Tetovë, 8 nëntor – Gjithmonë kur kemi të reshura të mëdha të shiut, mbikalimi në hyrje të Tetovës, nga pjesa e Gostivarit, gjegjësisht pjesa nën urën e rrugës që vijon për në Shkup, mbushet me ujë, kurse kjo vështirëson së tepërmi qarkullimin e lirë të automjeteve në këtë pjesë të autostradës Gostivar – Tetovë – Shkup. Si pasojë e kësaj, të martën e njëjta ka qenë e pakalueshme dhe komunikacioni është orientuar në rrugë të tjera për shkak të rrezikut. Nuk është hera e parë që kjo pjesë e autostradës mbushet me ujë kur ka reshje të mëdha atmosferike në Pollog. Në orët e pasdites, në atë pjesë është intervenuar dhe e njëjta është lëshuar për qarkullim, por në kushte të vështirësuara. Në ndërkohë, rritja e nivelit të ujit të Lumit Shkumbin, ka bërë që të ketë vërshime edhe dalje të Tetovës afër fshatit Falisht, ndërsa po ashtu probleme janë shfaqur edhe në kanalizimin atmosferik në brendi të qytetit të Tetovës. Institucionet lokale dhe ato qendrore deri në mesditë kanë heshtur lidhur me këto probleme që janë shfaqur në Tetovë. Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë, ka qenë i pakapshëm lidhur me kanalizimin dhe problemet në brendi në qytet. Kryeshefi i Njësisë së zjarrfikësve të Tetovës, Uka Aliti, ka theksuar se kanë dalë në teren dhe kanë informuar të gjitha institucionet, kurse nga qendra për menaxhim me kriza na kanë drejtuar në Policinë e Tetovës. Problemet e këtilla nuk janë ndonjë risi në këtë rajon, kur bëhet fjalë për vërshime, por vetëm kemi marrë informacion nga zjarrfikësit të cilët kanë bërë të ditur se situata momentalisht është nën kontroll, përderisa dukshëm është rritur niveli i ujit të Lumit Shkumbin. (U.H.)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.