Prishtinë, 5 mars – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli porositi sot se askush nuk ka të drejtë ta ndajë Kosovën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se askush nuk mund ta largojë vendin nga rruga e integrimeve evroatlantike, njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Prishtina, pwrcjellw gazeta KOHA.
Veseli deklaratën e dha gjatë vizitës në repartin prodhues në Gjilan, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për takimin e sotëm të tij me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Filip Kosnet, ku, sipas mediave, u bë fjalë pr kërkesën e Uashingtonit për suspendimin e taksës prej 100 për qind për prodhimet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, me qëllim që të zhbllokohet dialogu me Beogradin.
“Dilemat i kemi mbyllur më 12 qershor të vitit 1999. Populli i Kosovës, me viktima dhe me çmim jashtëzakonisht të lartë, e ka dëbuar Serbinë nga Kosova. Kuptohet, Serbia është fqinji ynë me të cilin dëshirojmë të jetojmë në paqe. Megjithatë, Kosova përgjithmonë do të mbetet e pavarur dhe shtet sovran dhe ky do të jetë orientimi ynë”, deklaroi Veseli në Gjilan.
Kryetari i Kuvendit dhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Veseli angazhohet për plotësimin e kërkesave të Uashingtonit për suspendimin e taksës, si dhe paraardhësi i tij në krye të PDK-së, presidenti aktual i shtetit, Hashim Thaçi. Nga ana tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj mbetet këmbëngulës në qëndrimin se taksa do të hiqet vetëm atëherë kur Serbia do të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.(koha.mk)