19:23 – Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se në rastin e arrestimit të Marko Gjuriqit, shteti i Kosovës ka zbatuar sot ligjet e veta dhe ka ushtruar sovranitetin e plotë.
“Republika e Kosovës nuk lejon asnjë provokim dhe Serbia duhet të kuptojë se ky vend ka zot shtëpie. Ne nuk jemi duke shkuar në Serbi të provokojmë, presim që ata të jenë më të vëmendshëm në respektimin e sovranitetit të kufijve tanë territorialë. Për aq sa ata janë korrekt ne do të jemi korrekt”, ka thënë Veseli.
“Nuk na është dashtë dita e sotme, por zyrtarët serbë duhet ta kuptojnë se në Kosovë mund të futen vetëm me lejen e autoritete shtetërore kosovare. Kosova është e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë por vullneti duhet të jetë i dyanshëm. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie që të jenë të qetë dhe të mos nxiten nga asnjë lloj provokimi”, ka thënë më tej ai.
Thaçi për Gjuriqin: Policia ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për qetësi, derisa ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta në arrestimin e Marko Gjuriqit.
“Marko Gjuriq ka hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se sapo është njoftuar nga organet kompetente dhe Marko Gjuriq ka kaluar nëpër procedurën e rregullt të Prokurorisë dhe Gjyqësisë, si dhe tani është duke u përcjellë nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ky rast nuk duhet të cenojë komunikimin që është vënë në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogun në mes dy vendeve dhe përpjekjet për normalizim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Thaçi.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, kishte paralajmëruar më herët gjatë ditës arrestimin e zyrtarëve serbë nëse futen në Kosovë pa lejen e institucioneve të vendit. Pacolli ka thënë se ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandër Vulin, nuk ka arsye të vijë në Kosovë dhe të nxisë urrejtje. Këto komente Pacolli i ka bërë në konferencën për media me ministren e Punëve të Jashtme të Austrisë, Karin Kneissl.
Sefaj thotë se Policia e ka përmbyllur me sukses planin për Gjuriqin
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Flamur Sefaj, ka thënë se Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës e kanë përmbyllur në mënyrë profesionale planin operacional për ndalimin e hyrjes së zyrtarëve serbë në Republikën e Kosovës, të cilëve nga Prishtina zyrtare nuk iu është dhënë leja për të hyrë në Kosovë.
“Policia e Kosovës është e përkushtuar për t’i kryer me përgjegjësi obligimet ligjore të saj dhe për të krijuar një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Sefaj.