Evis HALILI
Shkup, 22 qershor – Vera e sivjetshme nuk do të jetë e njëjtë për një pjesë të komunave shqiptare. Manifestimet kulturore, që për disa prej tyre organizohen prej disa vitesh në formën e festivaleve, jo vetëm që ende nuk kanë filluar, por një pjesë prej tyre ende nuk dihet se çfarë do të përmbajnë programet festive, shkruan gazeta KOHA. Komuna e Tetovës, është një prej atyre që vitet e tjera e ka nisur më herët “Verën Kulturore të Tetovës”, manifestimin disa ditor që e organizon për rreth 20 ditë rresht, por që këtë vit jo vetëm që nuk e ka gati programin, por as datën se kur do të nisë. Ndryshe nga edicionet e tjera kur ky manifestim ka tërhequr vëmendjen duke ngjitur në skenë emra të njohur dhe ansamble artistike të spikatura.
“Nuk kemi ende një datë se kur do të nisë ‘Vera kulturore e Tetovës’, që gjithsesi do të zhvillohet. Se çfarë do të përmbajë programi ende nuk mund ta them, pasi jemi duke e përfunduar. Besoj se deri në fund të muajit do të jetë publik”, thotë për KOHA Ardi Ismaili nga Komuna e Tetovës. Ngjashëm edhe me Komunën e Çairit. Në fakt në këtë komunë, në Çarshi, aktivitetet kanë nisur të enjten, si pjesë manifestimit “Vera e Shkupit”, që organizohet nga Qyteti i Shkupit, por vetë komuna nuk ka publikuar asnjë lloj programi.
“Në ambientet e komunës kanë nisur manifestimet, si në Çarshi, por vetë ne nuk kemi përgatitur akoma asgjë. Besoj se do të ketë aktivitete gjatë muajve të verës, në koordinim edhe me institucionet e kulturës”, thotë Kushtrim Alla nga sektori i kulturës. Ndërkohë që në komunën e Gostivarit, manifestimi katër ditor, GosFest, që mbahet prej disa vitesh do të vazhdojë edhe këtë vit, si edhe “Gostivar Future Music Festival”.
“Manifestimi “Gosfest”, pritet të realizohet nga data 28 deri 31 korrik. Si ngjarje kryesore janë ekspozita e artit figurativ ndërkombëtare në bashkëpunim me “Draodacum”, koncert i muzikës bashkëkohore dhe vallëzimit teatral, shfaqje teatrale dhe edicioni i tretë i natës së poezisë ‘Vardar – rrjedhin vargje’, me pjesëmarrës edhe nga trojet shqiptare. Po ashtu në organizim të Këshillit Rinor të Komunës do të mbahet manifestimi kulturor ‘Gostivar Future Music Festival’. Qëllimi i organizimi të këtij manifestimi është promovimi dhe mbështetja e talenteve të rinj të qytetit”, deklaroi Driton Zenku, nga Shërbimi i Informimit.
Manifestimet kulturore, që organizohen nga vetë komunat, apo edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, si është “Vala e ngrohtë kulturore” apo “Qytet i kulturës”, janë më të shpeshta në komunat maqedonase, sesa ato shqiptare, qëllimi i tyre është që jo vetëm të demetropolizojnë kulturën, duke e zhvendosur edhe në periferi, por duke i kthyer komuna më të vogla në atraksione edhe për shkak të numrit të madh të emigrantëve që kthehen për pushime në vend.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara