Nga Selam SULEJMANI
Në historinë e mediave, transmetimi në radio hap perspektiva të reja. Krijon një “fole audience’, pra dëgjimin familjar dhe kolektiv mbrëmjeve në shtëpi, aty ku më vonë do të mbërrijë televizioni. Radioja e shtroi në mënyrë më të drejtpërdrejtë sesa kinemaja çështjen e relacioneve me shoqërinë dhe me shtetin, ngase në më shumë vende evropiane stacionet e transmetimit në radio, shfrytëzoheshin drejtpërsëdrejti edhe nga vetë institucionet shtetërore gjatë viteve tridhjetë. Sa i përket përmbajtjes së saj, radioja u ofron qytetarëve përvojën e dy modeleve të veçanta ose të përziera:
– modelin komercial që i jep përparësi lojërave, muzikës dhe argëtimit; dhe
– modelin edukativ që vlerëson normat e kulturës së ndritur.
Sikurse edhe shtypi në shekullin XIX, radioja, kur përparon “edicioni i lajmeve të folura” – ngre një sistem kontrolli të informacioneve të transmetuara, që i bën ato koherente me kulturën politike të çdo vendi. Për më tepër, radios i duhej të negociojë një “modus vivendi” me shtypin e shkruar. Arbitrimet e këtyre problemeve, vareshin nga kultura dhe zgjedhjet politike të vendeve të interesuara.
HAPAT E PARA TË RADIOS
Në vitin 1921-1922, transmetimi në radio, nisi pak a shumë në të gjitha vendet e industrializuara. Radiodifuzioni lindi nga transformimet e teknologjisë së radio – komunikacionit dhe nga domosdoshmëria e kompanive të mëdha të materialeve radio – elektrike, që e kishin zhvilluar fuqishëm prodhimin e tyre gjatë Luftës së parë botërore, për tu kthyer në tregje civile, edhe pse disa shoqëri të mëdha, veçanërisht në SHBA, e shfaqen me vonesë interesin për radiodifuzionin. Në fillim të viteve 1920 përdorimet joprofesionale të radios u kufizuan me radio – amatorët që komunikonin ndërmjet tyre brenda caqeve të ngushta të caktuara nga ushtarakët të cilët nuk shqetësoheshin për zhvillimin e një sistemi komunikimi ndër-personal të pakontrolluar, por megjithatë përhapnin një lloj entuziazmi dhe i jepnin një imazh shumë pozitiv teknikës së re. Në vitet e para – luftës, komunikimi me radio po shkonte drejt modelit të difuzionit. Plot vende mburreshin me emisione eksperimentale të transmetuara në radio përpara vitit 1914.
VEPRIMTARIA
Këtë rrugë të veprimtarisë së saj të emisioneve eksperimentale e filloi edhe Radio Televizioni i Tetovës, që nga themelimi, më 18 janar 1971. Bazuar në rolin e saj dhe ndikimin e gjerë në opinionin publik, besoj e meriton vëmendjen tonë, si njëri nga institucionet me kontribut të rëndësishëm në lëmin informativ. Qyteti i Tetovës, qendra e dytë më e madhe urbane pas Shkupit, kryeqendrës së vendit , vlerësojmë se ka nevojë që t’i kushtojë rëndësinë përkatëse edhe forcimit të medias, e cila sot vuan ditët më të vështira, sidomos media në gjuhën shqipe. Në qytetin tonë deri në fillim të viteve ’90-ta, Radio Tetova, ishte e vetmja ndërmarrje radio-difuzive që e mbulonte këtë sektor të rëndësishëm, i informonte qytetaret për të gjitha zhvillimet: arsimore, sociale, kulturore, politike, etj.
