Në fillim të muajit qershor 1938, Kuvendi Mearif i Shkupit zgjodhi udhëheqjen e Mexhlisit të Ulemasë, i cili përbëhej prej katër anëtarëve: Idriz Hajrullahu (mulla Idriz Gjilani), Ataullah ef. Kurtishi, Sherif Osmani (Langu) dhe Bedri Hamidi, të cilët më 9 qershor dhanë betimin para Reis-ul-Ulemasë në Sarajevë, përmbajtja e së cilës ishte si vijon: “Betohem te Zoti i Madhërishëm, se do t’u përmbahem dispozitave ekzistuese të Kushtetutës dhe urdhrave të eprorëve të mi, se do ta ruaj fshehtësinë zyrtare, se detyrën time do ta kryej me vetëdije, me përgjegjësi e në mënyrë të paanshme, duke i pasur parasysh interesat e Bashkësisë Fetare Islame dhe duke iu shmangur tërë asaj, e cila do të ishte në dëmin e këtij shërbimi – Vallahi -Amin”
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Pas skandalit të fundit në kreun e BFI-së së Maqedonisë, i cili tronditi thellë shpirtrat e besimtarit të devotshëm shqiptar-myslimanë, e pashë të arsyeshme që për lexuesit e gazetës shqiptare KOHA – Shkup dhe jo vetëm, në disa vazhdime të bëjmë një përshkrim kronologjik për pozitën dhe veprimtarinë e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit midis dy luftërave botërore. Siç do të shihni, theks të veçantë u kam kushtuar zgjedhjeve të para të lira që kjo bashkësi i mbajti në vitin 1937 me çka në krye të saj erdhën atdhetarët e shquar kombëtar e fetarë shqiptarë, të cilët për tre vjet sa qëndruan në krye të asaj bashkësie, lanë gjurmë në historiografinë shqiptare. Besoj se ky punim studimor do të ndikoj tek popullsia shqiptare myslimane në përgjithësi, e te hoxhallarët në veçanti, që në krye të kësaj bashkësie të mos vijnë njerëz të korruptuar (siç janë tani), të pamoralshëm e të cilët si qëllim parësor nuk e kanë mbrojtjen e interesit të Islamit, por pasurimin e tyre personal. Kjo u pa në mbledhjen e fundit, ku ata të cilët e shkarkuan kryetarin e mëparshëm, deri dje ishin mbështetësit më të mëdhenj të të parit të tyre.
Ashtu siç paralajmëroi Kadri Saliu në raportin e mësipërm, Kuvendi Mearif i Vakëfit, më 5 shkurt të vitit 1938, mbajti seancë të jashtëzakonshme, në të cilën u zgjodh udhëheqja e re e Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit Mearif, në këtë përbërje: Kadri Saliu- kryetar, Osman Qemal Beu – nënkryetar, Zejnel Strazimiri, Sefedin Mahmuti dhe Xhevat Mahmuti – anëtarë. Zëvendës të tyre u zgjodhën: Ramush Osmani, Dr. Beqir Novo, Idriz Ajrullahu, Idriz Muarremi dhe Abdullah Hari. Me zgjedhjen e udhëheqjes së re të Këshillit ekzekutiv, faktikisht politikën e BFI-së në Shkup e mori në duart e veta krahu kombëtar, përkatësisht siç quhej në atë kohë, partia e Ferhat Dragës.
