Veseli e nënshkroi vendimin, miniera Trepçës 100 për qind në pronësi të Kosovës

Prishtinë, 6 shkurt – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka nënshkruar sot vendimin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës për Statutin e Trepçës, me çka kjo minierë në të ardhmen do të jetë shoqatë aksionare në pronësi njëqind për qind të Republikës së Kosovës, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, pwrcjellw gazeta KOHA.
Votimi para disa ditësh në Kuvendin e Kosovës për Statusin e kombinatit të minierës shkaktoi përleshje të re midis Prishtinës dhe Beogradit.
Pretendime të pronësisë së kombinatit Trepça, i cili gjendet në territorin e Kosovës, ka edhe Serbia, në çka ashpër kundërshtojnë faktorët shqiptar në Kosovë.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, e cila është pjesë e ekipit të shefes së diplomacisë evropiane Federika Mogerini, e cila ndërmjetëson në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, dje deklaroi se statusi i Trepçës duhet të zgjidhet me marrëveshjen përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë ashpër reaguan krerët kosovarë, duke porositur se Trepça është çështje e pastër e brendshme e Kosovës dhe se për këtë nuk ka kurrfaqë arsye pse të negociohet me Serbinë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se qëndrimi i Kocijançiqit lidhur me Trepçën është “tregues i qartë se BE-ja angazhohet për ndarjen e Kosovës” ndërsa ish-negociuesja kryesore e Kosovës në dialogun me Beogradin, Edita Tahiri vlerësoi se tani është “e qartë se Mogerini është në shërbim të Serbisë”.
“Trepça, as nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të jetë çështje e hapur në dialogun me Serbinë. Me këtë gjuhë, BE është duke e rrënuar çdo perspektivë të dialogut dhe fqinjësisë së mirë. Trepça është e drejtë natyrore e shtetit të Kosovës. Sot dhe përgjithmonë”, ka thënë Veseli.
Reagime të ashpra në qëndrimin e Brukselit lidhur me Trepçën shprehën edhe shumë përfaqësues të tjerë të institucioneve kosovare dhe subjekte politike, si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita.
Kocijançiq sot e ndryshoi qëndrimin lidhur me Trepçën, duke deklaruar se Brukseli nuk i cakton temat për të cilat Beogradi dhe Prishtina negociojnë, por ata vetë “i lënë në tavolinë dhe vendosin për çka duan dhe për çka nuk duan”. (koha.mk)