Rrjetin e “lypsarëve” në Çarshi në masë të madhe e përbëjnë gra dhe fëmijë rom. Qoftë verë apo dimër, ato i ke nëpër çdo cep të saj. Prezenca e tyre sidomos shtohet gjatë fundjavës dhe lutjeve të së premtes. Ndërkohë ekzistojnë edhe fëmijë të tillë që “keqpërdoren” nga të afërmit e tyre dhe nxirren në çarshi për të shitur gjësende të vogla. Organet përkatëse ndërkohë nuk e lodhin kokën aspak
Omer XHAFERI
Shkup, 21 maj – Ankesa shumë, zgjidhje fare. Kjo është situata e cila vite me radhë mbizotëron në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Pjesë e problemeve, apo ndryshe thënë – brengë e përditshme e dyqanxhinjve të kësaj çarshie janë “lypsarët”, kryesisht ato të komunitetit rom, të cilët për çdo ditë janë prezent nëpër rrugicat e kësaj ane të Shkupit, shkruan gazeta KOHA.
Shqetësimi më i madh i esnafit të Çarshisë së Shkupit janë kërkesat e përditshme dhe të paarsyeshme të kësaj kategori të “lypsarëve” për të cilën ekzistojnë dyshime serioze se manipulohen dhe keqpërdoren për qëllime fitimprurëse.
Nëse dikur Esnafi i Çarshisë ishte optimist se kjo çështje do të zgjidhet me kalimin e kohës, ata sot shprehen skeptik se një gjë e tillë mund të ndodhë. Kryetari i “Esnafit”, Bejtullah Morina, për gazetën KOHA shprehet se këtë hall e ka përcjellë në nivele më të larta të pushtetit, por fatkeqësisht – deri më tani askush nuk i ka përfillur kërkesat e tyre.
“Kemi informacione serioze se një pjesë e ‘lypsarëve’ drejtë Çarshisë së Shkupit transportohen me mini-bus. Kjo realisht është një biznes të cilët dikush e lejon të ndodh. Ne si shoqatë nuk kemi fuqi ta parandalojmë. Ju jemi drejtuar të gjitha institucioneve, mirëpo zgjidhje s’ka. Fjala ishte që Qyteti i Shkupit të iniciojë një sigurim privat dhe më pas ne ta mirëmbajmë, por as ky premtim nuk po realizohet. Po zvarritet tash e dy vite. Nga ana tjetër, policia arsyetohet se nuk ka nëpunës të mjaftueshëm që të jenë prezent vazhdimisht në Çarshi. Këndej dyqanxhinjtë në vazhdimësi po bezdisen”, shprehet Morina.
Rrjetin e “lypsarëve” në Çarshi të Shkupit në masë të madhe e përbëjnë gra dhe fëmijë rom. Qoftë verë apo dimër, ato i ke nëpër çdo cep të saj. Sidomos prezenca e tyre shtohet gjatë fundjavave dhe lutjeve të së premtes. Ndërkohë ekzistojnë edhe fëmijë të tillë që “keqpërdoren” nga të afërmit e tyre dhe nxirren në Çarshi për të shitur stilolapsa dhe fasuleta. Qytetarët që vendosin që një kohë të ditës ta kalojnë në ndonjërën prej çajtoreve apo kafeneve të Çarshisë, tashmë e kanë të qartë se brenda një ore gjasat janë shumë të mëdha që të vizitohen nga dy-tre “lypsarë”. Ndryshe, në anën tjetër të Vardarit ekziston një realitet krejtësisht tjetër. Pjesëtarë të Esnafit kur e bëjnë krahasim mes personave që kërkojnë në dy anët e Vardarit, thonë se bujaria dhe humanizmi i qytetarëve që punojnë e veprojnë në Çarshi është njëri ndër shkaqet se pse “lypsarët” më tepër fokusohen këndej. Ata, mes tjerash shtojnë se viteve të fundit, ndonëse në numër të vogël, para dyqaneve të tyre hasen lypsarë edhe qytetarë të komunitetit maqedon, të shtyrë të moshë që u zgjasin dorën kalimtarëve, pronarëve të dyqaneve, por edhe turistëve.
Sidoqoftë, këtë situatë nuk ishin të gatshëm ta komentojnë nga Komuna e Çairit dhe aq më pak nga Ministria për Punë të Brendshme, e cila si institucion relevant – duhet të hetojë keqpërdorimet eventuale të fëmijëve. (koha.mk)