Për gazetën KOHA, nga SPB e Shkupit njoftojnë se gjatë dhjetë ditëve të fundit të muajit mars, në kryeqytet janë regjistruar 50 aksidente në komunikacion, në të cilat nuk është regjistruar asnjë me pasoja fatale në njerëz
Omer XHAFERI
Shkup, 1 prill – Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe vendosja e orës policore brenda një periudhe kohore gjatë 24 orëve, si rezultat i masave për mbrojtjen e nga virusi COVID-19, ka edhe anën e saj pozitive. Dhjetë ditë pas hyrjes në fuqi të këtyre masave, të cilat me një dozë më rigoroze u zbatuan gjatë fundjavës, duke iu referuar buletinit ditor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mund të vërejmë se ka rënie të disa vepra penale, siç janë vjedhjet, zënkat, incidentet e ndryshme, si dhe aksidentet në komunikacionin rrugor.
Raportet ditore të Policisë së Shtetit tregojnë se gjatë kësaj periudhe sa funksionon gjendja e jashtëzakonshme dhe ora policore, dukshëm është zvogëluar edhe numri i aksidenteve në trafik. Ndër aksidentet e rralla në komunikacion të cilat u regjistruan në këto kohë pandemie ishte një vetura e Armatës së Maqedonisë së Veriut, pjesëtarët e të cilës kaluan me lëndime të lehta trupore. Për gazetën KOHA, nga Sektori i Punëve të Brendshme në Shkup, njoftojnë se gjatë dhjetë ditëve të fundit të muajit mars, në kryeqytet janë regjistruar 50 aksidente në komunikacion, në të cilat nuk është regjistruar asnjë me pasoja fatale në njerëz. Po ashtu, nga atje theksojnë se në dy prej këtyre aksidenteve, vetëm dy persona kanë marrë lëndime të rënda trupore, 31 persona me lëndime të lehta trupore dhe pjesa tjetër e aksidente ka kaluar me dëme material. Njëkohësisht, veprat penale më shpesh të kryera gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave publike të MPB-së, kanë qenë kapja e personave me lëndë narkotike, kryesisht marihunanë, por edhe lloje tjera të drogave. Mirëpo, këtu hynë edhe incidentet e ndryshme, siç janë dhuna, sulmet dhe përleshjet e ndryshme të cilat janë regjistruar në rrugë dhe familje.
Prej hyrjes në fuqi të orës policore dhe kufizimit të lëvizjes së qytetarëve në bazë të buletinit ditor të MPB-së, mund të shihet zvogëlim drastik i vjedhjeve.
“Nga vendosja e orës policore deri tash të dhënat statistikore anë shënuar zvogëlim të kryerjes së veprave penale ‘vjedhje’ dhe ‘vjedhje të rënda’. Gjatë periudhës 22-26 mars të këtij viti në rajonin e qytetit të Shkupi, janë denoncuar 12 vepra penale ‘vjedhje’, respektivisht në periudhën e njejtë vitin e kaluar janë shënuar 32 vepra penale ‘vjedhje’. Gjithashtu në periudhën e theksuar janë regjistruar 34 vepra penale ‘vjedhje të rënda’. Ndërkohë, vitin e kaluar gjatë prej 22 deri me 26 mars në Shkup, kanë ndodhur 73 vepra penale ‘vjedhje e rëndë’”, thonë nga SPB në Shkup.
Megjithatë, ajo çka mund të vërehet është se gjatë kësaj periudhe nuk kanë pushuar sulmet nga qentë endacak. Ky problem me të cilët po ballafaqohen gati të gjitha qytetarët e Maqedonisë së Veriut, posaçërisht ata të cilët jetojnë në mjediset urbane nuk ndryshon edhe gjatë kësaj periudhe kur qytetarët ballafaqohen me një sfidë siç virusi korona. Gjithsesi rastet më të shumta të regjistruara gjatë kësaj periudhe të gjendjes së jashtëzakonshme nga sulmet e qenve endacak janë në Shkup. Por, nuk janë përjashtuar as qytetet tjera siç janë Tetova dhe Manastiri. (koha.mk)