Për rrjedhojë, në fillim të muajit qershor 1938, Kuvendi Mearif i Shkupit zgjodhi udhëheqjen e Mexhlisit të Ulemasë, i cili përbëhej prej katër anëtarëve: Idriz Hajrullahu (mulla Idriz Gjilani), Ataullah ef. Kurtishi, Sherif Osmani (Langu) dhe Bedri Hamidi, të cilët më 9 qershor dhanë betimin para Reis-ul-Ulemasë në Sarajevë, përmbajtja e së cilës ishte si vijon: “Betohem te Zoti i Madhërishëm, se do t’u përmbahem dispozitave ekzistuese të Kushtetutës dhe urdhrave të eprorëve të mi, se do ta ruaj fshehtësinë zyrtare, se detyrën time do ta kryej me vetëdije, me përgjegjësi e në mënyrë të paanshme, duke i pasur parasysh interesat e Bashkësisë Fetare Islame dhe duke iu shmangur tërë asaj, e cila do të ishte në dëmin e këtij shërbimi – Vallahi -Amin”. Emërimi i tyre më 19 maj u dekretua nga ministri i Drejtësisë, Milivoje Simonoviq. Një çështje tjetër që zgjoi interes asaj kohe, ishte zgjedhja e kryetarit të Mexhlisit të Ulemasë të Shkupit, i cili sipas Kushtetutës duhej të zgjidhej nga vetë anëtarët e mexhlisit në fjalë. Nga procesverbali i hartuar më 9 korrik 1938 në selinë e Mexhlisit të Ulemasë në Shkup, kuptojmë se për kryetar ishin propozuar Sherif Langu dhe Ataullah ef. Kurtishi, mirëpo asnjëri nuk kishte arritur të merr shumicën e votave, përkatësisht që ty dy morën nga dy vota. Anëtarët e Mexhlisit të Ulemasë, thuhej në procesverbal: “z.z. Idriz ef. Hajrullah dhe Ataullah ef. Kurtish për kryetar të Mexhlisit të Ulemasë votuan z.z. Ataullah ef. Kurtishin, ndërsda anëtarët z.z. Bedri ef. Hamid dhe Hafiz Sherif Osman për kryetar votuan Hfz. Sherif ef. Osmanin”. Emërimi i Sherif Langut erdhi me dekret të Reis-ul-Ulemasë, pasi në ndërkohë Ataullah ef. Kurtishi përmes depeshes njoftoi Reis-ul-Ulemanë në Sarajevë se tërhiqet nga gara. Mirëpo, një vendim i tillë u kundërshtua ashpër nga mulla Idriz Gjilani, i cili madje fajësoi kryetarin e Kuvendit Mearif të Shkupit – NAIB-in, Kadri Saliu, i cili siç shprehet Gjilani, “nuk ka guxuar t’ia dorëzojë detyrën Sherif efendiut”, kur e ka parë se vendimi i Reis-ul-Ulemasë ka ardhur duke u mbështet në depeshen se Ataullah ef. Kurtishi tërhiqet nga gara para se ta dëgjoj vetë Ataulla efendiun, sepse sipas tij, një depeshe e tillë nuk buronte nga Ataullah efendiu.
Udhëheqja e re Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, solli ndryshime radikale, si në mënyrën e organizimit fetar-arsimor, po ashtu edhe në menaxhimin me pasurinë e tundshme e të patundshme vakëfnore. Burimet ushtarake, policore dhe diplomatike jugosllave hedhin dritë për një aktivitet të dendur të Ferhat bej Dragës e të bashkëpunëtorëve të tij midis harkut kohor 1938-1940. Gjithnjë në mbështetje të këtyre burimeve, shohim se ky aktivitet ishte përqendruar në dy çështje thelbësore për kohën: e para, ngritja e vetëdijes kombëtare dhe, e dyta, ndërprerja e tërësishme e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë Jugosllave më 5 gusht të vitit 1938, përmes një shkrese, e njoftonte legatën e vet në Ankara se para pak kohësh një delegacion shqiptar i udhëhequr nga Ferhat bej Draga dhe Maliq Pehlivani kanë udhëtuar për në Stamboll.
“Nga të dhënat e marra – thuhej në njoftim – si duket të gjithë ata kanë udhëtuar për Turqi për të vepruar te qeveria turke me qëllim që mos të nënshkruhet Konventa rreth shpërnguljes së myslimanëve nga viset tona jugore ose së paku në të të mos përfshihen shqiptarët të cilët jetojnë në mbretërinë tonë. Si duket, ata u kanë deputetëve të parlamentit turk dorëzuar një memorandum me të cilin i kanë paraqitur pikëpamjet e veta për atë çështje….”.
Tre ditë më vonë, përkatësisht më 8 gusht, MPJ e Jugosllavisë ia përcolli legatës në Ankara një letër, që deputeti turk Sabri Beu nga Stambolli ia kishte dërguar një mikut të tij në Beograd, ku veç tjerash shkruante: “…Nga Jugosllavia kanë arritur protesta të shumta. Njerëz të caktuar, të cilët kanë ardhur këtu, posa kanë arritur, janë parë me ministrat e këtushëm, ndërsa në mënyrë të veçantë kanë dorëzuar një promemorie të gjatë, në të cilën thonë se në Kosovë dhe në rrethinën e saj, edhe pse zyrtarisht ende nuk është themeluar këshilli për shpërngulje, organet e pushtetit kryejnë terror të madh dhe se ka pasur raste që njerëzit janë maltretuar. Qeveria (mendohet për atë turke – Q. L.) këto ankesa do t’i marrë parasysh. Parashtresa të ngjashme u janë dorëzuar edhe anëtarëve të Kuvendit të Lartë Kombëtar…”.
