Vera sjell zjarret në Pollog

Vetëm gjatë tre mujorit të fundit, në Tetovë dhe rrethinë janë shënuar më shumë se 200 zjarre, të cilët për fat të mirë, kanë përfunduar vetëm me dëme materiale

Urim HASIPI

Tetovë, 17 qershor – Ardhja e stinës së verës ka sjell telashe për zjarrfikësit. Fillimi i ngritjes së temperaturave ka shtuar tejmase zjarret në Pollog. Vetëm javën e fundit, sipas komandantit të Njësisë territoriale kundër zjarrit, është intervenuar në dy objekte banimi dhe në një zjarr të hapur. Uka Aliti, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Tetovës u apelon qytetarëve të jenë tejet të kujdesshëm sepse jo çdo herë zjarret që përhapen nga vet dora e njeriut, përfundojnë vetëm me dëme materiale, por mund të sjellin edhe pasoja në njerëz, shkruan gazeta KOHA.

“Brengos fakti që me fillimin e verës, apo me ngritjen e temperaturave, kemi tre raste të veçanta që unë mund të përmend dy objekte banimi-shtëpi që u përfshijnë në nga zjarri, por me intervenimin tonë, nuk lejuam që flakët të përfshijnë edhe objektet tjera. Fat në këto fatkeqësi se nuk kemi të lënduar as nga të punësuarit dhe as nga banorët. Qytetarët tanë duhet të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të aparaturave që i posedojnë nëpër shtëpi”, tha Aliti. Zjarre janë regjistruar edhe nëpër objekte afariste. “Këtë vit, ajo që na brengos është se kemi zjarre nëpër objekte afariste, shtëpi por edhe nëpër ndërtesa brenda në qytet. Kemi patur tre apo katër raste brenda këtij muaji, kurse po ashtu kemi intervenuar edhe në shuarjen e zjarrit nëpër automjete në komunikacion”, deklaroi Aliti. Nga Njësia territoriale kundër zjarrit apelojnë jo vetëm qytetarët e Tetovës, por edhe pesë komunat tjera rurale që të jenë shumë të kujdesshëm me kontrollet e aparateve shtëpiake dhe makinave, por edhe gjatë lëvizjes në natyre, sidomos gjatë përdorimin të zjarrit në vende të hapura.

Vetëm gjatë tre mujorit të fundit, në Tetovë dhe rrethinë janë shënuar më shumë se 200 zjarre, të cilët për fat të mirë, kanë përfunduar vetëm me dëme materiale. Rritja e temperaturave ka bërë që të shtohen rreziqet për përhapje të zjarreve në rajonin e Pollogut dhe më gjerë. Por sipas të dhënave zyrtare nga zjarrfikësit e Tetovës, deri më tani situata paraqitet më e mirë në krahasim me vitet e kaluara. “Qytetarët të mos ndezin zjarre në pyje, dhe në vende tjera për piknik të cilët janë të rregulluara me ligj. Të mos hidhen mbetje të cigareve, mbetje prej plastike, letra përskaj rrugëve. Të mos digjet kashta në hapësira bujqësore, të rregullohet me kohë makineria bujqësore që të mos rrjedhë lëndë djegëse dhe vaj nga motori, të cilët nga temperaturat e larta – shumë lehtë mund të ndizen”, sqarojnë nga Njësia e zjarrfikësve të Tetovës. (koha.mk)