Prishtinë, 5 gusht – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas sjelljes së sotme të vendimit të Kryesisë kuvendore për konvokimin e seancës për më 22 gusht për shpërbërjen e Kuvendit, njofton se ky vendim i jep mundësi presidentit të shtetit, Hashim Thaçi për ta caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Veseli deklaroi se në seancën e sotme me përfaqësuesit e grupeve të deputetëve është arritur konsensus i cili është në dobi të qytetarëve.
“Shpërbërja e Kuvendit i jep mundësi presidentit, automatikisht ta caktojë datën e zgjedhjeve. E kam thënë edhe më parëm, e them edhe sot, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet. Ato nuk janë vetëm opsion ose alternativë, por janë vendim i nevojshëm për qytetarët”, deklaroi Veseli.
“Ne e dimë datën e shpërbërjes së Kuvendit dhe, edhe pse është kompetencë e presidentit, ka afat prej 30-45 ditëve nga ajo ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve”, deklaroi Veseli.
Vendimi për shpërbërjen e kuvendit dhe si pasojë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, vijoi pas dorëheqjes në muajin e kaluar të kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili hoqi dorë nga funksioni për shkak të ftesës që të paraqitet në Hagë, para gjykatës speciale për krime lufte në Kosovë, në cilësi të të dyshuarit, si një prej udhëheqësve të ish-UÇK-së.