Me fillimin e proceseve demokratike në vend, fatmirësisht filluan edhe iniciativat e para qytetare për të themeluar edhe të tjera media në gjuhën shqipe, dhe në këtë mënyrë do të kontribuonin fuqishëm për informimin, edukimin dhe përparimin e shoqërisë sonë në valën e tranzicionit të vështirë në Republikën e Maqedonisë. Përmes kësaj kumtese (modeste) dëshiroj që në mënyrë specifike të shpalos edhe një herë rolin e Radio Tetovës, si medium i rëndësishëm dhe kontributin e saj në ngritjen e përgjithshme kulturore e arsimore të popullatës së këtij rajoni, i cili është i njohur për specifikat historike dhe tradicionale. Demokracia në këtë medium, pra në Radio Tetovë, arriti shumë më vonë se sa në institucionet tjera. Në vitin 1996, filluan ndryshimet e para, por jo me forcën e duhur për arsye se politika shqiptare e kishte lënë pas dore këtë medium duke e cilësuar si të panevojshëm. Gjatë veprimtarisë së saj rreth dyzetë vjeçare, programi i saj në gjuhën shqipe, maqedonase dhe turke, emetohej në rajonin e Pollogut dhe më gjerë. Skema programore dhe programi i punës, bazohej kryesisht në rregulloren ish – Këshillit Republikan për Radiodifuzion të Maqedonisë, ( sot Agjencia për shërbime Mediatike Audio dhe Audivizuale), i cili për radiot e vendit rekomandonte formatin foljor – muzikor. Në strukturën programore dhe produksionit të saj, i kushtonte rëndësi:
– Programit informativ;
– Programit informativ-zbavitës; dhe
– Programit muzikor
Nga këndvështrimi i një dëgjuesi jo të vëmendshëm, Radio Tetova të krijonte përshtypjen e një radiostacioni multietnik, por historia e themelimit dhe puna e saj ndër vite, dëshmon për një diskriminim të hapur ndaj gjuhës shqipe, dhe përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në këtë medium. Drejtuesit e saj, që deri në vitin 1998 ishin të nacionalitetit maqedonas, propagandonin një politikë redaktuese të respektimit të principeve themelore, që kanë të bëjnë me standardet programore, siç janë e drejta për shprehje të lirë, marrja dhe përcjellja e informacioneve, kultivimi i raporteve humane dhe vlerave morale të individit, të drejtat e lëvizjes dhe shprehjes së lirë të qytetarit, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale, fetare, ose bindjeve politike, por në praktikë të gjithë drejtorët, pa përjashtim i zbatonin urdhrat e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të asaj kohe. Edhe ata pak gazetarë shqiptarë, rikujtojnë përvojat e tyre jo të mira, të kufizimit të të drejtave themelore të ushtrimit të punës së tyre.
Sipas tyre, drejtori dhe redaktori (i kohës ), me agjendat e tyre nuk kultivonin frymën e tolerancës, respektimit të ndërsjellë të qytetarëve, duke mos qenë të hapur për të gjithë ata që kishin botëkuptim tolerant dhe qasje të sinqertë ndaj vlerave kulturore dhe tradicionale të popujve tjerë.
DISKRIMINIMI DHE BURGOSJA E KUADROVE SHQIPTARË
Pas vitit 1968, shqiptarët në Republikën e Maqedonisë, sidomos në pjesën perëndimore, u përballën me diferencimet politike. Ky medium ishte qendra e komitetit ekzekutiv, vendi ku pushteti përpilonte listat se cilët shqiptarë duhej të përjashtoheshin nga puna dhe cilët do të pranoheshin. Nuk bëhej fjalë vetëm për ata që do të punësoheshin në këtë medium, por edhe në vende të tjera. Jo rastësisht pushteti kishte zgjedhur Radio Tetovën, të vendosur në një lokacion, në një lagje të banuar me shqiptarë, ku qarkullonin të gjithë njerëzit e të gjitha kategorive. Media vazhdonte politikën diskriminuese kundër shqiptarëve, kurse pushteti bënte ekzekutimin. Jo rastësisht në asnjë arkiv të shtetit, nuk ka të dhëna për median në fjalë, për arsye të panjohura.
Nuk ka informacione, as në arkivin e radios, pasi të dhënat e pakta që kishin mbetur u zhduken nga vetë drejtuesit e këtij mediumi. Deri më sot, asnjë institucion dhe parti politike, nuk e kanë ngritur zërin për Radio Tetovën, për vendin ku kishte nisur diferencimi i shqiptarëve dhe për dëshmitë që nuk janë ruajtur as në arkivat e shtetit. Askush nuk i përmend njerëzit të cilët ishin maltretuar, përndjekur për vite të tëra vetëm e vetëm pse kishin folur në gjuhën shqipe dhe zëri i tyre ishte dëgjuar në opinion. Ka shumë pyetje që deri më sot mbesin pa përgjigje.