Po kjo ministri, më 19 shtator 1938, njoftonte se Qeveria e Mbretërisë Shqiptare kishte vendosur që brenda disa ditëve ta dërgojë Mehmet bej Konicën në Ankara, me qëllim të ndërmarrjes së “një aksioni te Qeveria turke kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi”.
Fushëveprimi i udhëheqjes së re të Mexhlisit të Ulemasë në Shkup, krahas atij diplomatik, u përqendrua edhe në aktivitetin e brendshëm, i cili zhvillohej përmes mbledhjeve dhe tubimeve të ndryshme të organizuara anembanë trevave shqiptare nën pushtimin jugosllav. Tema boshte e këtyre takimeve, siç bënin të ditur raportet ushtarake e policore jugosllave, ishte ndërprerja e shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga vatrat e tyre. Ministria e Punëve të Brendshme Jugosllave, në shtator të vitit 1939, njoftonte se kryetari i Mexhlisit të Ulemasë në Shkup, Sherif Osmani (Langu) “para një kohe qëndroi në Manastir”, me ç’rast “ka agjituar në mesin e popullsisë shqiptare që mos të shpërngulen në Turqi…”. Ndërkohë, edhe Komanda e Armatës III në Shkup e njoftonte Shtabin e Përgjithshëm në Beograd se paria shqiptare kohëve të fundit po zhvillon një aktivitet të dendur në mesin e popullsisë shqiptare, duke bashkëbiseduar në lidhje me Konventën e arritur midis Jugosllavisë dhe Turqisë: “Nga ato biseda – vinte në dukje Komanda e Armatës III – shihet se shqiptarët janë shumë të brengosur për shkak konventës për shpërnguljen në Turqi. Udhëheqësit e tyre, në krye me Ferhat bej Dragën, u sugjerojnë që në asnjë mënyrë të mos i lëshojnë vatrat e tyre, sepse pushteti nuk ka rrugë dhe metodë që me forcë t’i shpërngulë….”. Një aktivitet të dendur Mexhlisi i Ulemasë në Shkup e zhvilloi gjatë muajve shtator-tetor të vitit 1939, ku një delegacion i lartë i Kuvendit Mearif të Vakëfit dhe Mexhlisit të Ulemasë në Shkup, i udhëhequr nga Bedri Hamidi, i vizitoi të gjitha qendrat më të rëndësishme që i përkisnin Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, si: Prishtinë, Prizren, Gjilan, Ferizaj, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë, Preshevë, Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë, Ohër, Manastir, Ulqin, Novi Pazar etj., me ç’rast u mbajtën ligjërata me karakter fetar, kombëtar e politik nëpër xhamitë kryesore të këtyre qendrave.
Nga tërë ky aktivitet, përmes një raporti të detajuar prej 59 faqesh, Mexhlisi i Ulemasë e njoftonte udhëheqësinë supreme të BFI-së në Sarajevë, Reis-ul-Ulemanë Fehim ef. Spahon, për gjendjen e mjerueshme të popullsisë shqiptare-myslimane, për shkak të, siç vihej në pah, politikës diskriminuese të pushtetit serbomadh. “Reforma agrare – thuhej në raport – e cila përbënte shkakun kryesor për varfërimin e të gjitha shtresave myslimane dhe i detyronte për t’u shpërngulur, në përgjithësi pati pasoja shumë të rënda. Përveç asaj që pati një zgjidhje fatkeqe, zbatimi i saj ishte edhe më ogurzi, prandaj pjesa shumë e madhe e elementit mysliman thuajse u proletarizua, ndërsa shumë familje ranë në një varfëri të skajshme. Kjo erdhi për arsye se toka nuk u morr vetëm nga pronarët e mëdhenj, por edhe nga poseduesit e vegjël, që për ta përbënte pasurinë e vetme, ndërsa bujqësia ishte profesioni dhe burimi i vetëm për ekzistencë. Me një plan aq drastik shumë familje myslimane falimentuan ekonomikisht, që shkaktoi pasoja të rënda edhe në sferat tjera të jetës, sepse pa mbështetje materiale nuk mund të ketë kurrfarë përparimi. Për këtë arsye, te bota myslimane, edhe nëse do të kishte kuptim, vullnet e dëshirë për ngritje kulturore e arsimore, u mungonin mjetet materiale, prandaj kjo mund të konsiderohet si pengesa më kryesore….”, thuhej ndër të tjerave në raport. (vijon në numrin e ardhshëm)