Prishtinë, 15 janar – Policia e Kosovës ka dhënë detaje për veprimet e djeshme në pikën kufitare Jarinje të Mitrovicës për ndalimin e trenit i cili vinte nga Serbia, si dhe ka mohuar lajmin se janë minuar hekurudhat e Kosovës. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë për Operativë, Naim Rexha në një konferencë për media, ka thënë se të gjitha veprimet e Policisë kanë qenë sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ai bëri të ditur se Policia e Kosovës ka pasur informacione paraprake lidhur me qarkullimin e trenit nga Serbia për në Kosovës dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve ligjore që ka. “Policia e Kosovës është një institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi për të garantuar rendin kushtetues, sigurinë e përgjithshme dhe në rastin konkret për të parandaluar qarkullimin e trenit ilegal për në territorin e republikës së Kosovës. Policia e Kosovës ka pasur informacione paraprake lidhur me paralajmërimet e qarkullimit të trenit nga Serbia për në Republikën e Kosovës me datë 14.01.2017 dhe për këtë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme operacionale policore konform autorizimeve ligjore që ka”, tha ai. Rexha, ka demantuar të gjitha mediat serbe, të cilat kanë publikuar lajme dhe video incizime duke vendosur mjete shpërthyese në hekurudhë. “Me qëllim të parandalimit të incidenteve të tilla dhe me qëllim të ofrimit të sigurisë së plotë të përgjithshme, Policia e Kosovës me të gjitha njësite e saj relevante policore duke përfshirë edhe mjetet dhe pajisjet logjistike, ka zhvilluar operacionin policor i cili ka rezultuar me sukses dhe kanë ndërmarrë veprime të saja me qëllim të identifikimit, sqarimit të gjitha rrethanave të cilat e kanë përcjellë aktivitetin e djeshëm. Ne edhe njëherë demantojmë fuqishëm që në asnjë variant kinse qytetarët e Republikës së Kosovës ose zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë ndonjë veprim që ka të bëjë me përgatitjet për ndonjë dëmtim siç është paraqitur nëpër mediat serbe të hekurudhës është i pavërtetë, është i pabazë, nuk qëndron. Përkundrazi ne kemi zhvilluar një operacion mjaftë kompleks të kontrollimit të gjithë gjatësisë 50 kilometërshe të binarëve të hekurudhës në operacionin tonë policor”, tha ai. Rexha bëri të ditur se operacioni i djeshëm është zhvilluar nga efektivat e Policisë së Kosovës. “Ekskluzivisht operacioni i djeshëm është zhvilluar nga efektivat e Policisë së Kosovës, në rrafshin bashkëpunues të institucioneve të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit ne kemi bashkëpunim edhe me EULEX-in edhe me KFOR-in, mirëpo siç e dini si EULEX-i, si KFOR-i, janë të renditur në aspektin strategjik të veprimeve si reaguesi i dytë dhe si reaguesi i tretë, ne jemi përgjegjës për sigurinë e qytetarëve tanë, ne jemi përgjegjës për territorin e Republikës së Kosovës dhe ne përpiqemi maksimalisht ta përmbushim përgjegjësinë tonë. Kjo nuk do të thotë që në rrethana të ndryshme nuk do të bashkëpunojmë edhe operacionalisht me reaguesin e dytë dhe të tretë, por rasti i djeshëm nuk ka qenë i tillë”, tha ai. Po ashtu, ai tha se nuk ka pasur asnjë problem gjatë realizimit të aksionit të djeshëm.