Verstappen triumfon në Malajzi, Hamilton i dyti, Vettel i katërti

22

Max Verstappen ka fituar garën e Çmimit të Madh të Malajzisë në Formula 1, suksesi i dytë në karrierë për pilotin e ri holandez, që bëri një garë fantastike, të dominuar nga starti deri në finish. Pasi parakaloi Lewis Hamilton pas xhiros së parë, talenti 20-vjeçar nuk e lëshoi kreun deri në fund, duke rigjetur buzëqeshjen në një sezon të vështirë për të dhe të mbushur me tërheqje. I dyti u rendit kryesuesi i renditjes botërore, Lewis Hamilton me Mercedes, që sot më shumë u interesua për të grumbulluar pikë se sa për të fituar. Në podium u ngjit edhe makina tjetër Red Bull, ajo e Daniel Ricciardo, që në xhirot e fundit i rezistoi sulmeve të Sebastian Vettel me Ferrari, që u nis nga vendi i fundit por e mbylli atë në vendin e katërt.

Gara nis me surpriza, madje janë të shumta që pa nisur. Kimi Raikkonen, që dje u rendit i dyti në provat zyrtare, ka një problem mekanik dhe nuk e nis atë. Pasi del në start, ai rikthehet nga mekanikët në bokse dhe nuk del më, duke mos zhilluar asnjë metër garë. Ai që befason pas startit është Max Verstappen me Red Bull, që i mjafton një xhiro për të parakaluar Lewis Hamilton. Makina austriake është e shpejtë dhe kjo duket edhe me pilotin tjetër të Red Bull, Daniel Ricciardo, që parakalon makinën tjetër Mercedes, atë të Valtteri Bottas. Ndërkohë që, spektakël dhuron edhe makina tjetër Ferrari, ajo e Sebastian Vettel, që e nisi garën nga vendi i fundit.

Piloti gjerman i “kokëkuqes” nis të rikuperojë gradualisht nga xhiro në xhiro dhe në mesin e garë e sheh veten në vendin e katërt, duke parakaluar edhe Bottas falë një strategjie më të mirë. Vettel e nis garën me gomat e mesme dhe më pas monton ato të butat, duke shënjestruar edhe podiumin. Në krye të garës qëndron i pashqetësuar Verstappen, që bën një garë më vete, ndërsa Hamilton nuk është në gjendje të rivalizojë me pilotin e ri holandez. Emocionet e vetme në xhirot e fundit i dhuron Vettel, që tenton të kapë podiumin, por pa sukses, pasi dorëzohet shpejt, teksa kupton se e ka të pamundur të kapë australianin Ricciardo, i treti.

Kështu, Verstappen triumfon në garën e Malajzisë, suksesi i dytë në karrierë për holandezin, i pari për të këtë sezon, duke lënë pas Hamilton, që bëri një garë në heshtje, por mori pikë të rëndësishme për Botërorin. Tashmë piloti britanik ka 34 pikë avantazh karshi Vettel, shumë me Botërorin që i afrohet finishit. Në podium edhe Ricciardo, duke konfirmuar se pista e Kuala Lampur është e përshtatshme për makinën Red Bull, ndërsa Vettel kënaqet me vendin e 4-t, por i vetëdijshëm se ky ishte maksimumi, pasi rikuperoi 16 pozicione (pati një incident pas garës me Stroll, me makinat që u përplasën pas finishit, në xhiron përshëndetëse). Në zonën e pikëve u klasifikuan edhe Bottas (Mercedes), Perez (Force India), Vandoorne (McLaren), Stroll e Massa me Williams si dhe Ocon (Force India). Pas një jave zhvillohet gara e radhës, ajo e Japonisë.

Verstappen parakalon Hamilton

Comments are closed.