitabile individuale e grupore të fituara në mënyrë të dyshimtë e në dëm të interesit publik
Nga Vebi BEXHETI
Gjithsesi projektet për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në rrjedhat e lumenjve duhet përshëndetur, nëse ato u përmbahen rregullave dhe kritereve të parapara sipas normave dhe ligjeve për ruajtjen e biodiversitetit, por assesi nuk duhet lejuar keqpërdorime dhe dhunime të mjediseve ambientore për interesa klienteliste, në emër të tenderëve të dyshimtë e të fituar nga Qeveria e kaluar korruptive. Një projekt i këtillë është paraparë edhe në lumin e njohur me emërtimin “Reka e Urës së Kollit”, që rrjedh në anën e djathtë të Veshallës, me burimin kryesor në Liqenin e Karanikollës e që derdhet në “Rekën e Vardishës”. Ky lum konsiderohet ndër më të bukurit e këtij rajoni. Këto ditë vere , siç njoftojnë fshatarët e brengosur, vazhdojnë punimet përgatitore të “Infrastrukturës” për fillimin e këtij projekti të dyshimtë e shkatërrues mjedisor. Nuk do ishte dëm i madh nëse hidrocentralet e parapara do ndërtoheshin në rrjedhën normale të këtij lumi, i cili do vazhdonte rrugën e vet, nga burimet deri në derdhje në lumin tjetër. Fatkeqësia e këtij lumi pitoresk, që përveç rëndësisë që ka për ujitjen e shumë arave e kopshteve, qëndron në planin ogurzi të fituesve të tenderit, që si duket deri tani veprojnë në mënyrë gjysëmlegale, meqë ende nuk kanë dalë para bashkësisë lokale të fshatit për t’i njoftuar ata, nëse ky projekt është edhe në interes të tyre. Ky plan tinëzar, që përveç përfitimeve personale të individëve të lidhur fortë me funksionarë të lartë të Qeverisë së kaluar, do i varros njëherë e përgjithmonë këto bukuri natyrore, si e vetmja pasuri që kanë këta pak banorë të mbetur në këtë fshat, duhet ndalur sa më pare, sa nuk është bëre vonë. Një arsye tjetër pse nuk duhet lejuar të realizohet ky projekt, është edhe fakti se ky lum dikur lëvizte gurët e tre mullinjve, ku bluanin fshatarët, pronarët e të cilëve, të vjetrit apo të rinjtë, assesi nuk duhet te pajtohem me një projekt që do e shuante këtë veprimtari shekullore të të parëve të tyre. Në planin zhvillimor të turizmit malor, veshallasit shpresojnë në kthimin e jetës në vatrat e tyre me këto bukuri natyrore që si gjen dot në asnjë vend tjetër. Nëse lejojmë që të realizohet ky plan shkatërrues, Veshalla dhe banorët e saj, do ballafaqohen me tmerrin e pamjes së trishtueshme, që në vend të gjelbërimit dhe ushtimës së këtij lumi me ujëvarat e shkumbëzuara, do mbetet një përrua i thatë që do ketë ndonjë pikë ujë vetëm kur të bjerë ndonjë shi i furishëm. Sipas njohurive që kemi, ky lum do jetë i vdekur mbi 3 kilometra të rrjedhës së tij, meqë për përfitime të “pronarëve” të rinj, do orientohet në tjetër drejtim, që pëmes tubave do bëjë një rrugë përmes arave të rajonit të quajtur “Për Bozovcë”, devijim ky, që sërish i dëmton pronarët e tokave të shumë fshatarëve edhe ashtu të varfër, që lehtë mund të gënjehen për para simbolike, që këtë ujë ta çojnë në mullirin e huaj. Le ta dinë të gjithë të ashtuquajturit biznesmenë se nuk mund të pasurohen ashtu lehtë duke ua shitur rrymën elektrike po këtyre fshatarëve të varfër, me ujin Kristal, me të cilin ujitet bereqeti aq i preferueshëm BIO i këtyre anëve. Të gjithë atyre përfituesve në mënyrë kaq të pandërgjegjshme, ua përkujtojmë se si u ndërpre projekti madhështor hidroenergjetik që parashihej t’ia ndërrojë drejtimin lumit Radikë, projekt ky, për realizimin e të cilit Banka Botërore kishte siguruar para të majme. Kjo ndalesë realizimi e këtij projekti gjigand ishte rezultat i reagimit të popullatës së kësaj ane, Komunës së Dibrës, Qeverisë së Shqipërisë, gazetarëve të shumtë, shoqatave ambientaliste dhe individëve adhurues të mjediseve të pastra ekologjike. Autorët e këtij projekti lugat, duhet ta dinë se nuk jetojnë në regjimin komunist ,kur me një dekret partiak u shterën të gjithë lumenjtë e një rajoni të tërë të Malit Sharr për akumulimin e ujit në Liqenin e Mavrovës, që edhe sot shërben për prodhimin e energjisë elektrike.
Të nderuar bashkëvendës, banorë të Veshallës, të gjithë ju që jetoni në Tetovë e në fshatra tjerë të Tetovës dhe ju kurbetçinj që hallet u detyruan të shpërndaheni nëpër botë për të fituar kafshatën e gojës, le të jetë ky një moment ndërgjegjësimi dhe vetëdijesimi për një JO të madhe projekteve profitabile individuale e grupore të fituara në mënyrë të dyshimtë e në dëm të interesit publik. Shpresoj se për ndërprerjen e këtij projekti, kështu siç është dhe realizimit të tij përmes devijimit total të rrjedhës normale të lumit që kalon shumë afër fshatit, e në një pjesë duke depërtuar edhe brenda lagjes, do e kemi edhe përkrahjen e Komunës së Tetovës, që gjithsesi duhet t’i ndërpresë projektet e fituara përmes tenderëve të dyshimtë të Qeverisë së kaluar të korruptuar. (koha.mk)