Verërat e Maqedonisë mund të promovohen në Kroaci, është tejkaluar problemi për plasman në treg

Shkup, 10 qershor – Verërat e Maqedonisë do të mund të promovohen në Kroaci me emrat e tyre gjeografikë. Problemi me plasmanin që para pak kohësh u paraqit për shkak të dispozitave kontestuese nga Ligji i ri për verë të Republikës së Kroacisë, të cilët kanë karakter restriktiv ndaj verërave me origjinë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, përmes komunikimit me autoritetet kroate me sukses është tejkaluar, njofton Koha.mk

Këto dispozita, siç kumtoi Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, nuk ishin në pajtueshmëri me Rregullativën  1308/2013 që është obliguese për Kroacinë, si vend anëtar i BE-së, e as me Protokollin shtesë për verë mes vendit tonë dhe BE-së, si dokument bazë që plotësisht i rregullon marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së nga aspekti i verës. Në zgjedhjen dhe tejkalimin e problemit, siç bëhet e ditur, morën pjesë edhe përfaqësues të Komisionit Evropian.

“Më të prekur nga ky problem ishin bodrumet e verës të cilat eksportojnë verë në Republikën e Kroacisë. Iu ishte ndaluar që në çfarëdo lloj forme ta reklamojnë dhe promovojnë verën nga shteti jonë me emrat gjeografikë. Restrikcionet e tilla do të shkaktojnë uljen e shitjes në marketetet, të cilët ekzistonte rrezik real që të ndalojnë ta blejnë verën e Maqedonisë”, thuhet në kumtesën e MBPEU-së.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski periudhën e kaluar, siç bëhet e ditur, kishte takime intensive pune me ambasadoren e Republikës së Kroacisë Daniella Barishiq, ndërsa ishte dërguar edhe letër deri te ministri kroat i Bujqësisë Tomisllav Tolushiq.

“Tani verërat me origjinë nga Republika e Maqedonisë së Veriut do të mund të reklamohen dhe promovohen në Republikën e Kroacisë. Kjo është me rëndësi për bodrumet e verës sepse Kroacia është destinacioni i dytë eksportues për verë në shishe nga Maqedonia.    Me tejkalimin e shpejtë të problemit bodrumet e verës përsëri e normalizuan punën e tyre, gjegjësisht shitja e verës në tregun e Kroacisë, para fillimit të sezonit turistik veror kur ka kërkesë më të madhe të verës”, qëndron në kumtesën e MBPEU-së(koha.mk)