Gjatë vitit 2018, siç njoftoi Shilegovi, në Shkup janë ndërtuar 14 kilometra për biçikleta, gjegjësisht deri në fund të këtij viti pritet të përfundojnë 16 kilometra të reja
Shkup, 17 shtator – Lidhja e pjesës veriore të Shkupit me atë lindor me shtigje për biçikleta është sfida më e madhe e administratës së Qytetit të Shkupit. Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, duke prezantuar nismën për avancimin e infrastrukturës për biçikleta në kryeqytet, tha se në një të ardhme të afërt do ta zgjidhim edhe këtë çështje, shkruan gazeta KOHA.
Rajoni të cilit iu referua kreu i Shkupit e përfshinë Butelin, Shuto Orizaren dhe Çairin. Nga numri i përgjithshëm i rrugëve në këtë pjesë të Shkupit, gati 90 për qind prej tyre nuk kanë shtigje për biçikleta. Një konstatim të tillë e japin edhe organizatat joqeveritare që merren me çështjet e problemeve urbane, me theks të veçantë të çiklistëve. Sipas tyre, infrastruktura për biçikleta nga lagja e Butelit e deri në Kisella Vodë është e mjerueshme, për të mos thënë inekzistente.
Ndërkohë, shumë më të volitshme janë shtigjet nga Gjorçe Petrovi e deri në lagjen Aerodrom.
Gjatë vitit 2018, siç njoftoi Shilegovi, në Shkup janë ndërtuar 14 kilometra për biçikleta, gjegjësisht deri në fund të këtij viti pritet të përfundojnë 16 kilometra të reja.
“Dy vite nga sot besoj se të gjitha lagjet e Shkupit do të jenë të lidhura mes vete me shtigje për biçikleta. Zhvillimi i rrjetit për biçikleta është parakusht për avancimin e çiklizmit si alternative e qëndrueshme e trafikut të krijuar nga automjetet. Paralelisht jemi duke zhvilluar luftë të hapur me parkimet e parregullta, gjegjësisht me automjetet që parkohen në vende publike. Për këtë arsye kemi vendosur me shtylla të hekurta. Gjatë dy viteve të kaluara janë vendosur gjithsej 6 kilometra të këtyre pajisjeve urbane”, tha Shilegov.
Në seancën e Këshillit të Shkupit të caktuar për datë 19 shtator është paraparë diskutim edhe rreth kësaj çështje, ku edhe pritet të miratohet plani i ri për avancimin e infrastrukturës për biçikleta për periudhën 2019-2021. (koha.mk)