Diferencimi ideo – politik, i dirigjuar nga qarqet më të larta të pushtetit komunist, në periudhën e viteve 1981-1990, nuk i anashkalon as gazetarët shqiptarë në Maqedoni, të cilët punonin në mjetet e ndryshme të informimit, si në gazeta dhe radio e televizione, por edhe ata që raportonin si korrespondentë nga Tetova, në radhë të parë për dy gazetat e vetme shqiptare “Flaka e Vëllazërimit ” në Shkup dhe “Rilindja ” në Prishtinë, sikundër edhe gazetarët lokalë në Qendrën për Informim dhe Veprimtari Botuese në Tetovë, në kuadër të së cilës vepronte Radio Tetova dhe Gazeta javore “Pollogu”. Beteja kryesore e Komitetit të PK-së, ishte pikërisht në këtë media, sepse ishte zëri i vetëm shqip që dëgjohej në rajonin e Pollogut. Një media me frekuencë shumë të fuqishme që dëgjohej edhe në pjesën e Republikës së Kosovës, në kufirin e Jazhincës. Në mikrofonin e radios, ishte e ndaluar të raportohej për iniciativat, përpjekjet pluraliste politike dhe çfarëdo lloj ideje që synonte respektimin e shprehjes së lirë dhe të menduarit ndryshe, si vlera dhe parime themelore për një shoqëri të përparuar.
PERIUDHA E NDRYSHIMIT
Pas tri dekadave të funksionimit, të mbylljes hermetike, ose të territ informativ, pas ndryshimeve vitit 2000, mund të thuhet se Radio Tetova, njohu një evoluim, filloi të frymojë më lirshëm për të përmbushur misionin e saj në informimin objektiv të ngjarjeve të përditshmërisë, temave me interes për auditorin dhe e gjithë kjo u arrit falë ekipit të gazetarëve që punonin me përkushtim profesional, kreativitet dhe pa ngarkesa ideologjike e ndikime tjera. Krahasuar me periudhën e lartpërmendur, programi i saj nuk kishte të krahasuar, i njëjti u modernizua, si në formë ashtu edhe në përmbajtje dhe në këtë mënyrë ky stacion informativ, u rreshtua në grupin e radiove me koncept modern dhe dinamik, të pranueshëm për qytetarët dhe të gjithë dëgjuesit pa dallim. Me afrimin e kuadrove të reja, të shkolluara mire, me një politikë redaktuese të pacensuruar nga jashtë, Radio Tetova krijoi imazhin e një radiostacioni model për të ushtruar rolin edukativ – informativ, dhe rritjen e ndikimit të saj në ngritjen e vlerave kulturore të popullatës. Në aspektin informativ, ndiqte logjiken dh e rregullat e objektivitetit, kualitetit, saktësisë dhe informimit në kohë, trajtonte temat e përditshmërisë, probleme që i preokuponin qytetaret, dhe e gjithë kjo realizohej me përkushtim profesional dhe sipas parimit: gazetaria i shërben vetëm gazetarisë.
VENDIMI PËR TRANSFORMIM – APO VENDIMI PËR MBYLLJE
Fatkeqësisht, kjo etapë e ndryshimit rrënjësor zgjati 5- 6 vjet, pasi Qeveria e Republikës së Maqedonisë, përkatësisht Kuvendi, në vitin 2003, solli vendim për transformimin e 29 radiove lokale në vend, përfshirë edhe Radio Tetovën që kishte të njëjtin status.
Ky vendim i dëmshëm i autoriteteve shtetërore, kërkonte nga drejtuesit e radio- stacioneve lokale, që në afat kohor prej tre vjetësh të përmbyllnin procedurat e transformimit, përkatësisht të tjetërsonin statusin e tyre nga subjekt juridik shtetëror, në subjekte apo shoqata aksionare private. Nga procesi i transformimit të radiove lokale në Republikën e Maqedonisë, vetëm 3-4 prej tyre arritën të mbijetojnë duke u shndërruar në subjekte private, ndërsa pjesa dërmuese e tyre, u mbyllën, në këtë rast edhe Radio Tetova në prill të vitit 2009, u shua si rezultat i neglizhencës së drejtuesve, borxheve të mëdha të trashëguara, proceseve gjyqësore dhe problemeve pronësore – juridike të pasqaruara edhe sot e kësaj dite nga organet përkatëse. Kjo media me ndikim në opinionin publik, me dëgjueshmërinë më të lartë dhe shtrirjen më të gjerë gjeografike të valëve të saj, që kishte përgatitur e transmetuar qindra e mijëra raportime, lajme, kronika, reportazhe, emisione të ndryshme debative, sociale, kulturore, artistike, nuk e kishte menduar kurrë që në krye të saj do emëroheshin drejtues, me mision e vetëm për të “drejtuar” shkatërrimin e pronës së saj, asgjësimin e arkivit të edicioneve informative dhe fonotekës së pasur.