Diskriminimi gjuhësor ndaj Ajet Rexhepit kishte ndodhur në vitin 2012, kur ai bashkë me një koleg të tij, po ashtu i punësuar në Komunën e Gazi Babës, e kanë transferuar një byro nga një zyrë në tjetrën. Biseda në shqipe të cilën e kishin zhvilluar ata i kishte penguar punonjëses maqedonase dhe ish-kryetarit të Komunës, Toni Trajkovski. Megjithatë, problemet e Rexhepit kanë vazhduar edhe me kryetarin e ri, atë të LSDM-së
Omer XHAFERI
Shkup, 17 shkurt – Gjykata Civile në Shkup, për herë të dytë ka miratuar aktgjykim me të cilën vërtetohet diskriminimi gjuhësor dhe etnik nga Komuna e Gazi Babës, ndaj nëpunësit të saj Ajet Rexhepi. Kjo gjykatë edhe njëherë e kishte vërtetuar faktin se ndaj nëpunësit Rexhepi, është bërë shkelje ligjore (diskriminim në bazë të gjuhës dhe përkatësisë etnike në sferën e punës dhe marrëdhënieve të punës). Por pas ankesës deri te Gjykata e Apelit në Shkup nga Komuna e Gazi Babës, lënda është kthyer në ripërsëritje. Rexhepi, i punësuar në Komunën e Gazi Babës, për gazetën KOHA, sqaron se ish-kryetari i kësaj komune, Toni Trajkovski, në vitin 2012 ua kishte ndaluar të flasin dhe zhvillojnë biseda jo formale në gjuhën shqipe. Një qasje selektive e kryetarit të asaj kohe, ndryshe i njohur në opinion si ndër të akuzuarit e parë në rastin “Kosmos” të PSP-së, për Ajet Rexhepin kishte qenë e papranuar dhe fillimisht rastin e kishte denoncuar para Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi dhe më pas para instancave gjyqësore.
REXHEPI NUK HEQ DORË NGA KËRKIM-FALJA E KOMUNËS
“Ne i kemi pasur dy kërkesa në padinë e dorëzuar në Gjykatën Themelore Shkupi 2. Kërkesa e parë ka qenë që Komuna e Gazi Babës, publikisht të kërkoj falje dhe kërkesa e dytë ka qenë që gjykata të konstatoj se ka pasur shkelje të Ligjit nga aspekti gjuhësor dhe etnik. Pjesa e dytë është pranuar. Ndërsa, kërkesën e dytë ku kemi kërkuar që Komuna e Gazi Babës të na kërkoj falje publike, nuk e ka pranuar. Prandaj ky aktgjykim është i pjesërishëm. Pra, vendimi kësaj radhe është i njëjtë, në favor timin, ku vërtetohen diskriminim ndaj meje, me elaborim të detajuar për Gjykatën e Apelit”, thotë Rexhepi.
Ankesa e Komunës së Gazi Babës ndaj vendimit të parë në rastin e Ajet Rexhepit, kishte ndodhur nga administrata aktuale e kësaj njësie të vetëqeverisjes lokale, e udhëhequr nga kryetari i LSDM-së, Boris Georgievski. Pas vendimit të fundit të Gjykatës Civile, Ajeti vlerëson se Komuna e Gazi Babës dhe kryetari Georgievski, duhet të pajtohen me vendimin gjyqësor dhe mos të zvarrisin më tepër procedurën me ankesa para Gjykatës së Apelit.
“Nuk di si do të vepron tutje pala tjetër. Ne edhe herën e parë kur u ankimua vendim në Apel, kërkuam që komuna ta pranoj faktin se është bërë diskriminim dhe të shikojmë të rregullojmë këtë gabim i cili është bërë nga garniture e mëparshme. Mirëpo, unë pres edhe pse skam informacione zyrtare që ata edhe kësaj radhe të animojnë vendimin e Gjykatës Civile, pasi që për ata është e pa pranuar që ky presedan në vendin tonë, ku me dokument vërtetohet se komunikimi jo formal në zyre të shtetit, administratës mes dy të punësuarve shqiptar apo të ndonjë nacionaliteti tjetër që nuk e flet gjuhën maqedone, është i lejuar. Është e pa pranuar në shekullin 21 në zyrat lokale të një komune, ku jemi pakicë ne shqiptare, dy nëpunësve shqiptar t’ju ndalohet komunikimi në gjuhën amtare”, thekson Rexhepi.
Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boris Georgievski, duke folur për gazetën KOHA, nuk e thekson se vallë do të ankimojë këtë vendim edhe njëherë para Gjykatës së Apelit në Shkup, ose do ta pranojë faktin se ndaj Ajet Rexhepit, është bërë diskriminim në bazë të gjuhës dhe etnisë, ashtu siç edhe ka vendosur Gjykata Civile. “I njoftuar jam se një procedurë e tillë po zhvillohet. Pas shqyrtimit, do ta vërtetoj gjendjen faktike çka mund të bëjmë në këtë drejtim së bashku me zotëri Rexhepi. Do t’i shohë cilat janë bazat të cilat i ka vërtetuar gjykata. Për momentin, aktgjykimin e fundit nuk e kam para vete dhe nuk mund të jap qëndrim. Komente shtesë nuk mund të jap pasi nuk i kam të gjitha informacionet para vete”, tha Georgievski.
GJITHÇKA FILLOI NË VITIN 2012
Diskriminimi gjuhësor ndaj Ajet Rexhepit, për ndalimin e përdorimit të gjuhës shqipe në bisedë formale me kolegët e tij ka ndodhur në vitin 2012. Ngjarja kishte ndodhur kur Ajeti dhe kolegu i tij, D.I, po ashtu i punësuar në Komunën e Gazi Babës, e kanë transferuar një byro nga një zyrë në tjetrën. Biseda të cilën e kishin zhvilluar ato ka qenë e rëndomtë dhe nuk ju ka dedikuar personave të tretë, aq më pak kryerjes së detyrave të punës.
“Në hapësirat ku është dashur të transferohet byroja, ka qenë kolegia e tyre C.K, e etnisë maqedonase, dhe kur i ka dëgjuar se si flasin në gjuhën shqipe – ashpër ka reaguar dhe menjëherë rastin e ka denoncuar te Udhëheqësi i sektorit M.Z. Menjëherë pas këtij rasti, nga M.Z është thirrur mbledhje dhe dy punonjësve shqiptare i është thënë që komunikimin ta kryejnë në gjuhën zyrtare në maqedonisht, në pajtim me dispozitat ligjore dhe se gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare në Komunën e Gazi Babës”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës Civile.
Qasjen e padrejtë ndaj tij, Ajet Rexhepi, e kishte animuar para Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi. Ndërkohë, ky Komision më 30 qershor ka konstatuar se nuk ekzistojnë elemente të diskriminimit. Në bazë të njëjtë, deri te ky Komisioni, Ajet Rexhepi, më 23 qershor të vitit 2016, kishte dërguar ankesë kundër Komunës së Gazi Babës dhe kryetari të saj Toni Trajkovski.
“Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi me 02.03.2017 ka sjell Mendim ku janë konfirmuar elemente të diskriminimit në një pjesë të parashtresë së A.R dhe në të njëjtën është dhënë rekomandim në pajtim me nenin 28nga Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen e diskriminimit, i paditur ta largoj shkeljen e të drejtë ndaj A.R në afat prej 30 ditëve pas pranimit të rekomandimit, për të cilin veprim duhet ta njoftoj edhe Komisionin për mbrojtjen nga diskriminimi. I paditur aspak nuk ka vepruar në bazë të rekomandimit të Komisionit dhe në këtë mënyrë, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për ndalim dhe parandalim të diskriminimit, respektivisht ka bërë diskriminim në bazë të gjuhës në sferën e punës dhe marrëdhënieve të punës”, thuhet në vendim e Gjykatës Civile në Shkup. (koha.mk)