Ai është një nga mesfushorët më të fortë të prodhuar ndonjëherë nga futbolli italian në njëzet vitet e fundit dhe megjithatë, në mënyrë paradoksale, ai nuk ka luajtur kurrë në Serinë A. Marco Verratti ka veshur fanellën e PSG-së për gati dhjetë vjet dhe pikërisht në Francë ai është shenjtëruar si një nga më të fortët e brezit të tij.
Në Paris ka fituar 27 trofe, një rekordmen për sa u përket fitoreve në Ligue 1, Kupën e Francës, Kupën e Ligës dhe Superkupën e Francës. Verratti, në një intervistë të gjatë për “L’Equipe”, ka shpjeguar mënyrën si e sheh futbollin.
“Unë e shoh futbollin si sport kolektiv, nuk më intereson kush shënon. Ne fitojmë së bashku dhe secili prej nesh duhet të bëjë pjesën e tij. Synimi im është ta bëj skuadrën të luajë mirë, t’i jap qetësi, të bëj përpjekje për shokët e mi dhe të rikuperoj topat”. Cilësitë e shkëlqyera teknike përfaqësojnë armën e tij shtesë.
“Nuk e godas topin pa e ditur se ku do të shkojë. Nëse marr dy kundërshtarë me vete, do të thotë që një ose dy shokë të skuadrës çlirohen.” Shumë shpesh kanë theksuar faktin se Verratti tenton të rrezikojë shumë me posedimin e topit.
“Është një problem që e kam pasur pothuajse me të gjithë trajnerët. Ancelotti në fillim më mori mënjanë dhe më tha: “Marco, të lutem, kur je nën presion, mbylli sytë dhe godite sa më shumë”. Më vonë, më tha: Mirë Marco, bëj çfarë të duash, sepse e di që është loja jote. Ose të ul në stol, ose do të të dua ashtu siç je, nuk do të ndryshosh kurrë”.
Në vitin 2022, Verratti do të mbushë 30 vjeç. “Ndihem mirë, do të doja të argëtoheshim më shumë. Ndonjëherë, kur shoh se kanë mbetur vetëm pesë, gjashtë apo shtatë vite karrierë, i them vetes se me të vërtetë duhet të përfitoj nga çdo ndeshje dhe çdo stërvitje për të bërë gjithnjë e më shumë”.