Prishtinë, 19 korrik – Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli ka shprehur keqardhje për shkak të ftesës nga ana e Gjykatës speciale për krime lufte në Kosovë ndaj disa ish bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) mes të cilëve edhe kryeministrin e deritanishëm dhe partner të koalicionit Ramush Haradinaj.
“Me keqardhje mësova nga mediat për thirrjen që u është bërë nga Gjykata Speciale bashkëluftëtarëve të mi, si dhe për dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë dhe jam i sigurt se ndershmëria e luftës së popullit tonë për liri e pavarësi ka për t’u vërtetuar sërish”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Fejsbuk.
Ai thotë se koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën dhe për t’i mbrojtur vlerat e UÇK-së.
“Të gjitha veprimet dhe vendimet tona do të jenë vetëm në shërbim të interesave më të mira të Kosovës dhe qytetarëve tanë, si dhe në përputhje të plotë me ligjet tona”, ka shkruar Veseli.
Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj sot dha dorëheqje të parevokueshme nga funksioni pasi mori ftesë nga Gjykata speciale si i dyshuar për krime lufte.