Prishtinë, 12 gusht – Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli e ka quajtur akt të turpshëm lëshimin e djeshëm në liri, tre vjet para skadimit të dënimit me burg të ish pjesëtarit të njësitit paraushtarak “Akrepat” Miodrag Sholajas i cili në Gjykatën serbe më 2008 ishte dënuar me 15 vjet burg për krime lufte në Kosovë.
Veseli në postimin në Fejsbuk thekson se ky akt e demaskon mungesën e vullnetit të Beogradit për të vënë drejtësi. Një vit më parë, shton ai u lirua pa kryer dënimin e plotë, Sasha Cvjetani, edhe ai nga e njëjta njësi famëkeqe që kreu masakrën e Podujevës, ku u masakruan 14 civilë, gjysma e të cilëve ishin të mitur.
“Është e pakuptueshme heshtja e Brukselit ndaj mosnisjes së proceseve për shumë masakra serbe të zbardhura, gjyqeve të zvarritura apo lëna në mes, dënimeve qesharake sa për sy e faqe e tanimë edhe për lirimin e parakohshëm të kriminelëve të luftës. Këtu duket qartazi se Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta. Nga njëra anë po i toleron këto veprime, e në këtë mënyrë po i jep dritën e gjelbër Serbisë që të nëpërkëmbë drejtësinë, duke lënduar për herë të dytë familjarët e viktimave të masakrave. Nga ana tjetër misioni juridik i BE-së në Kosovë ka dënuar pa prova e fakte dhe po mban padrejtësisht në burg luftëtarë të lirisë siç janë ata të “Grupit Drenica””, ka theksuar Veseli.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të lejojë qē historia të manipulohet dhe viktima të barazohet me xhelatin. Prandaj si kryeministër do i shkoj deri në fund iniciativës sime për një tribunal qē në kuadër të drejtësisë tranzicionale do i vendosë këta kriminelë para drejtësisë.