Gjatë ditës së hënë, banorët e këtij fshati kishin përjetuar ankthin e radhës që të mos ndodh më e keqja, njëjtë si në vitin 2015 dhe 2017. Banorët gjatë ditës së martë sërish kishin dalë për të rregulluar urën, e cila me siguri do të mbijetojë derisa të vijnë reshjet e radhës
Urim HASIPI
Tetovë, 18 qershor – Pas çdo reshje të shiut, njëra nga urat në fshatin Poroj zakonisht dëmtohet dhe një pjesë e madhe e fshatit mbetet e ndarë nga pjesa tjetër. Kështu ndodhi edhe dje me këtë urë, e cila si pasojë e prurjeve të mëdha të dheut, rërës dhe baltës u dëmtua tërësisht. Kjo është hera e shtatë që urat dëmtohen që nga vitet e 50-ta, thonë banorët, shkruan gazeta KOHA. Ata thonë se kanë shumë premtime, por nuk është bërë asgjë. Sipas tyre, shtrati i lumit është i dëmtuar dhe nga reshjet e mëdha, uji sjell me vete edhe shumë mbetje, duke rrezikuar kështu jetën dhe pronat e tyre. “Kanë ardhur dhe kanë shkuar, e kanë parë situatën si është, kanë dhënë premtime dhe janë larguar. Premtime kanë bërë mjaft, që 10 vite, 20 vite, por asgjë nuk është bërë. Shtatë herë janë rregulluar këto ura në fshatin tonë. Të gjithë kanë qenë në vizitë, por nuk besoj se do të rregullohet diçka. Nuk është bërë asgjë. Krejt fshati është në rrezik, por dëmi më i madh është tek njëra urë. Kur vjen sasi e madhe ujit, me vete sjell gjithçka, gurrëz, tokë, drunj, dhe të gjitha i sjell këtu. Njerëzit, kur ka rreshje të mëdha të shiut, dalin në rrugë, nuk qëndrojnë në shtëpi, frikësohen sepse na kanë lajmëruar se vjen sasi e madhe e ujit prej lart” thonë banorët e fshatit Poroj.
Banorët theksojnë se Qeveria nuk ka marrë asnjë masë konkrete. Ata kërkojnë që menjëherë të merren masa për pastrimin e shtratit të lumit. “Digat janë dëmtuar dhe nuk janë rregulluar. Nuk ka punuar askush deri më sot. Komuna ka bërë pastrimin e shtratit të lumit para një muaji. Nëse nuk pastrohej lumi, tërë rruga do të bllokohej sërish. Sa i përket Qeverisë, asnjëherë nuk ka marrë masa në fshatin Poroj, si kryeministri i parë dhe as tash Zaevi. Rreziku është shumë i madh dhe frika ekziston sepse nëse shembet toka në fshatin Gjermë, atëherë tërësisht do të shkatërrojë Porojin dhe Xhepçishtin, prandaj duhet të intervenohet”, tha Xhevahir Bilalli, nga Bashkësia lokale e fshatit Poroj.
Gjatë ditës së hënë banorët e këtij fshati kishin përjetuar ankthin e radhës që të mos ndodh më e keqja, njëjtë si në vitin 2015 dhe 2017. Banorët gjatë ditës së martë sërish kishin dalë për të rregulluar urën, e cila me siguri do të mbijetojë derisa të vijnë reshjet e radhës. Reshjet e shiut tashmë janë rikthyer në një makth të vërtetë për këta banorë, të cilët druajnë nga më e keqja, sepse vërshimet në të kaluarën kanë shkaktuar shumë dëme në këtë fshat që ndodhet jo më shumë se 3 kilometra nga qyteti i Tetovës. Dëmet më shumë janë shkaktuar në urat e këtij fshati, të cilët janë riparuar para dy vitesh, por ajo që ngel për t`u rregulluar dhe për të mbrojtur fshatin janë digat e dëmtuara që janë ndërtuar në kohën e ish Jugosllavisë dhe tashmë nuk kryejnë asnjë funksion parandalues për vërshime. Krahas kësaj, dëme sipas banorëve ka edhe në pronat bujqësore në fund të fshatit, të cilët e kanë burim të vetëm për mbijetesë. (koha.mk)