Vërshimet dëmtuan të mbjellat bujqësore

23

Banorët që kanë dëme në tokat e tyre kërkojnë që sa më shpejtë të del në terren një komision për të bërë vlerësimin e dëmeve dhe kompensimin, ngase krahas pastrimit të tokës nga mbeturinat, po ashtu janë dëmtuar edhe të mbjellat

Urim HASIPI

Tetovë, 1 korrik – Reshjet e shiut të 24 qershorit, të cilët shkaktuan vërshime të lumenjve në rajonin e Komunës së Tearcës, kanë shkaktuar dëme në pronat bujqësore. Banorët e fshatit Tearcë thonë se është devijuar shtrati i lumit Lumbardh dhe ka dëmtuar të mbjellat në arrat e tyre. Ata thonë se kanë kërkuar nga institucionet që të kompensohen dëmet, por deri më tani askush nga pushteti qendror nuk ka dalë në terren që të bëjë vlerësimin e dëmeve. “Ato që i kam mbjellë si misër dhe speca janë shkatërruar tërësisht. Te institucionet kemi qenë, nuk na merr askush parasysh. Tash lumi e ka ndryshuar tërësisht shtratin dhe nuk mund të bëjmë intervenime pa ardhur komisioni për të bërë vlerësimin e dëmeve”, thotë një banorë nga ky fshat.

Në ndërkohë, sikurse në shumë vendbanime tjera, po ashtu edhe në Tearcë, në shtratin e lumit Lumbardh hidhen mbeturina të shumta. Kjo ka bërë që kur ka reshje të shiut dhe të rritet niveli i ujit, të shkaktohen vërshime dhe njëkohësisht të devijohet rrjedhja normale e lumit. Banorët pohojnë se krahas neglizhencës së institucioneve, po ashtu problem është se edhe shumë qytetarë shtratin e lumit e shfrytëzojnë për të hedhur mbeturina.

“Banorët duhet që të jenë të kujdesshëm që në pjesët më të larta të fshatit të mos hedhin mbeturina, sepse të njëjtat uji i sjell poshtë në pronat tona që janë të mbjella, dhe kësaj radhe kemi shumë dëme. Ndihmë kemi kërkuar, por ende nuk është bërë ndonjë vlerësim”, thonë banorë të këtij fshati që kanë dëme në pronat e tyre.

Banorët që kanë dëme në tokat e tyre kërkojnë që sa më shpejtë të del në terren një komision për të bërë vlerësimin e dëmeve dhe kompensimin, ngase krahas pastrimit të tokës nga mbeturinat, po ashtu janë dëmtuar edhe të mbjellat. “Kjo vërtetë është fatkeqësi natyrore, por faj ka edhe faktori njeri. Duhet që të pastrohet prona nga këto mbeturina, pastaj duhet që edhe lumi ë kthehet në shtratin e tij ku e ka patur më herët”, pohojnë banorët.

Kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani, premton se dëmet do të kompensohen. Ai shprehet se pas përmbytjeve është formuar një komision, i cili do të bëjë vlerësimin e dëmeve të cilët janë shkaktuar nga vërshimi i lumenjve në territorin e Komunës së Tearcës. “Komisioni ka marrë të dhëna, ka bërë evidencën, kemi informuar qytetarët edhe në fshatin Dobrosht edhe në Tearcë që me dokumentacion përkatës, respektivisht me fletëpronësi të paraqiten dhe të deshifrohen saktë se ku janë shkaktuar dëmet, dhe ne si Komunë më pas do ti përcjellim tek pushteti qendror që të bëhet kompensimi”, thotë Asani.

Më 24 qershor reshjet e shiut kanë rritur dukshëm nivelin e ujit duke shkaktuar vërshime të mëdha në territorin e Komunës së Tearcës. Për dy ditë me radhë ishte bllokuar rruga Tetovë – Jazhincë në fshatin Odër, kurse sipas kreut të Komunës së Tearcës, Isen Asani, që në vitin 2015 është kërkuar nga qeveria që të bëjë pastrimin e shtretërve të lumit, por nuk janë lëshuar mjete dhe ka ardhur deri tek kjo situatë. Banorët nga këto fshatra kanë kërkuar që shteti të merret më seriozisht me problemin e pastrimit të shtretërve të lumenjve, sepse situata të këtilla mund të përsëriten sërish. (koha.mk)

Comments are closed.