Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot takime të ndara me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Belgjikës, Siegfried Bracke dhe kryetarin e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Dirk Van der Maelen, njofton kumtesa, transmeton Koha.net.
Edhe në këto takime temë bosht e bisedës ishte agjenda evropiane e Kosovës, përkatësisht nevoja për marrjen e vendimit brenda këtij viti për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Veseli konfirmoi edhe njëherë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara dhe se qytetarët e saj meritojnë të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, sikurse qytetarët e tjerë evropianë.
Po ashtu, ai theksoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Belgjikës në të gjitha sferat, me theks të veçantë në atë të ekonomisë.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit belg, Siegfried Bracke dhe kryetari i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë i kësaj Dhome, Dirk Van der Maelen, konfirmuan vazhdimin e mbështetjes së shtetit të tyre për Kosovën edhe në të ardhmen, si në rrafshin ndërkombëtar, ashtu edhe në zhvillimet e brendshme.
Veseli tha pas takimeve se qytetarët e Kosovës duhet ta dinë që në mesin e Bashkimit Evropian Kosova ka miq të mëdhenj. Ai tha se vizitat e tij nëpër këto vende kanë të bëjnë me përçimin e zërit të Kosovës te lidershipet e tyre dhe konfirmimin e vizionit të saj të palëkundur euro-atlantik, me kërkesën për hapa më të shpejtë në këtë rrugëtim, veçanërisht për procesin në pritje, liberalizimin e vizave.
Lidhur me liberalizimin e vizave, kreu i Kuvendit tha se vet përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, insistonte se do tu qëndrohet në krah qytetarëve të Kosovës lidhur me këtë proces.