Dita e flamurit dhe pavarësisë së shtetit shqiptarë është rrumbullakësimi i sakrificës së vazhdueshme të më shumë gjeneratave ndër shekuj, me objektiv krijimin e shtetit shqiptar në trojet etnike shqiptare. Falë kësaj sakrifice të madhe, më 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë, Ismail Qemali me patriotët më të mëdhenj të kohës shpallën pavarësinë e Shqipërisë, pavarësi kjo që u legjitimua ndërkombëtarisht në më pak se gjysma e tokave shqiptare, citon në urimin e tij kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.
“Sot, në këtë ditë të madhe për kombin, duhet të konstatojmë me maturi të madhe se shqiptarët vazhdojnë të jenë nën një betejë të vazhdueshme për të rikonfirmuar veten si anëtar të respektuar në familjen e kombeve perëndimore. Nuk ka dilemë se shumë procese kanë lëvizur përpara, por nuk duhet harruar se sfidat e kombit shqiptar janë po aq komplekse dhe sfiduese si edhe një shekull më parë. Kërkohet angazhimi i të gjitha kapacitetve kombëtare në udhëheqjen e kombit në të gjitha tokat shqiptare që përvjetoret e radhës të mos jenë vetëm kujtime historike, por edhe shpresë dhe ardhmëri më e ndritur për kombin shqiptarë.
Dita e Pavarësisë është dita e përjetësisë së një kombi, dita më e rëndësishme dhe më jetike për pjesëtarët e tij. Andaj, më lejoni që në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe në emrin tim personal, të gjithë shqiptarëve t’ua uroj Ditën e Flamurit – Ditën e Pavarësisë”, citohet në urimin e Memedit.