Jan Vertonghen thotë se teknologjia VAR ka hequr shumë gjëra nga futbolli, pas humbjes 2:1 të Tottenhamit nga Leicester City në “King Poëer Stadium”. Harry Kane i dha epërsinë Tottenhamit dhe klubi londinez mendoi se e dyfishoi epërsinë me anë të Serge Aurierit. Por, VAR-i e anuloi këtë gol për shkak se Son Heung-Min ishte në pozicion jashtë loje gjatë zhvillimit të aksionit, duke qenë vetëm për pak milimetra përpara Koresë së Jugut.
Leicesteri barazi dy minuta më vonë, para se James Maddison të shënojë golin e fitores pesë minuta para përfundimit të lojës, duke ia shkaktuar humbjen e dytë të edicionit Tottenhamit, transmeton zeri.info
Vertonghen kishte mbetur i pakënaqur me intervenimin vendimtar të VAR-it pas ndeshjes, por në fund e pranoi se sistemi kontrovers është për të mirën e lojës.
“Sigurisht duhet t’i besoni VAR-it për ta marrë vendimin e duhur”, u shpreh Vertonghen. “Ishte në të mirë tonën në pjesën e parë (kur Leicesterit iu anulua goli i Wilfred Ndidit për shkak të pozitës jashtë loje), në anën e tyre në pjesën e dytë. E bën futbollin një lojë ndryshe, i heq shumë gjëra asaj. Është për të mirë, por ka ndryshuar shumë”, ka shtuar 32-vjeçari.
Ekipi i Mauricio Pochettinos kishte përfituar shumë nga përdorimi i teknologjisë në edicionin e kaluar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Manchester Cityt. Goli në minutën e fundit i Raheem Sterlingut u anulua pas rishikimit të VAR-it, që bëri që Totenhami të shkojë në gjysmëfinale të kompeticionit më prestigjioz evropian për klube.
Vertonghen e pranoi që ishte e dhimbshme ta shihte golin e Aurierit të anulohet në fundjavë, derisa shtoi: “Është e dhimbshme. City me siguri e ndjeu të njëjtën gjë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Ishte distanca e njëjtë. Ishte e vështirë sepse mendova se po bënim mirë, ne menduam se po shkonim në 2:0. Ne po mbroheshim mirë. Ne nuk krijuam shumë raste, por u ndjemë komod. Loja vazhdon. Merr shumë kohë për t’i marrë këto vendime. Mendoj se ne gjithashtu e merituam një penallti në pjesën e parë në Danny Rosen – dukej e tillë. Sidoqoftë, është e vështirë kur vendimi është kundër teje dhe është i mirë kur është për ty”.