Prishtinë, 28 mars – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri veseli deklaroi sot se me atë që e shtyen vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, Bashkimi Evropian vetë po e rrënon kredibilitetin e vet.
Veseli duke iu drejtuar gazetarëve para fillimit të mbledhjes së sotme të Kuvendit theksoi se qytetarët e Kosovës janë të privuar nga e drejta e lëvizjes së lirë, edhe pse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet që ia ka parashtruar Brukseli.
“Çdo vonim që po ndodhë në BE lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit tonë e rrënon vetë kredibilitetin e BE-së edhe para anëtareve të saj. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që u kërkuan prej nesh, por megjithatë qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm. Ne jemi vendi i vetëm, qytetarët e vetëm të cilët 11 vite, si qytetarë më evropianë dhe më perëndimorë, jemi lënë në izolim”, deklaroi Veseli.
Ai theksoi se është e padrejtë dhe jokorrekte nga ana e BE-së ajo që, nga njëra anë qytetarët e Kosovës po mbahen në izolim, ndërsa nga ana tjetër u jepen viza pune kuadrove të reja të kualifikuara.
“Në të njejtën kohë çdo vit na i marrin të rinjtë tanë dhe kjo është shqetësuese sepse dhjetëra mijë të rinj, kuadro të kualifikuara po i marrin, u japin viza pune, ndërsa nuk u lejojnë qytetarëve tanë të lëvizin lirshëm. Edhe kjo është e padrejtë dhe jokorrekte”, deklaroi Veseli.